Agro-biznesi: Të përdoret nafta vendase

22/01/2014 00:00

Shoqatat e Agro-biznesit kërkojnë subvencionimin e naftës për bujqësinë
duke propozuar zëvendësimin e naftës së importit me atë të prodhuar në
vend.

“Sot bujqësia kërkon 50 milionë litra në vit që të realizojë produktet e veta. Me 2 dollarë për litër që është sot cmimi, na shkon 100 milionë dollarë në vit që fermerët paguajnë nga xhepi i tyre. Nga vlerësimet që ne kemi bërë, paraprake, nëqoftëse ne do të përdorim naftën e vendit, kjo shumë zbret menjëherë në 50 milionë dollarë, pra 50 për qind”, tha Agim Rrapaj, nga Shoqata Shqiptare e Mekanikës dhe Mjeteve Bujqësore.

Në seancën dëgjimore në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese, Shoqatat e Agrobiznesit paraqitën një skemë konkrete për mënyrën e shpërndarjes së naftës tek fermeri, çka sipas tyre do të shmangte abuzimet e së shkuarës.

“Nga uzina e përpunimit të naftës, që do të jetë Ballshi, kalon në disa depozita zonale që ne i kemi menduar dhe mendohet të jenë rreth 500 të tilla në shkallë vendi, në momentin që fermeri e ka dorëzuar kërkesën e vet, në mënyrë dixhitale transmetohen të gjitha të dhënat dhe ne nxjerrim në një kohë mjaft të shkurtër sa naftë i duhet për një vit secilit fermer. Këtë ne ia dërgojmë ministrisë së linjës, në mënyrë që të bëjë kontrollin e nevojshëm me të gjitha mjetet që ajo ka dhe të prodhojë tollonat. Këto tollona i çojmë në Postën Shqiptare dhe i shkon çdo përfituesi”, tha Rrapaj.

Por ndërsa për kryetarin e Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Eduard Shalsi, pa të dhëna të sakta mbi fermerin çdo skemë do të ishte e dështuar, për ish-ministrin e Bujqësisë, Genc Ruli shteti e ka të pamundur të subvencionojë shumën prej 50 milionë dollarësh, të kërkuar nga fermerët.

“Nëse do të kishim shumën e parave apo naftën të gatshme, nuk do të mund ta shpërndanim në mënyrë efikase tek fermerët. Vazhdoj të insistoj se pa një bazë të dhënash të saktë, pa statistika të mirëfillta, çdo lloj skeme do të dështojë”, tha Shalsi.

“Ne sivjet në buxhet kemi vetëm 3 milionë dollarë subvencion për naftën. Po të arrijmë tek ato çmime, që u propozua të gjithë do të dëshironim që aq ta merrte fermeri, 800 lekë apo 1 mijë lekë litrin, do të duhen minimumi 60 milionë. Problemi është a i ka mundësitë ky shtet të shkojë brenda shumë shpejt në 50 milionë dollarë subvencion vetëm për naftën?” tha Ruli.

Top Channel