“Shqipëria e meritonte statusin”

20/01/2014 00:00

Zoran Milanoviç, Kryeministër i Kroacisë ka mbërritur në një vizitë dyditore në Tiranë, duke u bërë personaliteti i parë që ngjit shkallët e
Kryeministrisë tashmë të rikonstruktuar.

Pas një takimi me homologun shqiptar Rama, të dy kryeministrat dolën në një konferencë shtypi, nga ku kreu ekzekutivit kroat u angazhua për t’u përballur me çdo lloj prapavije europiane, e cila pengoi statusin e Shqipërisë.

“Kroacia është një histori suksesi për të gjithë rajonin dhe pa as më të voglin dyshim edhe për ne. Ne besojmë se anëtarësimi i Kroacisë në Bashkimin Europian dhe paralelisht edhe marrëveshja e nënshkruar mes Kosovës dhe Serbisë, janë dy ngjarje të mëdha në funksion të një kohe të re për rajonin tonë”, tha Rama.

“Natyrisht, dua që të jem krejtësisht i sinqertë, Shqipëria përjetohet edhe si shtet, i cili ende në rrugën e tij drejt Evropës ballafaqohet me pengesa të caktuara, ku disa prej tyre janë subjektive, që Shqipëria duhet t’i ndryshojë, por disa janë jokorrekte ndaj Shqipërisë. Kur ju flisni për mbështetjen tonë ndaj Shqipërisë për kandidaturën e saj në BE, kjo nga ana e jonë është e sinqertë. Po aq e sinqertë sa ka qenë mbështeja jonë ndaj  Serbisë. Nuk e konsideroj të drejtë faktin se Serbia i ka filluar negociatat për anëtarësim, gjë që e kemi përkrahur, ndërkaq që Shqipëria nuk i ka filluar negociatat për anëtarësim. Pra, qëndrimi ynë është se Shqipëria, si edhe vendet tjera të rajonit, do të duhet që sa më parë të fitojë statusin e kandidatit dhe të fillojë negociatat me BE-në”, tha Milanoviç.

Të dy Kryeministrat u pyetën nga Top Channel nëse Qershori është një datë realiste për marrjen e statusit të vëndit kandidat. Kryeministri Milanoviç që në fillim të përgjigjes tha se Shqipëria e meritonte marrjen e statusit, por sipas tij ishin disa prapavija europiane që ndikuan në shtyrjen e vendimit.

“Unë mendoj se PO, qershori është i mundshëm. Mirëpo, fatkeqësisht, në politikë nuk mund të udhëhiqeni vetëm me kritere racionale. Por pasi shteti shqiptar është anëtar i NATO-s, atëherë kjo do të thotë se të paktën e ka ushtrinë si një pjesë të aparatit shtetëror,  që është i harmonizuar me standardet më të larta ndërkombëtare. Pra, sipas analogjisë, meriton që t’i jepet shansi që të paktën të negociojë për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Vetëm edhe një fjali, ne do të kundërshtojmë nga ana jonë paragjykimet në Evropë, sepse politika evropiane në disa shtete që janë shumë demokratike shpesh është nën presion të paragjykimeve ndaj disa etnive dhe rajoneve, dhe ne do të jemi zëshëm,por në mënyrë të qytetëruar, kundër kësaj dukurie sepse edhe vetë i kemi përjetuar këto raporte dhe paragjykime. Dhe kjo nuk është e mirë”, tha Milanoviç.

Kryeministri Rama e quajti tërësisht të pavërtetë lajmin e mbylljes së ambasadës shqiptare në Zagreb.

“Kroacia është një pikë referimi, është një shembull frymëzues dhe është një partner në rajon me të cilin ne duam t’i forcojmë sa më shumë lidhjet, sepse jemi të bindur që  kemi shumë çfarë mësojmë nga ju.E kundërta është e vërtetë. Ne jemi në një proces reformimi të shërbimit tonë diplomatik. Jemi në një proces racionalizimi të burimeve tona. Do të ketë shkurtime, por në funksion të forcimit të prezencës sonë dhe të lidhjeve tona me pjesën më të madhe të vendeve. Kroacia është një nga këto vende, ku ne duam ta forcojmë më shumë prezencën”, tha Rama.

Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe homologu kroat Ranko Ostojiç nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi. Kryeministri kroat zhvilloi edhe një takim me presidentin e Republikës Bujar Nishani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA