LEONARD BODURI – Për ministrin Tahiri ka pasur një lumë kritikash për
mënyrën se si Policia e Shtetit ka shtuar numrin e gjobave për
automjetet në kurriz të qytetarëve.
Në shumë raste, qytetarët kanë protestuar (kryesisht në Facebook) për mënyrën arbitrare të trajtimit të tyre nga autoritetet, si dhe për pamundësinë për të kërkuar të drejtën e pretenduar. Ministri Tahiri akuzohet se po kultivon ndjenjën e frikës dhe të ndëshkimit te qytetarët, si dhe për tejkalim të së drejtës, duke e kthyer ndëshkimin e qytetarëve në strategji kryesore të institucionit që drejton. Personalisht i përkas atij grupi qytetarësh që besojnë se aftësia për të kuptuar ligjin vjen kryesisht si pasojë e perceptimit të sanksioneve për kundërvajtësit e tij. Nga kjo pikëpamje është gati e pamundur që amullia në qarkullim, e kthyer në normalitet, të largohet nga përditshmëria jonë me “përkëdhelje” sensibilizuese. Në një kohë kur respektimi i vijave të bardha mund të konsiderohet pa frikë legjendë urbane, si dhe shkelja e semaforëve me të kuqe vazhdon të mos jetë vetëm monopol i “të fortëve”, duhet të ndihet patjetër forca e sanksioneve, edhe pse mund të mbjellë pak frikë për momentin. Të gjithë, në bisedat e zakonshme e pranojmë se “druri” ka dalë nga xheneti, por vetëm se publikisht është e vështirë të pohohet një gjë e tillë. Ministri Tahiri mund të shkaktojë me raste edhe ndjenja antipatie, jo vetëm për kopjimin deri në detaj të mënyrës së të folurit dhe përdorimit të gjesteve teletajp si kryetari i ekzekutivit, por edhe për dëshirën e tepruar për t’u dukur mediatikisht edhe për punë që janë krejtësisht të rëndomta. Gjithsesi në këtë aksion të rëndësishëm për të disiplinuar qarkullimin e automjeteve në vend, z. Tahiri duhet mbështetur pa kompromis. Ministri i Brendshëm ka dështuar deri diku në komunikimin me publikun, duke u shfaqur paksa arrogant në deklaratat e tij në mbrojtjen e aksionit që ka ndikuar në shtimin e madh të numrit të gjobave, por assesi nuk mund të kritikohet për namin që po merr Policia e Shtetit, për mostolerimin e kundërvajtjeve në qarkullim. Në këndvështrimin afatshkurtër, kjo që ka ndodhur mund të shkaktojë një dozë pakënaqësie te shumica e qytetarëve që janë ndëshkuar kot së koti “sa për të plotësuar planin” dhe do të shqetësojë së tepërmi ata që janë mësuar të livadhisin sipas qejfit në qarkullim, por nëse e shohim çështjen në një këndvështrim më afatgjatë, sipas të gjitha gjasave, efektet do të jenë tejet pozitive për shoqërinë në tërësi. Më mirë t’u dalë nami autoriteteve që nuk të falin gramin në respektimin e rregullave në qarkullimin rrugor, sesa të na dalin sytë, duke parë përditë aksidente të frikshme që cenojnë seriozisht jetën e qytetarëve.
Hit-parada për gjuhën shqipe
Rilindësit, nëpërmjet kryetarit të ekzekutivit, jo vetëm janë shprehur me forcë në favor të përdorimit korrekt të gjuhës shqipe, por kanë ndërmarrë edhe akte konkrete për përdorimin zyrtar të saj nëpërmjet punësimit në institucionet qendrore korrektorë profesionistë të gjuhës shqipe. Kryeministri duket se e ka për zemër këtë nismë, edhe për shkak të pasionit të tij për të shkruar, por nuk e dimë a kanë të njëjtën qasje edhe vartësit e tij ministra. Në një kohë kur gabimet gjuhësore janë të pranishme në librat shkollorë, në komunikimet zyrtare, në gazeta, në revista, si dhe në titrat e televizioneve, duke përfshirë në këtë maskaradë gjuhësore edhe luftën e paepur dhe masive për zhdukjen e shkronjës “ç” dhe “ë”, autoritetet që duhet të marrin masa konkrete për përmirësimin e gjendjes janë në gjumë të thellë letargjik. Kur flasim për autoritete, kemi parasysh Ministrinë e Inovacionit dhe Administratës Publike, Ministrinë e Kulturës dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit. Edhe pse në vetvete këto institucione përgjegjëse nuk kanë asnjë ide se si të disiplinojnë përdorimin e gjuhës standarde në mënyrë korrekte në të gjithë territorin e republikës, ato kanë talentin e veçantë të trajtojnë me përçmim dhe shpërfillje çdo nismë pozitive në këtë fushë. Kryesisht në takimet me zyrtarët tanë të lartë mund të përballesh me një uragan të vërtetë premtimesh dhe fjalësh të bukura për punët dhe projektet që duhet të realizohen për ruajtjen dhe përdorimin e shqipes standarde, por euforia e treguar, me shumë buzëqeshje në sfond, zhduket shumë shpejt nën hijen e mediokritetit të zakonshëm. Për t’u veçuar është qëndrimi i znj. Nikolla, ministres së Arsimit dhe Sportit, e cila për shkak të axhendës së ngjeshur që ka zakonisht, nuk ka kohë të merret seriozisht me reformën urgjente që kërkon përdorimi pa kriter i shqipes së sotme, sidomos në edukim. Në fund të fundit ne jemi mësuar me premtime boshe dhe fryrje të ekzagjeruara parazgjedhore dhe qëndrimi i zyrtarëve nuk mund të na befasojë, por nuk mund të gëlltisim në heshtje paradën e yjeve të politikës dhe të “shërbëtorëve” tanë të dalluar që janë të angazhuar fort në “bërjen e asgjësë”. Gjendja është e pashpresë!
Në mungesë të “Lakrorit” të radhës
Debati në distancë Blushi-Rama për zhvillimin e zgjedhjeve të brendshme për kryetarin e Partinë Socialiste po bëhet shumë interesant, për shkak të mënyrës se si zbatohen në përgjithësi rregullat që përcaktojnë demokracinë e brendshme të partive politike në vendin tonë. Ben Blushi thumboi mediatikisht pretendimin e Edi Ramës, se mandatin si kryetar i PS-së ia rinovon automatikisht statusi i Kryeministrit të vendit. Statuti i socialistëve thekson qartë, se kryetari i partisë duhet të zgjidhet sipas parimit “një anëtar, një votë” njëherë në katër vjet, pavarësisht statusit të kryetarit në ekzekutiv apo legjislativ. Në të vërtetë nuk ka asnjë argument juridik në favor të pretendimit të kryetarit Rama dhe shpurës së tij “lavdëronjëse deri në servilizëm të thellë”, se fitorja në zgjedhje do të thotë anashkalim i anëtarësisë për të zgjedhur kryetarin, duke ia kaluar rinovimin e mandatit të skaduar të kryetarit forumeve të partisë. Pas një fitoreje gati historike të së majtës në zgjedhjet e fundit parlamentare, është e pakuptueshme dhe gati e habitshme shmangia e tillë e zgjedhjeve të brendshme në parti. Një milion votat e marra nga koalicioni i Rilindjes duhet të inkurajonte strukturat e partisë socialiste për zhvillimin e zgjedhjeve sipas parimit “një anëtar, një votë”. Të gjithë e njohim karakterin formal dhe grotesk të zgjedhjeve të brendshme në çdo parti politike në Shqipëri, edhe kur rezultati elektoral ka qenë humbës për kryetarët, por edhe farsat kanë rëndësinë e tyre, sidomos për të kënaqur oreksin e disa qytetarëve për gënjeshtra të bukura. Qartësisht, për të gjithë njohësit e politikës, thumbat e Blushit kanë vetëm ndikim për konsum mediatik, pasi si njohës i mirë i mënyrës së funksionimit të partive politike, ai duhet ta dijë mirë se kemi të bëjmë thjesht me organizimin rutinë të farsës së radhës dhe asgjë më shumë. Vetëm përcaktimet statutore i detyrojnë partitë politikë të zhvillojnë zgjedhje, rezultatet e të cilave janë të paracaktuara dhe ndiqen kryesisht pa interes nga publiku i gjerë. Mohimi kategorik për zhvillimin e zgjedhjeve të brendshme dhe mbrojtjes me zjarr të kësaj teze nga “oborrtarët” e Ramës, mund të mirëkuptohet vetëm për shkak të pamundësisë për të gjetur “Lakrorin” e radhës, i cili do të pranonte të “flijohej” publikisht me një humbje të thellë dhe “dinjitoze” para kryetarit aktual me mandat të skaduar. Blushi, sipas të gjitha gjasave, e ka të humbur betejën e tij për mbajtjen e zgjedhjeve të brendshme në Partinë Socialiste dhe nuk ka se si të ndodhë ndryshe. Rroftë servilizmi në partitë politike!
Top Channel