
Kryetari i Entit Rregullator të energjisë petrit ahmeti thotë se
rikthimi i faturave aforfe ishte një masë e detyruar, pasi mbi 20 për
qind e abonentëve janë ose të papajisur me matësa ose i kanë dëmtuar
ato.
“Duke qenë se kompania kishte detyrimin që të mos realizonte faturim aforfe, atëherë filloi një precedent mjaft negativ i prishjes së matësave. Momenti tjetër është se duke munguar faturimi aforfe dhe paaftësia e kompanisë për t’i plotësuar me matësa të gjithë abonentët e rinj, atëherë ata detyroheshin që të konsumonin energji elektrike, por fatura e tyre do të shkonte në një vlerë shumë minimale, për të mos thënë fare simbolike”, tha Ahmeti.
Sipas vendimit të Entit për të gjithë këtë kategori konsumatorësh do të faturohet një sasi energjie, që varion nga 200 deri në 600 kilovat/orë, në varësi të sezonit, por edhe zonave ku ndodhen.
“Përllogaritja e kësaj energjie mbështetet në një metodologji, e cila përafrohet drejt një saktësie, kuptohet jo në saktësinë absolute si mund të jetë matja me një matës të energjisë elektrike, por është një vlerë mjaft e përafërt me konsumin e energjisë realizojnë konsumatorët familjarë”, tha Ahmeti.
Rikthimi i faturave aforfe konfirmon edhe një herë situatën kaotike në sektorin e shpërndarjes, i cili përballet me humbje të larta dhe abuzim masiv të energjisë. Por kreu i ERE-s thotë se kjo masë do të jetë e përkohshme.
“Ky është një afat, të cilin ne jemi duke e konsultuar edhe me kompaninë, sepse lidhet edhe me kapacitetin financiar që ka kompania për të shpenzuar në këtë investim, por unë ju garantoj që ky investim nga ana e Entit Rregullator është konsideruar investimi prioritar për kompaninë”, tha Ahmeti.
Pak ditë më parë Qeveria zyrtarizoi ngritjen e një task force, nën drejtimin e zëvendëskryeministrit për t’u përballur me situatën emergjente në tregun energjetik, ku më shumë se gjysma e energjisë vidhet ose humbet në rrjet, ndërkohë që arkëtimet mbeten të ulëta.
Top Channel