Në Bruksel u mbajt takimi i 3-të i dialogut të strukturuar për sundimin e ligjit, që nisi më 30 maj 2012, mes Bashkimit Europian dhe Kosovës, i cili synon dhe kalimin gradual të përgjegjësive nga EULEX-i tek autoritetet vendore.

“Sundimi i ligjit ka të bëjë me një gjyqësor të pavarur që funksionon siç duhet, me veprime efektive të policisë dhe me garantimin e faktit se shoqëria civile në Kosovë mund të ketë besim në një sistem të pavarur, të paanshëm dhe efiçent për mbrojtjen e interesave të saj”, deklaroi Christian Danielsson, drejtor i përgjithshëm për Zgjerimin në KE.

“Do të bëjmë më shumë gjithashtu për luftën ndaj krimit të organizuar e korrupsionit, forcimit të institucioneve për zbatimin e ligjit dhe pavarësinë e gjyqësorit. Nga ana jonë kemi një vizion më të qartë edhe përsa i takon projekteve IPA. Së shpejti, në fund të prillit, qeveria e Kosovës do të dorëzojë një plan afatshkurtër në kuadër të projekteve të IPA-s sesi mund të rrisim kapacitetet tona njerëzore përmes strukturimit”, tha nga ana tjetër Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër i Kosovës.

“E më pas Komisioneri Shtefan Fyle do ta diskutojë në Parlamentin Europian e mbi këtë bazë, nga Korriku do të kemi një pikpamje më të qartë se cila është shuma dhe kush janë prioritetet që do të zbatohen gjatë 2014 e në vijim”, vijoi Danielsson.

TCH: Drejtor, meqënëse për luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar e trafiqeve, Komisionit i duhet të raportojë sërish për Shqipërinë ndaj vendeve anëtare, si e vlerësoni bashkëpunimin deri tani për këto çështje mes Shqipërisë dhe Kosovës?

“Bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës nuk e përfshimë dhe aq në mënyrë të detajuar, ndaj nëse mund të shpreheni ju për këtë…”, u përgjigj Danielsson, duke iu drejtuar Kuçit.

“Kemi marrëdhënie shumë të mira me Shqipërinë por dhe me fqinjët e tjerë, përfshirë Malin e Zi e Maqedoninë dhe po rrisim kapacitetet tona bashkëpunuese për krimet ndërkufitare. Pra, për trafikun e qënieve njërëzore, të drogës e me radhë, por na nevojitet mbështetja e BE-së dhe institucioneve të ndryshme ndërkombtare”, saktësoi Kuçi.

Burime konfidenciale rrëfyen për TCH se Shqipëria është përmendur në këtë takim në kuadër të trafikut të drogës, kur autoritetet kosovare raportuan për bllokim të 50 kg drogë, një shifër kjo qesharake për zyrtarët e BE-së, në një kohë kur Shqipëria raporton se prodhon 900 ton dhe kjo sasi qarkullon në rajon, përfshirë Kosovën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA