GERON KAMBERI – Marrja e presidencës së radhës të BE-së nga ana e
Greqisë për 6-mujorin e parë të vitit 2014 (gjashtëmujorin e dytë
presidencën e merr Italia ), e rikthen atë në krye të saj pas një
periudhe më shumë se 10 –vjeçare kur e kryesoi atë për herë të fundit në
vitin 2003.
Presidenca greke e vitit 2003 ka ngelur në mendjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor si një “periudhë e artë” e politikës së zgjerimit kur Greqia arriti t’i jepte një shtysë të fortë asaj nëpërmjet të të ashtuquajturit Proces të Selanikut me të cilin e emërtua Samiti i Selanikut 21 Qershorit 2003 dhe Deklarata që pasoi këtë takim të rëndësishëm të vendeve anëtare të BE-së. Rëndësia e Deklaratës së Selanikut (2003) tashmë njihet gjerësisht, pasi për herë të parë u shqiptua në mënyrë të qartë e pa mëdyshje se perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të ishte anëtarësimi përfundimtar në BE. Ashtu siç është përcaktuar nga analistë e studiues të ndryshëm të çështjeve ballkanike dhe marrëdhënieve me BE, Samiti i Selanikut nuk ishte një “momentum” i rastësishëm, por vazhdimësi e një vëmendjeje të BE për rajonin, e zgjuar nga zhurma e konflikteve dhe pas konflikteve që kishin mbërthyer Ballkanin në atë periudhë. Në fakt, rrugëtimin deri në Samitin e Selanikut e ndoqi një sërë gurësh kilometrikë që ishin vendosur më parë dhe tashmë kanë hyrë në fjalorin e marrëdhënieve të BE me Ballkanin me emra të tillë si miratimi i qasjes rajonale të BE për Ballkanin (1997), Procesi i Stabilizim-Asocimit ( 1999) Procesi i Zagrebit(I,II, 2000, dialogu i institucionalizuar BE-Ballkan ( 2000). Të gjithë këta hapa ishin një lloj ndjese e BE- ndaj filozofisë NIMBY( Non in my back yard – nuk ka çfarë më duket se ç’ndodh në kopshtin e pasmë) që ajo kishte ndjekur për rajonin e Ballkanit Perëndimor deri në mesin e viteve ‘90. Por gjatë këtyre 11 viteve ka rrjedhur shumë ujë dhe gjërat nuk janë më si më parë. Vetë presidenca greke vjen në një periudhë të trazuar për vetë Greqinë dhe BE pavarësisht entuziazmit të kryekomisionierit Barroso dhe Kryeministrit grek, Samaras, gjatë prezantimit të Presidencës Greke në Athinë, teksa u munduan të mbajnë ndezur “pishtarin e një optimizmi olimpik”. Siç thoshte dikur ish–presidenti amerikan, Ruzvelt, në periudhën e krizës së viteve ‘30 “ajo që duhet të kemi frikë është vetë frika” dhe në këto kohë krize optimizmi që zbret nga nivele të tilla ndoshta nuk meriton asnjë ironi, qoftë edhe kalimtare. Megjithatë, kriza greke e ka dëmtuar rëndë imazhin e saj duke e paraqitur si një lojtar i lodhur të BE nëse marrim parasysh hovin e dikurshëm grek për tu’ projektuar si fuqi me ndikim rajonal, veçanërisht në rajonin e Ballkanit gjatë viteve 2000-2010, ku vlen të përmendet i ashtuquajturi Plani Simitis për Ballkanin që u shfaq me depërtimin e bankave e kompanive të telefonisë celulare greke në Shqipëri, Maqedoni, Bullgari, Serbi etj. Si për të rikujtuar të tjerët se Greqia ka ndërmend të rikthehet për të lënë gjurmë gjatë kësaj presidence zv.kryeministri grek, Venizellos, që është njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste Greke, është shprehur se Greqia saj synon të nxisë përcaktimin e një qasjeje të re europiane për të përballuar sfidat e krizat e sotme që kanë prekur Europën. Madje, për të shmangur paragjykimet që janë ngritur për pafuqinë e jugut të Europës, që është në qendër të krizës së eurozonës, ai synon një rigjallërim edhe të jugut politik të Europës duke pasur parasysh në krye të këtij procesi rolin e Francës si një fuqi kryesore e BE.
Gjithashtu, edhe nëse hedhim një vështrim mbi prioritetet e presidencës greke të BE për këtë 6–mujor vërejmë se ajo është e përqendruar në 4 shtyllat kryesore që sot shqetësojnë më së shumti BE të tilla si rritja, punësimi dhe kohezioni, integrimi i mëtejshëm i BE dhe eurozona, politikat e emigracionit dhe lëvizjes së punëtorëve dhe politikat detare. Ndërkohë që politika e zgjerimit nuk është përfshirë në mënyrë specifike në këto prioritete me gjithë angazhimin që kishte marrë në të ashtuquajturin program të përbashkët Presidenca e Trios (ku futen vendet anëtare si Irlanda, Lituania dhe Greqia që do të drejtonin me rotacion presidencën e BE nga janari 2013- korrik 2014) në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të Jashtëm në 11 dhjetor 2012, për ta cilësuar atë si fushë me rëndësi strategjike.
Por siç pohon për portalin informativ euroaktiv zv.ministri i Jashtëm grek, Dimitris Kourkoulas, zgjerimi do të jetë një prioritet kryesor për presidencën greke, por në vend të ngjarjeve apo takimeve të mëdha, Greqia do të nxisë e shtyjë çdo vend të ecë përpara në procesin e zgjerimit mbështetur në meritat (apo siç njihet tashmë qasja e zgjerimit të BE për vendet e Ballkanit Perëndimor me termin: parimi i regatës-gara varkave me vela se kush del i pari) apo të kostumit të rrobaqepësit (tailor made approach). Në fakt, një pohim i tillë duket sikur i zbeh shpresat për një ripërsëritje të Procesit të Selanikut, për të mos folur më pas për të ashtuquajturën Axhendën 2014 të ish-kryeministrit grek, Papandreu, e cila mbeti një ëndërr e bukur për një anëtarësim në bllok të vendeve të Ballkanit, në prag të përkujtimit të Luftës I Botërore që filloi në këtë rajon. Fatkeqësisht, ajo u varros së bashku me shpresat e Papandreut për ta nxjerrë Greqinë nga kriza ekonomike.
Qasja individuale në bazë të meritës për çdo vend të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe mospërcaktimi i një kufiri kohor anëtarësimi për këto vende, siç ndodhi me valën e zgjerimit të vendeve të Europës Qendrore e Lindore, tashmë ka bërë të mundur realizimin e plotë të koncepteve të shpejtësive të ndryshmeve apo të gjeometrisë të lëvizshme brenda procesit të zgjerimit në rajon. Në të dallohen më shumë sesa dy shpejtësi me të cilën vendet e Ballkanit po lëvizin drejt procesit të anëtarësimit në BE. Nga grupi fillestar prej 7 vendesh ( Kroaci, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë-Hercegovinë, Serbi, Mal i Zi, Maqedoni) + Turqinë, tashmë është shkëputur Kroacia me anëtarësimin e saj në 1 korrik 2013, ndërsa vendet e tjera janë ndarë sipas shpejtësive të ndryshme në korsitë e zgjerimit në bazë të marrëdhënieve që janë me BE. Serbia e Mali i Zi(1), Bosnja dhe Kosova(2), Maqedonia(3) , Shqipëria(4) po lëvizin në bazë të “fuqisë motorike të makinës së tyre të zgjerimit apo edhe shenjave rrugore për ndalim të përkohshëm (siç është rasti i Maqedonisë për shkak të vetos greke)
Ajo që i zbeh deri diku shpresat është se vetë Greqia për arsye të problemeve që ka me Maqedoninë, mosnjohjen e Kosovës apo përdorimin e tërthortë Qipros greke për të “bllokuar” avancimin e Turqisë në BE,(përkundër dialogut që ka hapur me Turqinë gjatë periudhës Papandreu në mes të viteve 2000) nuk pritet të zhvendosë disa prej këtyre vendeve në korsinë e shpejtësisë e integrimit. Nëse bëhet fjalë për shanse nga grupi i vendeve që kanë ngecur në këtë proces Shqipëria si fqinji verior i Greqisë pritet të ketë pritshmëritë më të mëdha. Pavarësisht gurëve që kanë rrëshqitur në rrugën e bashkëpunimit mes dy vendeve nga “mali i marrëdhënieve të tyre” (çështja e detit, varrezave të ushtarëve grekë, toponimeve), që ndonjëherë nuk bëjnë të mundur lëvizje të shpejta dypalëshe, Greqia ka deklaruar publikisht se nuk pritet të vendosë ndonjërën prej tyre nën “rrotat e makinës” së procesit të integrimit shqiptar drejt BE. Në këtë kuadër, vizita e pritshme e ministrit të Jashtëm Shqiptar z. Bushati gjatë muajit të ardhshëm në Athinë mund të jetë një shans për t’i rikujtuar Greqisë se ka mundësinë të shënojë një rast suksesi me Shqipërinë brenda politikës së zgjerimit. Ndoshta nxitja e këtij procesi nga ana e Greqisë për një vend të rajonit mund të bëjë të harrohet disi “patatja e nxehtë” maqedonase që Greqia ka kohë që e mban në “furrën e vetos”. Megjithëse në rastin e Shqipërisë presidenca greke nuk mund të zëvendësojë “diplomacinë lëvizëse” aktive që duhet të ushtrojë vetë Shqipëria për të bindur grupin e “të pavendosurve” ( Gjermani, Francë, Danimarkë, Holandë, Angli). Ashtu sikurse të gjithë këto hapa nuk mund ta përjashtojnë efektin e ndonjë shtyrjeje të mundshme të vendimeve mbi statusin e vendit kandidat për Shqipërinë që ka gjasa të prodhojnë zgjedhjet e radhës për Parlamentit dhe Komisionin Europian gjatë presidencës greke.
Nga kjo tërësi rrethanash në pamje të parë duket se presidenca greke do të prodhojë më shumë inerci për procesin e zgjerimit sesa ndonjë zhvillim spektakoklar. Nga ana tjetër, braktisja në njëfarë mënyre e vetë modelit të procesit të Zagrebit apo Selanikut me Samite adhoc për Ballkanin, duket sikur i ka kthyer vendet e rajonit drejt një “paqeje të ftohtë” mes tyre pa arritur t’i entuziazmojë të gjithë në të njëjtin nivel. Tashmë procesi i zgjerimit në Ballkan i mbështetur në qasjen “secili sipas meritave:” ka prodhuar një copëzim mes vendeve të rajonit në raport me ecurinë e marrëdhënieve të tyre me BE apo nëse do të përdornim një term të njohur njëfarë “ballkanizimi të procesit të zgjerimit”. Kjo mënyrë nuk e shtyn më as vetë BE-në të nxisë iniciativa të tjera në nivel rajonal pasi secili vend tashmë po sheh vetë sesi ta rrisë shpejtësinë që i kërkohet. Edhe fondi i BE IPA që është instrumenti kryesor financiar për politikën e zgjerimit në Ballkan (IPA 2014-2020) ka një rënie të ndihmës me 1 miliardë euro. Përkundër propozimit të Komisionit Europian që ky fond të ishte 14 miliardë euro për këtë periudhë (ndërkohë që Kroacia prej 1 korrikut 2013 nuk përfton më prej tij, por prej fondeve strukturore e të kohezionit si vend anëtar), nga afro 11 miliardë euro që ishte gjatë kuadrit financiar 2007-2013 ,vendimi përfundimtar i Këshillit të Ministrave të BE-së e zbriti këtë shumë e 10 miliardëve euro për vitet 2014-2020.
Përtej të gjithë këtyre fakteve ku BE duket se është lodhur nga zgjerimi dhe kërkon të ulë shpejtësinë e këtij procesi në raport me rajonin, presidenca e Greqisë të paktën ka shansin që të bindë europesimistët në Ballkan se lodhja nga Ballkani apo nga vende të veçanta brenda tij nuk ka rrezik të kthehet në një sindromë të përhershme. Ndërkohë, Shqipëria ka për detyrë të bindë euroskeptikët në BE se nuk lodhet nga “inercia” që shoqëron zërat e tyre kur përsërisin kushtet që ajo duhet të përmbushë.
Top Channel