Ministrja kosovare për Integrimin Europian, Vlora Çitaku raportoi mbi ecurinë e reformave në kuadër të dialogut për liberalizimin e vizave në një debat të organizuar nga Qëndra e Politikave Europiane në Bruksel, ku ishin të pranishëm dhe përfaqësues të vendeve anëtare të BE-së.

Udhërrëfyesi për Kosovën numëron 101 kritere dhe sipas ministres i takon tashmë Komisionit të përgjigjet pasi Kosova ka përmbushur pjesën e saj të detyrimeve në fushat e sigurisë së dokumenteve, rendit publik, kontrollit kufitar, luftës ndaj korrupsionit, krimit të organizuar e trafiqeve, kjo falë dhe bashkëpunimit me Shqipërinë, Maqedoninë e vendet e tjera të rajonit që përfituan më herët liberalizimin e vizave.

“BE dhe vizat janë mjeti më i fortë për reformat dhe po na ndihmon neve për t’i dhënë formë vendit. Ndaj dhe numrin e kritereve nuk e marrim personale, e dimë që s’është kundër nesh, e që ka të bëjë me mënyrën se si shkon procesi, falë mësimeve të nxjerra në të kaluarën. Ne thjesht duam një Komision që të jetë më reagues. Duam më shumë shkëmbime e ndërveprime”, deklaroi Çitaku.

E pyetur se kur mund të hiqen vizat për kosovarët, ministrja Çitaku u shpreh se për këtë vendos Brukseli, duke përmendur faktin se 5 shtete anëtare nuk e njohin ende pavarësinë. Sipas saj, ky grup shtetesh nuk është homogjen, pasi disa prej tyre janë më fleksibël për liberalizimin e vizave, e disa të tjerë për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.

Ajo argumentoi se bashkëpunimi rajonal dështon për shkak se Serbia, megjithëse pranon të ulet në Bruksel, në anën tjetër nis letra për të bllokuar pjesëmarrjen e Prishtinës në forumet rajonale.

“Unë nuk pres që Bashkimi Europian të përsërisë gabimet e së kaluarës. Kosova e Serbia, por dhe vendet e tjera të Ballkanit, do duhet të trajtojnë të gjitha çështjet e mbetura përpara se t’i bashkohen BE-së. Kështu që nuk pres që BE të lejojë anëtarësimin e Serbisë, pa qartësuar e normalizuar plotësisht mardhëniet me Kosovën”, nënvizoi Çitaku.

Për 1.7 milionë banorët e Kosovës, regjimi i vizave Schengen u vendos në qershor 2013. Sipas ministres, 1/3 e popullësisë ka emigruar e janë azilantë apo taksapagues në vendet e BE-së. Ndërkohë, numri i azilkërkuesve nga Kosova përbën shqetësim për disa shtete anëtare.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA