Korrupsioni pengon drejtësinë

16/01/2014 00:00

“Niveli i lartë i korrupsionit në gjyqësor pengon seriozisht
funksionimin e duhur të sistemit të drejtësisë dhe minon besimin e
publikut tek drejtësia dhe sundimi ligjit në Shqipëri”.

Ky është konkluzioni i një raporti prej 25 faqesh hartuar prej komisionerit për të Drejtat e Njeriut në Këshillit të Evropës Nils Muiznieks.

“Autoritetet duhet të shtojnë përpjekjet e tyre për t’u siguruar që të gjitha rastet e korrupsionit në gjyqësor të hetohen në mënyrë efektive dhe të ndiqen penalisht”, thuhet në konkluzionet e raportit.

Strategjia kombëtare dhe plani i veprimit në lidhje me reformënpër të forcuar gjyqësorin në Shqipëri janë masa inkurajuese thekson komisioneri  por ka nevojë për veprime më të vendosura, duke përfshirë më shumë transparencënë emërimin dhe vlerësimin e gjyqtarëve edhe procedura të bazuara në meritë.

“Nese sistemi i drejtësisë nuk funksionon në menyrë eficente dhe të lirë atëherë vendi ka një problem madhor, pasi të drejtat e njeriut nuk mund të adresohen si duhet. Jam i kënaqur nga inisiativat e ndërmarra nga Qeveria me fokus adoptimin e legjislacionit përmes programeve të posaçme për të luftuar korrupsionin, përfshi gadishmërinë për të bashkëpunuar me Këshillin e Europës, Komisionin e Venecias për të reformuar legjislacionin në drejtësi. Dua të vlerësoj gadishmërinë dhe vulnetin e ministrit të Brendshëm zotit Saimir Tahiri për të luftuar korrupsionin në radhët e Policisë së Shtetit.Dëshirioj shumë që të tilla përpjekje të vijojnë pasi është mëse e qartë që ka shumë punë për të bërë”, u shpreh komisioneri.

Komisioneri kërkon forcimin e pavarësisë së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, e cila siguron integritetin e gjyqësorit shqiptar.

“Anëtarët e këtij Këshilli duhet të votohen me shumicë të cilësuar në Parlament dhe duhet të ushtrojnë një ndikim më vendimtar në emërimin, promovimin dhe procedimin disiplinor të gjyqtarëve, duke përfshirë edhe ata të Gjykatës së Lartë”.
 
Komisioneri ka ftuar autoritetet që të ndërmarrin masat e duhura legjislative, të cilat do të mundësonin votimin dhe miratimin me shumicë të cilësuar në Parlament të Prokurorit të Përgjithshëm, të emëruar nga Presidenti i Republikës.

Sakaq në raport përfshihet edhe 21 Janari. “Problemi i kahershëm i keqtrajtimit dhe i pandëshkueshmërisë për shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut të kryera nga oficerët e zbatimit të ligjit, duke përfshirë ato që lidhen me ngjarjet e dhunshme të 21 janarit 2011 në Tiranë, vazhdojnë të jetë një shqetësim serioz”.
 
Komisioneri i të Drejtave të Njeriut kërkon që aktet e raportuara të paligjshme të kryera nga ana e zyrtarëve të Gardës gjatë dhe pas ngjarjet e 21 janarit 2011, të hetohen urgjentisht me qëllim nxjerrjen e përgjegjësve para drejtësisë. Komisioneri thekson se roli i Ministrit të Drejtësisë në procedimet disiplinore ndaj gjyqtarëve ngre shqetësime serioze që kanë të bëjnë me ndërhyrjen ose me atë, që duket si ndërhyrje e ekzekutivit në pavarësinë e gjyqësorit. Autoritetet inkurajohen të marrin masat e nevojshme për të siguruar që Ministri i Drejtësisë të mos jetë më i përfshirë në vendime që lidhen me masat disiplinore ndaj gjyqtarëve. Gjithashtu theksohet edhe tejzgjatja e perfundimit te proceseve gjyqesore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA