Bilancet e rendit, Tahiri në Top Story

16/01/2014 00:00

Në emisionin e fundit të “Top-Story” për 2013-n, një nga pyetjet që iu drejtua kryeministrit Rama ishte se përse ky kabinet nuk i shpëtoi një sindrome të qeverive të vjetra, ku shpesh ministri më i debatuar, më i goditur dhe më mediatiku ka qenë ai i Brendshmi.

Zoti Rama e justifikoi këtë me shikueshmërinë publike që ka Policia e Shtetit në punën e saj të përditshme, në një punë që duket që nga sanksionet e rëndomta të shkelësve rrugorë dhe deri tek disa operacione madhore të këtyre muajve, si ai I prishjeve të një sërë ndërtimesh pa leje, i mbylljes së pikave të paligjshme të basteve dhe një varg arrestimesh që janë realizuar nën drejtimin e qeverisë Rama.

Pikërisht, për të folur për aksionet dhe reformimin e Policisë së Shtetit, në studion e “Top-Story”, mbërriti ministri i Brendshëm, zoti Saimir Tahiri.

Për të asistuar në studion e tij Sokol Ballën, në studio mbërritën edhe disa gazetarë të mirënjohur, si Robert Rakipllari, kryeredaktor I “Panoramës”, Alfred Lela, kryeredaktor I revistës “MAPO” dhe Aleksandër Çipën, një prej opinionistëve dhe editorialistëve më të njohur në vend.

Puna e Policisë së Shtetit

Debati në studio nisi me një vlerësim të përgjithshëm për Policinë e Shtetit dhe për përceptimin e përhapur në opinion publik se jemi duke përjetuar një fushatë gjobvëniesh nga Policia Rrugore. “Në analizë të fundit, mendoj se ky debat I shërben sensibilizimit publik që duhet të kemi me respektimin e ligjit dhe rregullave të qarkullimit rrugor. Bëhet fjalë për një debat që shkon kryesisht në shqetësim të atyre që kanë një makinë, por që kur shkelin ligjin shkelin të drejtën e të gjithëve kanë ose jo një makinë”, vlerësoi zoti Tahiri.

“Kemi trashëguar një model të degraduar të policisë për të imponuar respektimin e ligjit nga qytetarët. Shumë nga ne kanë parë raste pa fund ku njerëz ndiheshin të pandalueshëm nga Policia e Shtetit dhe edhe kur gjobiteshin as që e paguanin, për të mos folur për raste më banale kur detyronin punonjësin të paguante gjobën në emrin e tij. Në radhë të parë kemi trashëguar një model të deformuar të shkeljes masive të qarkullimit rrugor. Policia e Shtetit sot, veçanërisht Policia Rrugore po bën atë që duhet të kishte bërë gjithmonë, të bëjë të mundur respektimin e qarkullimit dhe kjo shkon në benefit të qytetarëve. Unë e di që nuk I pëlqen njeriu të sanksionohet, por ne jemi të vendosur që të vazhdojmë siç e kemi nisur”.

Intensiteti I gjobave të vendosura nga Policia Rrugore

Pikërisht, ky intensitet I gjobave të vendosura nga Policia Rrugore, u vendos në qendër të pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në studio, që pyetën ministrin nëse mund të thuhet se kemi me të vërtetë një “fushatë gjobvënies”. “Kjo është për shkak të interesimit të gazetarëve që pyesin se sa gjoba ka vendosur Policia e Shtetit. Pse nuk jemi përballë një fushate? Ne sot vendosim më pak gjoba se një vit më parë. Linja që është rritur (i referohet një grafiku të pasqyruar në studio) në mënyrë të dukshme janë gjobat e  paguara. Ajo që kemi bërë është të detyrojmë drejtuesit të paguajnë ato gjoba që I kanë marrë edhe shumë më parë se sa të vinte kjo qeveri në krye të detyrës. Kjo masë administrative, që mund të ankimohet në polici apo Gjykatën Administrative, është vetëm një segment I punës që bën policia për të garantuar sigurinë në lëvizje. Kjo që quani ju fushatë është një qasje e ndryshme e policisë ndaj sigurisë rrugore dhe publike ka sjellë rezultatet e veta. Nga 16 Shtatori në 13 Janar, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka 14% aksidente me vdekje më pak, pra janë diku te 30 jetë të kursyera”.

“Unë e vlerësoj që shpesh herë ka humor ndaj policisë dhe kjo ndodh gjithkund, por me ministrin e kaluar as barcaletat nuk bënin të qeshje se ishin gati të vërteta”, shtoi Tahiri. “Nëse me të vërtetë ka një përceptim për rritjen abuzive të vendosjes së gjobave, nuk besoj që qytetarët arrijnë ta shfrytëzojnë sistemin për garantimin e të drejtave të tyre. Në polici, në këto kohë ka vetëm shtatë ankesa, në vetëm 60 mijë gjoba të vendosura. Një numër I tillë ankesash, nuk është në një masë e atillë sa të bën të mendosh se ka një abuzim masiv. Sigurisht, e thashë që puna nuk është perfekte, për shkak të trashëgimisë, por edhe të kohës që kërkon përpjekja jonë për të reformuar sistemin, por gjatë kohës që e reformojmë, s’mund të lëmë pa imponuar zbatimin e ligjit nga qytetarët”, shtoi zoti Tahiri.

Përceptimi publik ndaj kundravajtjeve administrative

Në marrjen e fjalës, zoti Lela vuri në dukje se pavarësisht shikueshmërisë më të madhe të policisë në rrugët shqiptare, ka një përceptim që gjërat nuk kanë ndryshuar, ndërsa shkeljet vazhdojnë të ndodhin ashtu si më parë. Kryeredaktori I revistës “MAPO” solli në debat një shkelje të cilën ai vetë kishte dëshmuar pak ditë më parë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në Tiranë. “Përshtypja juaj dhe e kujtdo mund të jetë një qasje e përjetshme që nuk e luftoj dot. Mua më intereson se si ndihen qytetarët. Siguria nuk është vetëm çështje e policisë, por është e përbashkët. Edhe mua më ndodh të dal në rrugë dhe të shoh që ka shkelje. Nëse e bëni detyrën tuaj si qytetar dhe sinjalizoni për atë makinë, atëherë mund të më thonit përballë që ka të pandërshkueshëm, pasi ne s’mund të kemi një punonjës policie në çdo kryqëzim. Megjithatë, në kaq pak kohë, policia e ka treguar që nuk njeh të pandëshkueshëm, duke filluar nga ministrat, nga deputetët, nga përfaqësues të ekzekutivit, me të gjithë njerëzit që deri dje mund të rivendikonin çdo lloj imuniteti, e që deri dje as guxonte punonjësi i policisë t’i dilte parë. Unë përceptoj që sot policia është në krye të detyrës. Fakti që vdekjet në rrugë janë shumë më pak, në kaq pak kohë do të thotë që ka përmirësim, por ju s’mund të më thoni që fajin e ka vetëm policia, pasi këtu hyn edhe edukata, tradita kolektive, kultura e drejtë e drejtuesve të automjetit, detyra qytetare… Nëse ju keni parë një shkelës dhe se keni njoftuar, nuk jeni qytetar I mirë”, replikoi Tahiri.

Akuzat për fshehje të ngjarjeve kriminale nga media

Partia Demokratike, si forca më e madhe në opozitë, ka akuzuar në mënyrë të përsëritur qeverinë Rama për fshehje të ngjarjeve kriminale nga ana e institucioneve, për të krijuar një përceptim të sigurisë në vend. “Do ta nis duke thënë që do të bija dakord që do të ishte e rëndë nëse institucionet do të fshihnin të dhëna, por në rastin kur Ministria e Brendshme fsheh të dhëna do të ishte edhe më e rëndë. Ju garantoj se s’ka asnjë rast të vetëm që policia të ketë fshehur të dhëna, madje është praktikisht e pamundur. Çdo ngjarje, qoftë edhe me denoncimin e qytetarit, merr një numër sistemi dhe ky quhet numri unik I çështjes që e ndjek në polici, prokurori, gjykata dhe në çdo ankimim që bën qytetari. Rasti në fjalë është praktikisht I pafsheshëm, pasi policia jo vetëm e ka shpallur dhe e ka në komunikatë, por e ka çuar në prokurori se ka evidentuar autorët, pasi autorët nuk janë kapur, por identifikuar. Si mund të ndodhë të fshihet një plagosje apo vrasje me armë? Zotëria ka thënë që në atë periudhë të caktuar, në nëntor, nuk janë shtatë vrasje, por janë dhjetë. Ne bëmë verifikimin e kësaj akuze dhe ajo që vëretova ishte se shtetasi E.L. që akuzonte zotëria (zoti Ristani) se ishte vrarë në 12 Nëntor, në fakt është vrarë në 17 Janar dhe në 12 Nëntor policia ka kapur vrasësin. Ne kemi kapur vrasësin në Nëntor, ky zotëria ishte vrarë në janar, kur zoti Ristani ishte zëvendësministër I brendshëm. Shtetasi N.J., 66 vjeç, rasti I denoncuar nga PD u gjet I vdekur në banesë dhe me raport të mjekut është vdekje natyrale dhe nuk është vrasje. Kjo s’ka se si të hyjë në komunikatë. Rasti tjetër I vërtetuar nga kartela mjekësore I shtetasit 89-vjec, në Sarandë, që u gjet I vdekur në banesë flitet gjithashtu për vdekje natyrale.  Ky zotëria del dhe sakrifikon fytyrën dhe moralin, duke bërë këto akuza të tilla”, iu përgjigj ministri I Brendshëm këtyre akuzave.

Transparenca e Policisë

Në vlerësimin e zotit Rakipllari, transparenca e Policisë së Shtetit ka ardhur duke u dëmtuar, si pasojë e vendimit të Ministrisë për të kanalizuar të gjithë informacionin nëpërmjet saj, e duke penguar  policinë që ta shpërndajë informacionin si më parë. “Ju do të donit të merrnit këdo në telefon, ju do të donit të ishte komunikimi pa pikë etike dhe garanci për vërtetësinë. Po më detyroni të përsëris, ju do të donit që gazetari juaj të merrte çdo punonjës dhe të shkuante në gazetë çtë donte, qoftë duke cënuar sigurinë e hetimit. Ju jeni të interesuar të shitet gazeta, unë të garantohet hetimi. Si e garanton transparencën ti? Para ca ditësh, po bëheshim gati të nisnim një aksion për armëmbajtje pa leje në Tiranë dhe 30 minuta përpara se të niste aksioni, ca gazetarë nxorrën në titra që do të fillojë pas 30 minutash aksioni për kapjen e qyterarëve që kanë armë pa leje dhe mendoni që ka mbetur njeri nëTiranë që s’ka thënë hiqe armën? Ky është cënim I sigurisë publike dhe megjithatë, informacioni nuk është centralizuar, por kanalizuar sipas procedurës që kërkon ligji dhe rregullat, pasi në asnjë vend të botës nuk ndodh të marrësh në telefon një polic e ta pyesësh: “Hë mo, çbëhet”. Nuk ka një vend të botës ku edhe një sherr me grushta që ndodh diku në Tiranë, të pasqyrohet gjerësisht në media. Kjo që ndodh është skandaloze nga pikëpamja e sigurisë publike”, u përgjigj ministri Tahiri.

Kriminaliteti

Pjesa e dytë nisi me gazetarin Aleksandër Çipa që citoi një raport të Prokurorit të Përgjithshëm që vlerësonte se në Shqipëri nuk ka krim të organizuar. Pyetja e ngritur nga zoti Çipa: Është prezent krimi i organizuar në Shqipëri dhe cilat janë dimensionet e tij? Cila është strategjia? Ndërsa nga Facebook gazetari Artan Hoxha pyeti se “kur Ministria e Brendshme do merrej me peshqit e mëdhenj”, duke përmendur këtu cështje të ndjeshme si Gërdecin, 21 janarin etj. Një tjetër pyetje e ngritur ishte edhe hetimi ngjarjes së Olldashit?

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri e nisi me ngjarjen e Olldashit: “Ka një hetim të prokurorisë lidhur me aksidentin e zotit Olldashi. Është një hetim që nuk ka mbaruar. Veprimet që ishin duke u bërë nga Policia e Shtetit së bashku me Prokurorinë e Rrethit u bënë dhe unë besoj që ky hetim duhet të mbarojë shpejt për t’u zbardhur më pas për publikun dhe për të shuar çdo tymnajë të ngritur në media dhe publik. Në bindjen time është absolutisht”.

Në analogji të një konstatim të bërë nga Kryeministri Rama, që në një intervistë televizive përmendi luftën kundër bandave të armatosura të qeverisë së djathtë në 2005, Ministri Tahiri tha: Sa i takon konstatimit që qeveria e mëparëshme luftoi bandat, ka qenë një sukses dhe hetimet që nisën dhanë rezultat në 2008. Nuk mund të thuash që brenda 100 pak ditëve të bësh hetime të tilla. Mund të them që krimi është ulur, numri i vrasjeve është ulur me 46 përqind nga 16 shtatori i vitit të mëparëshëm, krimet e rënda janë ulur me 12 përqind, personat në kërkim të kapur 8 përqind, droga 49 përqind më shuma, trafiku po ashtu.

Të enjten Kavaja u trondit nga ekzekutimi i një të dënuari me 25 vite burgim si autor i një vrasjeje të pesëfishtë në 1997. Pyetja që lindi pas ngjarjes ishte se si një person me një karrierë të pasur kriminale merr leje nga një burg i sigurisë së lartë? “Autori i vrasjes së sotme ka vrarë 5 persona dhe ka qenë një person me një karrierë të pasur kriminale që ka marrë një leje shpërblyese. Mbetet të reformohet sistemi që në raste të tilla, kur persona të tillë marrin leje, të njoftohet policia”, tha ministri Tahiri.

Sa për perceptimin për rendin publik Ministri shtoi: “Nuk ka ndyrshuar për një pjesë të vogël njerëzish dhe as ka për të ndryshuar për ta. Por ajo që dihet është se ka ndryshuar shumë situata e rëndit, qasja e policisë për luftën kundër krimit të organizuar, krimit në tërësi dhe korrupsionit”.

Kryeredaktori i gazetës “Panorama” Robert Rakipllari solli në kujtesë të ministri dy ngjarje që sipas tij janë të rëndë, grabitjet e ndodhura në qendër të Durrësit dhe në qendrën tregtare në Tiranë.

Për ministrin Tahiri: “Ngjarja në qendrën tregtare është e ndjeshme dhe ata që e kanë marrë përsipër kanë patur një kurajo goxha të madhe dhe të përgatitur. Mendoj që në rastin e qendrës tregtare nuk kanë funksionuar një seri hallkash, që nga qytetarët që më parë filmonin ngjarjen dhe jo të telefononin policinë”.

Ministri Tahiri mbrojti aksionin e policisë në Kënetë të Durrësit, ku mbeti i vrarë një i shumëkërkuar pas shkëmbimit të zjarrit me uniformat blu: “Them bravo dhe do vazhdoj të them bravo sepse ka ikur koha kur vriteshin punonjësit e policisë. Sot nëse qëllon kundër policisë do presësh kusurin mbrapsht”, tha ai.

Lazarati

Lidhur me cështjen e Lazaratit, ministri përsëriti qëndrimin e theksuar edhe gjatë 101-vjetorit të Policisë së Shtetit në Gjirokastër, që Lazarati është një problem kompleks dhe nuk mund të zgjidhet vetëm nga policia: “Është shqetësim publik. Ne e njohim si të tillë, por edhe në këtë rast bëjmë gabimin që bëjmë në më të shumtën ku akuzojmë policinë për gjëra që nuk mund t’i marrë përsipër Policia e shtetit. Lazarati nuk zgjidhet vetëm me policinë. Nuk bëhet fjalë për një fshat kolektivisht kriminel, bëhet fjalë për një fshat që për shkak të pozicionit gjeografik, traditës dhe harresës ka një mbjellje të drogës goxha të zgjeruar. Vitin e kaluar pati një mbjellje masive. Ne kemi ngritur një task force me Prokurorinë e Përgjithshme dhe me Shërbimin Informativ Shtetëror për këtë”.

Reformimi i policisë

Ministri ceku edhe reformën në polici dhe iu përgjigj akuzave të opozitës për shkarkime masive aty dhe emërime të personave të papërshtatshëm: “Numri i të shkarkuarve që kur kam marrë detyrën është fare minimal. Është aq sa kemi menduar që shëndosh punën e Policisë së Shtetit. Por sot Policinë e Shtetit e trashëgojmë me 1 punonjës me 400-500 banorë, ndërkohë që rendi në rajon është një punonjës për 200-250 banorë. Sot 70-80 përqind e punonjësve të Policisë së Shtetit janë pa arsimin e lartë, infrastruktura dhe teknologjia duhet përmirësuar, janë të nënpaguar në mënyrë skandaloze. Bëmë atë që nuk është bërë në 23 vjet, duke u rritur pagën. Detyra jonë është të cojmë Policinë e Shtetit në hapin e kohës, nga teknologjia, arsimimi dhe përhapja në territor sipas popullsisë së Shqipërisë.

Fundi i marrëzisë, dështim apo sukses?

Për ministrin Tahiri operacioni i bujshëm kundër lojërave të fatit, “Fund Marrëzisë ishte: “një sukes i madh, ku 6 mijë policë u angazhuan në një operacion masiv. Këtu abuzohet sepse ne kemi mbyllur lojërat e paligjshme të fatit, jo të lojërat e fatit të ligjshme. Ajo që sot shohin qytetarët janë të ligjshme që paguajnë taksat në shtet”.

Sistemi gjyqësor dhe ‘peshqit e mëdhenj’

Tahiri u pyet edhe për sistemin gjyqësor dhe nivelet e korrupsionit tek ai. “E siguritë është që duhet bashkërendim mes policisë, prokurorisë dhe gjykatës për të patur rezultate konkrete. Është kthyer në fobi kolektive mospasja e zyrtarëve të lartë të dënuar për korrupsion dhe unë besoj që i kemi të gjithë mundësitë pavarësisht se kërkon kohë hetimi. Në Gjirokastër nuk jam marrë as me kryetarin e Bashkisë së Kamzës, as me punonjësin e policisë. Pavarësisht se më duhet ta përsëris atë që thashë, e para për të inkurajuar punonjësit e policisë për të vazhduar luftën kundër korrupsionit, vecanërisht ndaj atyre që deri dje quheshin të paprekshëm, që të mos lejojmë që segmente të sëmura në sistemin gjyqësor të pështyjnë mbrapsht punën  e policisë. Unë refuzoj sulmin politik ndaj gjyqësorit. Lufta kundër korrupsionit është element kyç. Ka hetime kundër zyrtarëve të lartë, të mesëm ka më shumë dhe shpresoj që do t’i cojmë përpara”.

Në fund të fjalës së tij, Ministri u ndal tek cështje të mëdha të gjykuara njëherë apo në proces gjykimi si Gërdeci, 21 Janari etj. “Kërkohet punë për rinisjen e hetimeve për 21 janarin dhe brenda Policisë së Shtetit jemi duke riparë praktikën, por i takon prokurorisë më shumë rihapja e hetimeve. Personalisht së bashku me kolegët dhe qeveria, Kryeministri kemi vullnet të plotë për rihapjen e hetimeve si edhe për Gërdecin, janë cështje dramatike të stërmëdha që duhen zbardhur”.

Top Channel