Një EULEX për drejtësinë në Shqipëri?

15/01/2014 00:00

Andrea Stefani – Zhvillimet më të fundit po tregojnë se krijimi i një
pushteti të pavarur drejtësie, aq themelor për shtetin ligjor dhe
demokracinë, do të mbetet edhe për shumë kohë një nga sfidat e
europianizimit të Shqipërisë.

As e kaluara e largët orientale, as ajo e afërt komuniste dhe as një tranzicion postkomunist me kapriçio këmbëngulëse autokratike, nuk e kanë mbështetur krijimin e një pushteti të tretë të lirë dhe të dedikuar për të kufizuar abuzivizmin dhe korrupsionin e pushteteve të tjera në shtet. Dhe shihet qartë se një nga pengesat më të mëdha që po has qeveria “Rama” në objektivin e saj për luftën kundër korrupsionit, është ekzistenca e segmenteve të gjera të prokurorisë dhe gjykatave që jo vetëm nuk ndajnë të njëjtin vullnet me qeverinë, por janë kundër tij. Shkurt nuk duan ta luftojnë korrupsionin. Atëherë si i bëhet? Peshimi i të gjithë faktorëve në lojë na bën të jemi skeptikë në shpresën se Shqipëria mund ta kurorëzojë me sukses luftën kundër korrupsionit bazuar vetëm në forcat e veta. Mos na duhet një mision ndërkombëtar një, si të thuash, EULEX për drejtësinë shqiptare?

Tradita

Tradita parakomuniste në Shqipëri nuk e ka favorizuar asnjëherë themelimin e një sistemi, ku jo qeveria por drejtësia të ishte në rolin e një arbitri të paanshëm dhe të padiskutueshëm. Në Perandorinë Osmane as mund të bëhej fjalë për një drejtësi të shkëputur nga pushteti i sulltanit. Por edhe pas shkëputjes nga Perandoria Osmane e deri në fund të shekullit XX, të gjitha regjimet politike në Shqipëri u shfaqën pengues ndaj instalimit (edhe kur e pranonin me fjalë) të një pushteti të pavarur drejtësie. Edhe pse në Kanunin e shtetit të parë shqiptar shpallej ndarja e gjykatave nga administrata dhe që qeveria nuk mund të ndërhynte në punët e drejtësisë, pavarësia e gjyqësorit nuk ka qenë kurrë në qendër të debatit politik. Kuptohet se formulimet kushtetuese mbi gjyqësorin e pavarur, ishin vetëm garniturë verbal-oksidentale e një politike që drejtësinë vazhdonte ta mendonte fshehtazi (dhe kështu vazhdon edhe sot e kësaj dite) si atribut të pandarë të pushtetit politik. Vetëm më vonë, në shkrimet e ndonjë politikani si Mehdi Frashëri, gjen ndonjë trajtesë interesante për pavarësinë e gjyqësorit, si dhe të pengesave për realizimin e tij. Sistemi komunist vazhdoi në këtë traditë, sepse diktatura s’mund të ndërtohej e jetëgjatësohej me një drejtësi jashtë vullnetit të partisë dhe liderit në pushtet.

***

Me rënien e komunizmit u shpresua se erdhi koha për drejtësi të pavarur që do t’i vendoste të gjithë barabar para ligjit. Por deri më sot është provuar se drejtësia e pavarur nuk do të bëhet kurrë nëse për realizimin e saj nuk janë, të paktën, të dedikuara: a) klasa politike dhe b) juristët.

Klasa politike

As mund të pritej që në vitet e para të tranzicionit socialistët, të saposhkëputur mekanikisht nga Partia e Punës, të ishin katalizatorë për drejtësinë e pavarur. As qeverisjet e derisotme socialiste nuk kanë shfaqur ndonjë dedikim ndaj këtij objektivi. Një detyrë të tillë nuk e kreu as klasa e re politike “demokrate” e udhëhequr nga Sali Berisha. Madje ky i fundit, bëri atë që mund të bëjë vetëm një komunist “antikomunist”: U investua me të gjitha energjitë jo në krijimin e një drejtësie të pavarur, por një drejtësie të kapur nga pushteti i tij. Dhe nuk ka reshtur së punuari për mbi 23 vjet për një gjë të tillë, si kur është ndodhur në pushtet ashtu dhe kur ka qenë në opozitë. Edhe kriza e sotme e drejtësisë dhe ngecja e luftës kundër korrupsionit, ka në rrënjë të saj pikërisht këtë kapje që i ka bërë pushteti i djeshëm i Berishës pushtetit të drejtësisë. Sepse një pushtet i keq mund të bjerë, por plagët që ai ka shkaktuar nuk kurohen kollaj. Sot, pushteti politik është ndërruar, por metastazat e kapjes prej tij të pushtetit të drejtësisë mbetën. Edhe në opozitë Berisha vazhdon të mbajë nën kontroll atë që e quante “qeveria e gjyqësorit”, Këshillin e Lartë të Drejtësisë, duke pasur në të jo vetëm juristë besnikë, por edhe vetë kryetarin e këtij institucioni, Presidentin Nishani. Dhe për shkak të nevojës që ka për të mbrojtur korrupsionin e djeshëm të klanit të tij nga drejtësia, nuk mund të shpresohet kurrë që Berisha dhe partia e tij t’i bashkohen vullnetit të qeverisë “Rama” për të kontribuar në luftën kundër korrupsionit. Edhe nëse ky vullnet i qeverisë do të rezultojë i sinqertë, pra për të luftuar korrupsionin pa dallime partiake, Berisha dhe PD-ja do të përpiqen ta sabotojnë (sikundër bëri së fundi Basha në rastin Mziu), duke e politizuar çështjen me alarme për “gjueti shtrigash”.

Mungesa e juristëve të dedikuar dhe nevoja për një EULEX

Gjakimet e politikanëve autokratë dhe të korruptuar nuk do të ishin një e keqe e papërballueshme sikur në Shqipëri të kishte lindur një klasë juristësh të dedikuar për drejtësinë. Por në 23 vite tranzicion, gjykatësit dhe prokurorët nuk kanë arritur të krijojnë, për veten dhe pushtetin që ju është besuar me Kushtetutë, aureolën e paanësisë që kur nis e nderohet nga masat, shenjtërohet dhe e bën të pathyeshëm pushtetin e drejtësisë përballë presioneve politike apo qeveritare. Juristët në Shqipëri nuk u bënë, si në lindje të demokracisë në SHBA, kundërpesha e fuqishme dhe gati e vetme ndaj spekulimeve të politikës me demokracinë. Ndryshe nga juristët në SHBA, që ndikonin në përhapjen e frymës juridike, juristët në Shqipëri, me korrupsionin dhe varësitë e tyre politike, kanë ndikuar që të mbytet fryma e ligjeve. Për shkak të punës së keqe të këtyre juristëve, shqiptarët kanë humbur besimin te drejtësia. Që është, në thelb, mungesë besimi te shteti. Për shkak të këtij kalbëzimi, jo pak prej tyre kanë përveshur mëngët e jetëve të tyre, për të rrëmbyer me garuzhde pjesën, që besojnë se u përket, në çorbën e padrejtësisë. Në radhët e juristëve gjen në shumicë njerëz të zellshëm jo për t’i shërbyer drejtësisë, por liderit dhe partisë. Këtej e ka burimin edhe lindja e praktikave të një proceduralizmi antidemokratik me anë të të cilit bëhet e mundur që të korruptuarit e politikës të arrestohen nga dera dhe të lirohen nga penxherja e “drejtësisë”. Siç po shohim të ndodhë edhe sot. Ashtu si në ditët kur kryqëzohej Krishti, po provohet se pa drejtësi demokracia bën që të lirohen Barabat e korrupsionit. Mbi dy dekada korrupsion i pandëshkuar në radhët e gjyqtarëve dhe prokurorëve ka bërë që, ashtu si edhe në politikë, të lindë një klasë juristësh që nuk është e interesuar, madje e tmerron mendimi se një ditë mund të lindë një drejtësi e pavarur që nuk mund të mos i kërkojë edhe asaj llogari. Dhe në kushtet kur juristë, gjykatës dhe prokurorë të pandotur, perceptohen si një pakicë pa ndikim, kur edhe klima sociale dhe e shoqërisë civile shfaqet mjaft pasive, e vetmja shpresë që Shqipëria të dalë nga këneta e korrupsionit ku po mbytet, është një mision i tipit EULEX, që do të ndihmonte për pastrimin e drejtësisë. Që pastaj drejtësia të pastronte edhe shtetin.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA