Ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri ka lajmëruar se Qeveria do të
auditojë bilancet e kompanive hidrokarbure që shfrytëzojnë rezervat e
naftës në Shqipëri, pasi ka dyshime se në to raportohen shpenzime të
fryra për të shmangur tatimet.

“Ka ardhur momenti që të mos të miratohen më plane zhvillime symbyllazi dhe ku kompanitë hidrokarbure paraqesin plane aspak të bazuara dhe pa asnjë logjikë ekonomike mbrapa dhe bën që fitimi i atyre kontratave të shtyhet në vite. Këtë ne nuk duhet ta lejojmë dhe i përket punës tonë një auditimi të imët të të gjithë këtyre kontratave për të përcaktuar qartë se kush janë ato shpenzime reale që lidhen direkt me zhvillimin e sektorit e fushave të naftës apo të prodhimit të naftës”, tha Gjiknuri.

Kontroll licencave te kromit

Zoti Gjiknuri shfrytëzoi një takim pune në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore për të bërë të ditur se ndërhyrje do të ketë edhe në licencat e kromit ne zonen e Bulqizës.

“Kërkoj që brenda një afati të shkurtër, pas një urdhëri të nxjerrë nga unë, të përcaktohet përfundimisht zona e rrezikshme në Bulqizë në mënyrë që aty të mos zhvillohet më asnjë aktivitet minerar dhe të revokohen licensat të cilat operojnë në atë zonë. Kjo bëhet për të siguruar jetën e minatorëve, jetën e njerëzve. Ne nuk e kemi fare me industrinë e kromit, industrinë e kromit duam ta përkrahim”, tha Gjiknuri.

Por një tjetër sektor ku koncesionet do të rishikohen është edhe ai i energjisë elektrike. Ministri Gjiknuri ka lënë të nënkuptohet se Qeveria mund të ndërhyjë për të ndryshuar çmimin, sipas tij të lartë, me të cilin KESH detyrohet të blejë energjinë nga HEC-et e  ndërtuara me koncesion.

“Fatkeqësisht është krijuar një problem i madh me gjendjen e rëndë financiare të sektorit, sepse këto investime nuk janë reflektuar drejt tek shpenzimet dhe çështja e balancës në energji dhe planifikimit të burimeve të reja dhe sa mbështetje financiare këto do të kenë, patjetër do të shihet me prioritet nga Qeveria shqiptare”, tha Gjiknuri.

Sektori i energjisë po kalon një krizë të thellë financiare e materializuar në një zinxhir borxhesh që ka përfshirë të gjitha kompanitë më të rëndësishme, veçanërisht KESH-in dhe CEZ-in.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA