SHBA, shqetësime për ‘akordin’ Iran-Rusi

14/01/2014 00:00

Shtëpia e Bardhë ka ngritur shqetësimin e saj në lidhje me raportet e fundit se Irani dhe Rusia janë duke negociuar një këmbim “naftë-mallra” me vlerë rreth 1,5 miliardë dollarë, një marrëveshje që sipas një zëdhënëseje do të shkelte sankionet e SHBA-ve.

Një marrëveshje e tillë do të forconte së tepërmi eksportet iraniane të naftës, gjë që ka pësuar më shumë se sa një përgjysmim, me rreth 1 milionë fuçi në ditë nga sanksionet e SHBA-ve dhe BE-së, sanksione që kanë për synim të detyrojnë Iranin të pranojë shkurtimin e programit bërthamor të tij.

Burime nga Rusia dhe Irani, shumë pranë negociatave për shkëmbimin, thonë se marrëveshja mund të bëjë që Rusia të blejë thuajse 500 mijë fuçi në ditë nga nafta iraniane, në këmbim të pajisjeve dhe mallrave ruse.

“Jemi të shqetësuar nga këto raportime dhe Sekretari Kerry shprehu në mënyrë të drejtpërdrejtë këtë shqetësim me ministrin e Jashtëm Lavrov, gjatë së hënës”, tha Caitlin Hayden, zëdhënëse e Këshillit Kombëtar të Sigurisë në Shtëpinë e Bardhë, në një deklaratë për agjencinë e lajmeve “Reuters”.

Ministri i Jashtëm iranian thotë se vendi i tij ka shqetësime të ngjashme mbi këtë marrëveshje. “Ka një mungesë shumë serioze besimi nga Perëndimi në Iran”, tha Mohammad Javad Zarif. “Populli ynë beson se programi ynë bërthamor për qëllime paqësore është trajtuar me një mënyrë totalisht të pabazuar. Populli iranian ka qenë subjekt i presioneve të ndryshme, të cilat janë kryer kundër ligjeve ndërkombëtare”.

Reza Marashi, Drejtor Kërkimi në Këshillin Kombëtar Iranian dhe ish-zyrtar i Departamentit amerikan të Shtëtit, tha për “Al Jazeera”-n se i kupton shumë mirë shqetësimet e SHBA-ve.

“Mendoj se ka një shqetësim nga pala e SHBA-ve, sepse mendojmë se në këto momente e kemi Iranin në një pozitë të duhur, gjë që nënkupton se jemi në një proces diplomatik, në përpjekje për të arritur dhe siguruar një marrëveshje më të rëndësishme, përfundimtare, që do të zgjidhë të gjitha problemet. Është një shqetësim që, ne mund të fuqizojmë elementë brenda Iranit, që janë në kundërshtim me diplomacinë, nëse vazhdohet përpara me marrëveshjen e dyshimtë mes Iranit dhe Rusisë”, tha Marashi.

Obama bën thirrje për diplomaci dhe paqe

Në Uashington, presidenti Obama nxiti Kongresin t’i rezistojë tundimit për të aprovuar sanksione të reja ekonomike ndaj Iranit, duke thënë se “tashmë për ne është koha që të lejojmë diplomatët dhe ekspertët teknikë të bëjnë punën e tyre”.

“Ajo që duam ne të bëjmë, është t’i japim një shans diplomacisë dhe t’i japim një shans paqes”, tha Obama pas takimit me kryeministrin spanjoll, Mariano Rajoy, në Zyrën Ovale. “Preferoj më shumë paqen dhe diplomacinë. Nuk është momenti për të vendosur sanksione të reja”, tha Obama.

Irani pranoi, gjatë së dielës, të limitojë pasurimin e uraniumit dhe të lejojë më shumë monitorime ndërkombëtare për 6 muaj, në këmbim të lehtësirave prej 7 miliardë dollarë, sa u përket sanksioneve.

Marrëveshja me grupin P5+1 të fuqive kryesore botërore përfshin një ndalim të përkohshëm të përpjekjeve për të reduktuar më tej eksportet e naftës bruto iraniane, edhe pse nuk lejon që blerës potencialë të rrisin importet e tyre.

Rusia është pjesë e grupit P5+1, por nuk ka qenë pjesë e përpjekjeve për sanksione, të udhëhequra nga SHBA-të dhe Europa.

“Nëse këto përpjekje janë të vërteta, një marrëveshje e tillë do të ngrinte shqetësime serioze, pasi do të ishte në kundërshtim me kushtet e marrëveshjes së P5+1 me Iranin, si dhe do të nxisin potencialisht sanksione amerikane”, tha Hayden.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA