GJERGJ EREBARA – Më qëlloi një herë që isha në Kosovë te libraria Buzuku
dhe bleva nja 100 euro libra. Një pjesë i bleva për t’i lexuar vetë,
një pjesë për një mikun tim të interesuar për Fryma e iluminizmit,
Tzvetan Todorov, ca libra filozofikë të shtëpisë botuese Dukagjini, të
cilat janë shumë të mirë dhe vështirë të gjetshëm në Tiranë.
Me një çantë me libra hipa në autobus e u nisa për në Tiranë. Në kufi hyri polici shqiptar. Pyeti të parin nga pasagjerët:
– Çfarë ke në çantë?
– Nja dy kile suxhuk! – tha ai
– Vetëm dy kile?
– Po, mund të jenë tre!
U mendua një copë herë, pastaj hodhi sytë nga librat.
Më tha me tonalitet presioni.
– Ke të tjera te bagazhet?
– Jo!
– Zbrit poshtë!
Poshtë më doli përpara një doganier i keqveshur, thatim, tipar i malësisë së kequshqyer shqiptare.
Kequshqyerja dhe mungesa e zhvillimit normal fizik si pasojë e mungesës së proteinave në malësinë shqiptare është ajo që më vret më shumë nga realiteti shqiptar i sotëm. Po nejse!
Doganieri më tha se duhej të paguaja doganë për librat. I thashë se në dijeninë time, librat janë përjashtuar nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, mbi to nuk rëndon tarifë doganore. Më tha se gjithsesi duhet të bëhet një “deklaratë doganore”.
Aty e kuptova! Deklarata doganore lëshohet nga një zyrë private dhe kushton 2600 lekë (të reja). Rruga tjetër qe që t’i paguaja nja 5 euro nën dorë doganierit e të vazhdoja rrugën.
Kjo qe çfarë m’u kujtua kur pas takimit “historik” të dy qeverive shqiptare në Prizren më 11 janar 2014, një nga propozimet e ministrisë shqiptare të Financave qe që Kosova të hiqte TVSH-në për librin “n.q.s ekziston”. Kosova e ka TVSH për librin. Edhe atje politika bën rrugë me arka bosh. E premton heqjen, pastaj nuk e heq. E heq në importe, e lë në tregun e brendshëm. Ka probleme me “administrimin”, d.m.th ka frikë se mos djathi deklarohet libër e nuk paguan TVSH dhe ata nuk kanë kapacitete apo vullnet për të kontrolluar dhe ndëshkuar shkelësit. (Sido që fakti është që administrata tatimore e Kosovës është shumë herë më e zhvilluar dhe mirëfunksionale se ajo e Shqipërisë).
Kuptohet që procedurat janë më të rëndësishme sesa taksat. N.q.s Shqipëria nuk e takson librin, por doganierët janë të etur për të rrëmbyer pesë euro, thjesht lehtësimi fiskal humbet funksionin.
Tani le ta ngremë këtë problemin e shkëmbimeve tregtare me Kosovën në një nivel më të lartë, p.sh te energjia elektrike. Kur një doganier është në gjendje të shkatërrojë politikën zyrtare të lehtësimit fiskal të librave, sepse është i etur të marrë pesë euro, imagjinoni se çfarë ndodh me një treg me vlerë 100 apo 200 milionë euro në vit, ku qarkullojnë miliona dhe dhjetëramilionë euro ryshfet. Natyrisht që bashkimi kombëtar nuk ka asnjë shans për sa kohë ekziston korrupsioni në nivelin e krimit të organizuar.
Shqipëria dhe Kosova janë dy tregje komplementare dhe tregtia mes dy vendeve shqiptare sjell shumë përfitime. Por asnjë politikë nuk është e mundshme, as për bashkim e as për ndarje, as për mirë e as për keq, për sa kohë ka korrupsion. Ose do të na duhet të presim që interesat e korrupsionit të përputhen me interesat e bashkimit kombëtar.
Shembulli i energjisë elektrike është më i dukshmi. Kosova mund të eksportojë energji gjatë natës pas ndërtimit të linjës së interkonjeksionit, energji që aktualisht prodhohet në termocentrale dhe shkon dëm. Shqipëria mund t’i mbyllë hidrocentralet gjatë natës dhe t’ia kthejë energjinë e importuar nga Kosova, ditën. Këtë skemë kaq të thjeshtë dhe fitimprurëse të bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kosovë, e dëgjova në vitin e largët 2000. Një drejtor i KESH, nga të paktit jopolitikë në atë post, ma tregoi. Kaq e kaq vite prapa jemi ende duke diskutuar të njëjtën gjë.
Kur ka një tregti ku të dyja palët fitojnë, si shpjegohet që u deshën dymbëdhjetë vjet që nga çlirimi i Kosovës për të filluan punën për ndërtimin e interkonjeksionit? Pse duhej që të vinin gjermanët, të identifikonin këtë mundësi, të jepni kredi për të ndërtuar një lidhje që ne e njihnim si shumë me leverdi që prej aq e aq vitesh? Problemi qëndron te miliona e dhjetëramiliona euro që përfitohen çdo vit në formën e ryshfetit nga importet dhe eksportet e energjisë elektrike.
Korrupsioni pra është problemi dhe jo vullneti politik për bashkim apo mosbashkim, bashkim në BE apo jashtë BE-së e të tjera retorika politike.
Tani, Shqipëria më në fund po e ndërton linjën e interkonjeksionit me Kosovën. Hapi tjetër është ngritja e një grupi pune mes KESH dhe KEK, OST dhe OST, për të parë se si do të funksionojë në praktikë ky shkëmbim energjie. Do të duhet një koordinim mes dispeçerëve të të dy vendeve për të parë se sa energji mund të eksportojë Kosova në Shqipëri e sa Shqipëria në Kosovë. Me çfarë çmimesh do të kryhet ky shkëmbim. Në fund fare të dy vendet duhet të hartojnë një strategji të përbashkët për sistemet elektroenergjetike të të dyja vendeve.
Përfitimet e pritshme janë sa ekonomike aq edhe politike. Shqipëria dhe Kosova nuk do të jenë më nën varësinë e linjave serbe të transmetimit të energjisë, ose në rastin më të paktë, varësia do të reduktohet ndjeshëm.
Por ka gjëra edhe më praktike për t’u bërë. P.sh, nëse unë dua të blej 50 euro libra në Kosovë, do të më duhet të bëj një pagesë bankare. Kjo pagesë, për fat të keq, do të duhet të kalojë nga Frankfurti, apo nga ndonjë kryeqytet tjetër europian. Por Banka e Shqipërisë dhe Banka Qendrore e Kosovës nuk e kanë shumë të vështirë të bëjnë diçka që në botë njihet si zyrë kleringu, d.m.th që pagesat bankare nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas, të mos bëjnë xhiro nëpër kryeqytetet e Europës, por të dërgohen drejtpërsëdrejti. Duhet një marrëveshje, bashkëpunim në nivel teknik e të tjera. Mundet që këtë zyrë ta bëjnë bankat qendrore, mundet ta bëjnë edhe shërbimet postare të të dyja vendeve. Mundet që sistemi shqiptar i pagesave të përdoret në Kosovë ose anasjelltas. Një zyrë kleringu në Prishtinë që të shërbejë në nivel rajonal mund të jetë një nismë e vlefshme për “bashkimin” jo vetëm të Shqipërisë e Kosovës.
Dhe meqë mbërritëm te shërbimet postare, Posta Shqiptare vijon ta konsiderojë Kosovën si “vend rajonal”. Një hap i vlefshëm për tregtinë e vogël është unifikimi i tarifave dhe rrjedhimisht ulja e tyre për pakot që dërgohen nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas. Në fund fare, Prishtina nuk është sot më larg sesa Gjirokastra apo Saranda e rrjedhimisht nuk ka pse të klasifikohet si “vend fqinj”.
Bashkëpunimi ekonomik e tregtar nuk është domosdoshmërisht nacionalizëm.
Jan De Vries, një profesor i Historisë Ekonomike, dikur tha se sipas mendimit të tij, nuk ekziston Revolucioni Industrial. Nuk ka asnjë shpikje që të ketë sjellë ndryshime aq të mëdha sa të konsiderohen si revolucion. Ajo që ka përjetuar Europa në shekullin e 19 sipas tij, qe një “revolucion i djersës”. Duhet shumë punë, shumë fare për të arritur zhvillimin. Kjo djersë e derdhur nuk përbën një “moment historik”. Askush nuk do të shkruajë ndonjë libër për një pikë djerse që bie në vetullën e një punëtori dhe vlerën e kësaj pike djerse në historinë e zhvillimit njerëzor. Megjithatë, ajo pikë djerse është origjina e mirëqenies.
Top Channel