Falen ata që ndërtuan pa leje, prenë pyjet…

14/01/2014 00:00

Aksionet e fundit të Policisë së Shtetit, që kanë qenë nën suportin e
madh të mazhorancës aktuale, duket se do të sfumohen po vetë nga
qeveria, e cila ka kaluar për miratim një amnisti, që prek dosjet nën
hetim që parashikojnë dënime deri në dy vite heqje lirie.

Sipas një vëzhgimi të thjeshtë, rezulton se një pjesë e mirë e personave që ndërtuan pa leje, prenë pyjet, dhunuan familjarët, apo edhe pronarët e kazinove që u goditën nga operacioni “Fundi i Marrëzisë”, por edhe ata që ngisnin makinat të dehur apo pa patentë, do të falen. Dënimet ndaj tyre shkojnë deri në dy vite heqje lirie dhe rrjedhimisht, Ministria e Drejtësisë ka përgatitur se këto dosje do të pushohen. Prokurorët që kanë të tillë çështje, në momentin e hyrjes në fuqi të kësaj amnistie, do të mbyllin këto procedime penale, megjithëse pas muajit shtator, kur mazhoranca e re erdhi në pushtet, policia dhe prokuroria është investuar në operacione në të gjithë vendin. Megjithatë, sipas draftit të amnistisë, i cili ende nuk është miratuar në Parlament, do të falen të gjithë ata që kanë bërë krime deri në 30 nëntor të vitit të kaluar, megjithëse nuk përjashtohet që, përderisa është shtyrë vendimmarrja e këtij ligji, data të shkojë deri në 31 dhjetor.

Dosjet nën hetim

nderime pa lejeNë draftin paraprak, në nenin 5 të tij, sqaron edhe për çështjet që pushohet ndjekja penale. “Procedimi penal nuk mund të fillojë dhe nëse ka filluar duhet të pushojë për veprat penale të kryera deri në datën 30 nëntor 2013, për të cilat Kodi Penal parashikon një dënim me burgim deri në 2 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të lehtë”, thuhet në draft. Sipas kompetencës së dhënë nga Kodi i Procedurës Penale dhe në varësi të fazës apo të shkallës së procedimit penal, prokurori ose gjykata vendosin mosfillimin e çështjes penale apo pushimin e çështjes penale për veprat penale që amnistohen. Ndërkohë, si dispozitë zbatuese, ligji ka ngarkuar ministrin e Drejtësisë, ministrin e Punëve të Brendshme, ministrin e Mbrojtjes dhe Prokurorin e Përgjithshëm për zbatimin e këtij ligji.

Prerja e pyjeve

Megjithatë, nëse miratohet ky projekt që ka kaluar tashmë edhe në Këshillin e Ministrave, dhe ka kaluar në Parlament, përfitojnë të gjithë personat e prekur nga një sërë operacionesh javore apo mujore të organizuara nga Policia e Shtetit. Ndër operacionet e nisura nga policia, në momentin e zgjedhjes së ministrit të ri të Brendshëm, ka qenë edhe arrestimi apo procedimi i personave që presin në mënyrë të paligjshme pyjet. Një veprim i tillë është shkelje penale, ndërsa për javë me radhë, policia publikonte edhe emrat e personave ndaj të cilëve kishin filluar hetimet, për nenin 205 të Kodit Penal. Por çfarë parashikon ky nen: Prerja apo dëmtimi i pyjeve pa leje apo në kohë dhe vende të ndaluara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit. Pra, dënimi maksimal ndaj këtyre personave është një vit burg, çka do të thotë se të gjithë të proceduarit penalisht nga policia, deri në datën 30 nëntor 2013, amnistohen ose falen. Ata nuk mund të burgosen apo që të jenë dënuar.

“Fundi i marrëzisë”

Një tjetër operacion që zgjati për javë me radhë ishte edhe “Fundi i marrëzisë”. Qindra persona, pronarë apo punonjës të kompanive të lojërave të fatit, u arrestuan apo u proceduan penalisht në bazë të nenit 198 të Kodit Penal. “Vënia në dispozicion e lokaleve për organizimin apo luajtjen e lotarive, lojërave të fatit apo bixhozit, në kundërshtim me dispozitat ligjore, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj”, thuhet në Kod, ndërsa edhe kjo akuzë duket se do të amnistohet, dhe të gjithë pronarët e kazinove, rrjedhimisht janë edhe të “pafajshëm”. Ka qenë vetë shteti që i vuri para përgjegjësisë penale dhe do të jetë sërish shteti që i fal.

Ndërtimi i paligjshëm

Ndërkohë, operacioni i parë që është zhvilluar nga Policia e Shtetit ka qenë për ndërtimet pa leje. Në të gjithë vendin janë organizuar një sërë operacionesh, ku dhjetëra shtetas janë kallëzuar penalisht. Megjithatë, një pjesë e mirë e këtyre personave pritet që të amnistohen, ndërsa të tjerët do të vijojnë që të hetohen. Neni 199/a i Kodit Penal parashikon se “Ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit”. Pra, amnistohen të gjithë personat që kanë ndërtuar në mënyrë të paligjshme në tokën e tyre, por nuk falen personat që kanë kryer vepër penale, pra kanë ndërtuan në tokë publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit.

Dhuna në familje

Një pjesë e personave që kanë dhunuar familjarët e tyre pritet të amnistohen. Pra, ata që kanë rrahur apo kanë kryer çdo vepër dhune ndaj bashkëshortit/es, ish-bashkëshortit/es, apo bashkëjetuesit/es apo ish-bashkëjetuesit/es, pritet të falen. Një pjesë e mirë e të hetuarve që preken nga neni 130/a i Kodit Penal do të falen. Ky nen parashikon se “Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, ndaj personit që është bashkëshort, ish-bashkëshort, bashkëjetues apo ish-bashkëjetues, gjini e afërt ose krushqi e afërt me autorin e veprës penale, me pasojë cenimin e integritetit fizik, psiko-social dhe ekonomik të tij, dënohet me burgim gjer në dy vjet”. Ndërkohë, nuk mund të falen ata që kanë kanosur seriozisht familjarët për vrasje ose plagosje të rëndë, dënimet e të cilëve shkojnë deri në tre vite heqje lirie.

Drejtuesit e automjeteve

Kohët e fundit, Policia e Shtetit ka ndërmarrë një operacion për procedimin penalisht të të gjithë drejtuesve të mjeteve që kapen pa patentë apo në gjendje të dehur. Janë arrestuar qindra shoferë, të cilët më pas janë lënë të lirë dhe po hetohen me masa sigurimi detyrim paraqitjeje. Por, të gjithë ata që janë kapur para datës 30 nëntor 2013, dhe që preken nga neni 291 i Kodit Penal do të falen. “Drejtimi i automjeteve apo mjeteve të tjera të motorizuara në gjendje të dehur apo pa dëshminë përkatëse të aftësisë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj”, thuhet në Kodin Penal.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA