Shqip, takim në Shtëpinë e Lidhjes

13/01/2014 00:00

E shtunë, 11 janar 2013. Shqiptarët bashkohen sërish në Prizren. Dy kabinetet qeveritare, ai i Shqipërisë me në krye Kryeministrin Edi Rama dhe ai i Kosovës me në krye Hashim Thaçin zhvilluan një mbledhje të përbashkët me synim thellimin e marrëdhënieve të gjithanëshme mes të të njëjtit popull të ndarë në dy shtete.

Në dokumentin e bashkëpunimit e firmosur dy palët zotohen për bashkëpunim në politikën e jashtme dhe sigurinë, në forcimin e bashkëpunimit mes institucioneve të zbatimit të ligjit, ekonomia, kultura, arsimi, shkenca si dhe krijimi i një fondi të përbashkët për shqiptarët e Luginës së Preshevës, që nisi fillimisht me një donacion prej 100 mijë eurosh për ndërtimin e maternitetit në atje.

Por sa do të zbatohen këto marrëveshje? Sa të aftë do të jenë shqiptarët në dy anët e vijës ndarëse për të përfituar nga momenti i tyre historik? Apo gjithcka do të ngelet vetëm në letër? Për të folur për këtë, në studion e improvizuar të “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga, të zhvendosur në Shtëpinë e Lidhjes së Prizrenit ishin të ftuar katër ministra të kabineteve Rama dhe Thaçi.

Nga qeveria e Kosovës, ishte Ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj dhe ai i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili, ndërsa nga qeveria e Tiranës në panel ishin Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati dhe Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj.

“Mendoj që ka qenë një nevojë e brendshme e qytetarëve të Kosovës për të patur një bashkëpunim më të ngushtë me Shqipërinë, por në të njëjtën kohë me ardhjen Kryeministër të zotit Rama, ka një fazë të re të interesit të shtetit shqiptar se si edhe Kosova të jetë pjesë e një partneriteti të afërt strategjik. Me këtë dua të them që deri më tani ka patur një bashkëpunim, disa marrëveshje, shkembime në fusha të ndryshme, por dy kryeministrat ranë dakort muajt e fundit për hapjen e një kapitulli të ri në bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Kosovës, dhe takimi i sotëm dhe deklarata e miratuar, fushat ku u identifikuan se ku duhet të ketë bashkëpunim dhe prioritete flasin për këtë kapitull të ri të bashkëpunimit. Ky kapitull i ri duhet të shkruhet dhe ky shkrim bëhet më mirë jo vetëm me arritjen e marrëveshjeve, por me zbatimin e tyre. Unë i jam mirënjohës zotit Bushati për bashkëpunimin që kemi patur për përgatitjet e këtij takimi”, nisi fjalën e tij, Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Në fakt dy Ministritë e Jashtme mund të quhen garante të zbatimit të marrëveshjes, por ku konsiston puna e tyre në këto marrëveshje?

“Ne besojmë që Ministritë e Punëve të Jashtme do të jenë rolin e koordinatoreve të posacme në këtë proces, sepse garancia për zbatimin e bashkëpunimit i përket qeverive dhe mund të them i përket kombit shqiptar sepse ne jemi për të shtrirë bashkëpunimin jo thjesht në nivel qeveritar, por për të shfrytëzuar maksimalisht këtë realitet të ri gjeopolitik që ekziston në rajon dhe këtë realitet që ekziston me dy shtetet shqiptare. Në dokument ne kemi vizatuar sjelljen tonë përkundrejt proceseve të integrimit euro-atlantik, kemi përcaktuar qasjen tonë ndaj partnerëve duke iu përmbajtur me besnikëri të gjitha angazhimeve, sikunder jemi angazhuar që këtë bashkëpunim ta shtrijmë për të fuqizuar jo thjesht rolin e shqiptarëve në rajon, por mbi të gjitha për të dhënë një shtysë të re, një dinamikë të re procesit të bashkëpunimit rajonal që është vendimtar për stabilitetin dhe të ardhmen e rajonit në hapësirën e europiane”, tha nga ana e tij Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati.

Lidhur me komentet dhe reagimet për mbledhjen, ku nuk kanë munguar edhe ato negative që e kanë cilësuar takimin e përbashkët si një “shou mediatik”, zoti Bushati tha: “Do doja të theksoja se kemi të bëjmë me intensifikimin e një marrëdhënieje, me vullnetin e dy kryeministrave dhe është e rëndësishme të kuptojmë që janë forma bashkëpunimit të përdorura që pas Luftës së Dytë Botërore, që janë përdorur edhe në rajonin tonë, jemi të hapur të aplikojmë këto forma edhe me vende dhe qeveri të tjera, por duhet të kuptojmë që kjo deklaratë dhe raporti ynë është cilësisht i ndryshëm në thelb për faktin se ne jemi një komb, flasim një gjuhë, ndajmë të njëjtat doke e zakone, kulturë dhe ndaj ky dokument që ne jemi zotuar, është paksa ndryshe nga një deklaratë e cila mund të hartohet dhe firmoset me vendet e tjera”.

“Ngjarjet e mëdha si kjo e sotmja lindin nga ide të mëdha, por nga njerëz të zakonshëm. Gjithë ajo gjëja e brendshme që vjen brenda kabinetit, si transmetues i atij vullneti dhe asaj dëshirë që kanë qytetarët shqiptarë dhe transmetuar nga vullneti i qeverisë së Kosovës për të kaluar në një bashkëpunim më të lartë. Bashkëpunimi ka një lloj fryme ndryshe nga herët e tjera sepse të dyja qeveritë kanë ndaluar të mendojnë në linja afatgjata se si do të jetë Shqipëria dhe Kosova”, deklaroi Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Arben Ahmetaj, duke shtuar se bëhet fjalë për një politikë mbarëkombëtare për të forcuar shqiptarët duke nisur që me krijimin e një tregu të përbashkët të integruar, që do të ishte më tërheqës për investitorët se sa dy tregje të ndara njëri me 3 mln banorë dhe tjetri me 2 mln e pak banorë.

Ministri i Zhvillimik Ekonomik të Kosovës, zoti Fadil Smaili shtoi: “Kemi patur gjithmonë hapësirën mbarëshqiptare, por koha nuk ka qenë gjithmonë në favor të shqiptarëve. Kjo që ndodhi sot është që dy kryeministrat kanë nënshkruar një deklaratë politike dhe kjo është mrekullia dhe kjo është historia dhe këtë duhet ta njohim si guxim, vizion dhe mundësi për të tashmen dhe të ardhmen që pret qytetarët shqiptarë. Në rrafshin ekonomik kemi disa marrëveshje. Unë kam luftuar shumë për ndërtimin e një linje interkonjeksioni, për ndërtimin e një tregu të përbashkët dhe këtu idetë i nxorri më herët Arbën Xhaferri, për të vazhduar më pas me Pacollin kur ishte president për një treg ekonomik të përbashkët dhe deri në ditën e sotme që gjithë kjo të institucionalizohet dhe kjo ndodhi”.

Ndihma për Preshevën

“Mendoj që takimin duhet ta interpretojmë në frymën e kohës që jetojmë, të lëvizim përtej simbolizmit. Deri më tani mes Kosovës dhe Shqipërisë ka patur bashkëpunime të ndryshme, por nuk kemi patur një mendim të përbashkët për atë cfarë nënkupton bashkëpunimi, sot kemi një deklaratë, kornizë e të menduarit. Fondi i krijuar është për ruajtjen e shqiptarëve në Luginë, shuma fillestare është simbolike, por më vonë do të rritet”, tha Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj.

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati tha se bëhet fjalë për një investim të përbashkët për pajisjet e maternitetit të Kosovës, që është një projekt i përbashkët që vec Kosovës dhe Shqipërisë financohet edhe nga vetë qeveria serbe dhe komuna e Preshevës.

Ministri kosovar i Zhvillimit Ekonomik, zoti Fadil Smajli tha se pak rëndësi ka sa është shuma fillestare, pasi është fondi i përbashkët ai që do të shtyhet më tutje, që do të përdoret në të ardhmen për t’u ardhur në ndihmë shqiptarëve në Luginën e Preshevës Medvegjës dhe Bujanocit.

Ministri i Jashtëm shqiptar, zoti Bushati vlerësoi se është një mundësi e mirë historike për të mos përsëritur gabimet e së shkuarës në forcimin e shqiptarëve në rajon. “Nuk bëhet fjalë për rikthim të praktikave folklorike të së shkuarës me nxjerre vendimesh të Këshillit të Ministrave sic ka ndodhur për fat të keq në qeverinë e kaluar. Koha vërtetoi që ai vendim ishte për të marrë një grusht votash më 23 qershor, në të kundërt atë vendim do ta zbatonte vetë qeveria e kaluar”, tha zoti Bushati lidhur me vendimin e miratuar nga ish-kabineti Berisha për dhënien e shtetësisë shqiptare.

Ndërkohë, Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Arben Ahmetaj shpjegoi me terma konkretë bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve, duke nisur me atë që dy qeveritë kanë bërë tani me identifikimin e diferencave dhe sheshimin e tyre.

Por si do të materializohen marrëveshjet?

Ministri Bushati tha se për këtë do të ketë një mbledhje të radhës të përbashkët në fund të gjysmës së parë të këtij viti, maj ose qershor ku do të shihet se cfarë është arritur nga marrëveshjet që janë firmosur dhe materializimi i marrëveshjeve të reja. Ai tha se janë ngritur grupe të përbashkëta që quhet Komisioni i Përbashkët i Cështjeve Ekonomike dhe ai i Energjisë. Lidhur me politikën e jashtme zoti Bushati tha se ka një marrëveshje të 2012 që synohet të jetësohet nga të dyja palët tek cështjet konsullore.

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj tha se në takim u arrit më shumë nga c’pritej dhe temat që janë trajtuar dhe që u bënë publike treguan që takimi ka qenë përmbajtësor dhe me vizion. Ai tha se në këtë fazë të bashkëpunimit, Ministrat e Jashtëm nuk do të kenë më rutinën e vizitave dhe shkëmbimeve protokollare, por do të merren me mbikqyrjen e zbatimit të marrëveshjeve dhe koordinimit të punës.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta