Reagimet për mbledhjen e Prizrenit

13/01/2014 00:00

Mbledhja e 11 janarit mes dy qeverive, asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë në Prizren nxiti mjaft reagime. Ndër të parët që e përshëndetën zhvillimin e saj ishte veprimtari i çështjes kombëtare, Adem Demaçi.

Tani pak ditë pas  takimit të dy qeverive ai vlerëson protagonistët, por jep një porosi se si duhet shfrytëzuar kjo ngjarje në të mirë të shqiptarëve.

“Kjo nismë e madhe që ndërmori Edi Rama, nderi i shqiptarëve sot, ka rëndësinë e madhe që këtë situatë e vuri në lëvizje dhe tani edhe Serbia do të duhet të ndërrojë politikë, sepse pas Kosovës qëndron një Shqipëri anëtare e NATO-s, një Shqipëri që po ndjek një politikë me të vërtetë të arsyeshme. Serbia tani do ta ketë pak më vështirë me Kosovën”, thotë zoti Demaçi.

Mbledhja, vendimet e së cilës u kumtuan nga oborri i Shtëpisë së Lidhjes së Prizrenit komentohet se  shënon fillimin e një epoke të re për kombin shqiptar nga historiani Sabit Syla.

“Takimi shënon një epokë të re në historinë tonë kombëtare në të gjitha sferat e jetës, në të mirë të kombit tonë, paqes dhe i stabilitetit në rajon. Është një proces i vonuar në këtë drejtim, por është i mirëpritur dhe bashkëpunimi mes Kosovës dhe Shqipërisë duhet të zgjerohet, të thellohet më tej”, thotë historiani Syla.

Reagimet për vendimet e kësaj mbledhjeje nuk kanë  munguar në opinionin kosovar. Kryeparlamentari Jakup Krasniqi përshendet nismën e Edi Ramës për bashkëpunime ndërqeveritare mes dy vendeve mirëpo, sipas tij “duhet të kemi durimin që t’i presim rezultatet apo edhe kotësitë e këtyre mbledhjeve”. Paragjykimet në këtë rast janë të dëmshme.”  shkruan Krasniqi.

Ndërsa zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi ka kritikuar në portalet online reagimet lidhur me fondin e ndarë për maternitetin në Preshevë, duke i konsideruar të ngutura dhe keqkuptime.

“E para, ndihma për furnizimin e maternitetit në Preshevë, që ka simboliken e ndihmës më shumë se sa simbolikën materiale, pra ndihma për vendin ku fillon jeta. Qëllimi ka qenë që foshnjat e asaj pjese të lindin në trojet e tyre dhe të kenë kushte për këtë. Pika e dytë e diskutimit ka qenë themelimi i fondit për Preshevën, për çka është filluar nisma dhe ai fond do të jetë më ndryshe. Fondi do të ndihmohet nga të dy qeveritë dhe donatorët eventualë nga shtetet tjera”, shkruan Kuçi.

Analisti Astrit Gashi shprehet mbi këto reagime se ato shkojnë vetëm në favor të Serbisë.

“Shoh cuditshëm reagimet e një pjese të shoqërisë të disa shoqatave nga Zvicra dhe të disa udhëheqësve të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që këtë akt e shndërruan në një pazar në një formë degraduese për procesin, që është gabim sepse në këtë rast kemi të bëjmë me organizata dhe një gabim që në këtë rast do t’i shërbente më së shumti Serbisë”, thotë analisti Gashi.

Sipas Gashit, simbolika e Vlorës dhe e Prizrenit do të ishte më e fortë nëse në këto pikëtakime do të shtohej edhe Veriu i Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA