Prizreni dhe Europa

13/01/2014 00:00

MONIKA SHOSHORI STAFA – Në Prizren u firmos dokumenti themeltar i
bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Kosovës.
Ky ishte superlajmi i paralajmëruar që në shtator, me vizitat e Ramës
për herë të parë si Kryeministër i Shqipërisë.

Dosja e historisë mes dy shteteve me të njëjtin komb natyrisht do të njihte çaste të shumta gëzimi pas kësaj. Që nga Prishtina e vjeshtës së parë, takimi i paralajmëruar do të mbahej jo në nëntor, siç dhe ishte parathënë, por dy muaj më vonë, në janarin e vitit të ri.

Mediat skeptike kishin gjithë lirinë e mundshme të mendonin e shkruanin gjithfarë. Kur studioja dosjen e Kosovës në AQSH, mbi demonstratat e vitit 1981, as nuk mund të mendohej se zhurma keqdashëse, shpeshherë edhe e drejtë, e kolegëve të mi do të ish kaq aktive.

E drejtë kauza dhe atëherë, por i padrejtë terri informativ. Asgjë nuk frynte nga veriu në ato vite në Tiranën londineze dhe kurioziteti historik më bënte të ndalesha gjatë në ato letra të daktilografuara, duket hapur me një stërmundim të madh nga udhëheqja e bindur e Enver Hoxhës. Demonstratat e të rinjve në Prishtinën e largët, sollën vëmendje atëherë dhe në Prizren.

Djegia e ndërtesës ku u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit, ishte një shenjë hakmarrjeje politike ndaj të rinjve që kërkonin Liri, Barazi. Por koha është ndryshe tani. Ka kaq shumë fluks informacioni e analizash sa çdonjëri me ndërgjegje qytetare dhe me vokacion publik do të kish dashur të shkruante pakogjë për ngjarjen e fundjavës në Prizren. Prizreni i 1878-s ishte një demonstrim force nga ana e shqiptarëve për të treguar se këtu në ato troje jetojnë pa e luajtur topi se ka popullsi shqiptare. Askush me mend e pa mend s’do të mund të merrej dot me këtë tezë tani, kur dhe Serbia ish tërhequr në konakun e vet, pa kushtin hijeplotë të Europës bujare. Mbledhja e përbashkët e dy qeverive ishte paralajmëruar me shumë pompozitet se do të ketë veprime konkrete që do të prekin emocionalisht sidomos shqiptarët që jetojnë jashtë Kosovës dhe Shqipërisë. Morëm vesh se aty u ndanë rreth 100 mijë euro për Luginën e Preshevës, për një maternitet të ri, shumë simbolike natyrisht që po dua ta besoj si të tillë. Në një retrospektivë të vogël, kujtojmë se Kosova tanimë po përjeton fort faktin e thjeshtë, që është bërë jo pjesë, por fqinje e Serbisë. Më shumë se gjysma e historisë gojore dhe e shkruar e Kosovës është e mbushur me padurimin shekullor për të mos u qeverisur nga Beogradi. Madje “shkjau” atje del se është më armik se armiku. Po ta mendojmë më thellë, pavarësia psikologjike i bën mirë Kosovës, para së gjithash për ta çliruar nga mendësia jugosllaviste, që është ulur këmbëkryq në një pjesë të mënyrës së të menduarit të shqiptarëve atje. Po edhe për ta çliruar nga kompleksi i tradhtisë, dhe i spiunimit. Çlirimi psikologjik prej “demonit” me emrin “Serbi” dhe prej sundimit të saj, në të vërtetë do të ndikojë në emancipimin e mendësisë shqiptare te shqiptarët e Kosovës. Pikërisht prej këndej fillon të vetëkultivohet ndërgjegjja europiane. Në një farë mënyre, ose në të gjitha mënyrat më saktë, rruga e europeizmit e të dyja palëve nuk ka nga të kalojë pa kapërcimin e problemit të Kosovës, pra, pa një pajtim të sinqertë se as Shqipëria, as Serbia nuk kanë ndonjë të ardhme të hapur drejt Brukselit nëse nuk gjejnë një paqe jo thjesht dypalëshe, por dypalëshe me Kosovën ndërmjet. Ndaj një takim në dukje “simbolik” shprehje e bashkëpunimit normal mes dy qeverive, realisht është një etapë tjetër historike, një hap konkret drejt realizimit të një platforme, e cila është skicuar nga dijetari dhe publicisti shqiptar Arbën Xhaferri në vitin 2007. Dorëshkrimi i kësaj platforme është quajtur “Skicë për mbrothësinë e përbashkët”. Kosova në të vërtetë nuk ishte kërthiza dhe kushti i mbijetesës së Serbisë, por laku që i kishte zënë fytin prej shumë kohësh asaj. Dhjetëra traktate dhe doktrina u hartuan për të serbizuar Kosovën gjuhësisht dhe etnografikisht, mendësisht dhe shpirtërisht, por etnotipi shqiptar mbijetoi atje. Dhe Serbia e kaloi duket paqësisht ëmbël rubiconin e vet. Sot ajo është vend me status “kandidat” për të qenë anëtar i familjes europiane. A duhet dhe ne ta demonstrojmë këtë gjë? Shansi ynë është tashmë të mësohemi me idenë e së mundurës, ndryshimit të korsisë, të së vërtetës së plotë; asaj që Kosova nuk është kusht jetik për Shqipërinë; e që ajo si e tërë mund t’i takojë vetvetes dhe askujt tjetër. Mjaft më me forcën e patriarkatin e rreptë ndaj saj, lirisë dhe pavarësisë së saj! Mjaft më me zhurmën e imazhit dhe festës folklorike! Ndaj shenjave dhe simboleve të larë me gjakun e qindra mijëra martirëve. Një epokë e re ka lindur, epoka europeiste me paqen në mes, me përpjekjet e saj ndaj sfilitjeve të popujve të vegjël, që me pragmatizëm gjeopolitik i copëtoi, me kujtimet e luftërave të përgjakshme që ringrihen sa herë tavolinat e vogla ballkanike ende me çallma në kokë, zgjohen kurdo nga Prishtina e Grandit dhe Prizreni i Kararnamesë, ka ngjarje të tilla që më shumë trumbetohen nga forma se përmbajtja. Çfarë solli ky takim i fundjavës në Prizren? Cilat ishin vendimet e tij? A i përmbushi qëllimet ai? A ishin këta njerëzit e duhur që duhet ta kryenin këtë akt? Si ishte pritshmëria në raport me detyrat dhe kriteret e një qasjeje europeiste? Rruga drejt europeizmit nuk shkon nëpër shtigje të tilla si këto ditë, kjo fundjavë Prizreni u përfol. Duke iu larguar problemeve, duke pohuar se nuk jemi dakord, dhe duke çaktivizuar rrezikun që na vjen nëse duhet të mësohemi me një trend të ri ndërkombëtar, ne nuk bëjmë gjë tjetër veçse ushtrojmë patriarkalitet ndaj saj. Europeizmi mbështetet jo mbi mbarësinë e marrëdhënieve dypalëshe, që dikur quhej fqinjësi e mirë, por mbi shëndoshjen e klimave rajonale mbikufitare. Një gjëje të tillë vizita në Prizren mund t’i shërbente vetëm për dekor.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA