Masat e ashpra të qeverisë turke

13/01/2014 00:00

Një projektligj i ri për kontrollin e gjyqësorit dhe planet për çensurimin e internetit janë masat e reja që parashikon të ndërmarrë qeveria turke, si kundërvënie ndaj zbulimit të skandaleve të korrupsionit.

Parlamenti turk filloi diskutimet mbi një projektligj i cili parashikon që Këshilli i Lartë të Drejtësisë (HSYK) t`i raportoje Ministrisë së Drejtësisë, çka nga vetë këshilli konsiderohet si “antikushtetuese”.

Ky organizëm, formalisht i pavarur, thotë se planet për reforma të qeverisë islamike-konservatore të kryeministrit Rexhep Tajip Erdogan bien në kundërshtim me “parimet e shtetit ligjor”.

Projektligji parashikon që fjalën e fundit për emërimet në funksione kyçe në sektorin e drejtësisë ligjore t’ia japë Ministrisë së Drejtësisë dhe po ashtu HSYK-së t’i hiqet e drejta për të miratuar dekretet e qeverisë.

Përveç deputetëve të pakët opozitarë në Parlament, këto projektligje janë kritikuar edhe nga Uashingtoni dhe Këshilli i Evropës.

Një zëdhënëse e Departamentit të Shtetit theksoi rëndësinë “e një sistemi ligjor që përmbush standardet më të larta të drejtësisë, efikasitetit dhe të transparencës si në çështjet civile dhe ato penale”.

Ndërsa KiE kritikoi shfuqizimi e planifikuar të HSYK si një “pengesë serioze për pavarësinë e gjyqësorit.”

Partia në pushtet AKP, e kryeministrit Erdoan, ka përgatitur edhe një projektligj me të cilin qeveria turke synon t’i japë vetes të drejtën për të bllokuar faqet e internetit edhe pa vendim përkatës nga ana e gjykatës. Zërat kritikë në vend e cilësuan nismën si fillimin e një çensure.

Për shkak të skandaleve të korrupsionit dhe masave shpaguese që ka marrë, Erdogan po humbet simpatinë në radhët e popullsisë. Sondazhet e fundit të opinionit tregojnë se popullariteti i tij është 42.3 për qind, ose tetë për qind më pak se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2011.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA