Mjetet e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar zbritën sot në bregdetin e Dhërmiut.

Forcat e INUK-ut u përqendruan në plazhin e Drimadhës, të mbështetura nga FNSH, si dhe Policia e Rendit e Vlorës, dhe shkatërruan katër godina dy katëshe.

Në momentin e parë, kur forcat policore, së bashku me mjetet e INUK-ut, u drejtuan për te katër godinat, që do të prisheshin, hasën në rezistencën jo të fortë të pronarëve të godinave, të cilët më pas nuk reaguan më, dhe mjetet vazhduan punën normalisht, deri në rrëzimin e plotë të tyre.

Forcat e Inspektoriatit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar nisën fillimisht prishjet në Llogara, ku u rrafshua një godinë, e cila ishte prishur para disa muajsh, por ishte ndërtuar sërish.

Në krye të aksionit ishte vetë drejtori i INUK-ut, Zyhdi Dajti, i cili jashtë kamerave u shpreh se çdo ndërtim, që nuk ka dokumentacion të rregullt, do të prishet.

Z. Dajti tha se aksioni, që nisi të dielën, do të vazhdojë në ditët e ardhshme në zonën e Himarës, ku janë evidentuar më shumë se 150 ndërtime pa leje, në të cilat do të ndërhyhet gjatë muajve në vijim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA