Mbledhja e dy qeverive në Prizren

12/01/2014 00:00

Mbledhja e përbashkët e dy qeverive në Prizren është një hap i jashtëzakonshëm në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës për diplomatin Shaban Murati dhe historianin Pëllumb Xhufi.

Të dy vënë theksin se një veprim i tillë duhej të ishte bërë shumë më parë. Për diplomatin Murati, që prej disa vitesh ka hedhur idenë e mbajtjes së një mbledhjeje të tillë, janë tre risi që përcolli takimi i dy kabineteve: “E para është mbledhja e përbashkët e dy qeverive. E dyta është vendosja e Kosovës si partner strategjik i Shqipërisë, gjë që nuk e ka bërë asnjë nga qeveritë e periudhës demokratike, megjithë emfazën patriotike që kanë patur. E treta është dokumenti i partneritetit strategjik i nënshkruar nga dy kryeministrat, që sanksionon në planin juridik nivel të lartë të specifikës së marrëdhënieve mes dy vendeve.”

“Ka rëndësi të jashtëzakonshme në marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë pasi deri tani raportet kanë qenë deklamative. Deklarata të dala jashtë llogoreve që kanë krijuar probleme edhe me partnerët. Ndërsa kjo është një mundësi që e lejon edhe praktika ndërkombëtare në marrëdhëniet mes shteteve. Natyrisht që na sjell më afër duke krijuar lidhje reale”, shprehet Xhufi.

Fondi për maternitetin e Preshevës është gjithashtu një tjetër veprim që duhet vlerësuar për historianin Xhufi e diplomatin Murati.

“Për të gjithë ata që janë shprehur të pakënaqur me shumën, them se Shqipëria dhe Kosova kanë detyrimin diplomatik dhe jo ekonomik për të mbështetur shqiptarët e Luginës së Preshevës”, thotë Murati.

“Nuk ishte një fond për Preshevën në kuptimin e gjerë. Ishte vetëm për maternitetin e Preshevës. Kjo ka vlerë pragmatike dhe simbolike”, thekson Xhufi.

Ajo që nuk bien dakord Murati e Xhufi është cilësimi i mbledhjes së një dite më parë si Lidhja e dytë e Prizrenit. Konteksti historik është tjetër, thonë ata dhe Shqipëria e Kosova vetëm po vendosin një bashkëpunim të munguar, por që në praktikën ballkanike e më gjerë mbledhja e dy qeverive nuk ka përbërë habi për askënd.

“Serbia dhe Republika Serpska kanë bërë 5 mbledhje të përbashkëta dhe nuk ka ndodhur kurrë të kritikohen për këtë gjë nga mediat. Unë mendoj se ka grupe politike dhe mediatike dhe nisen nga qëllime elektorale dhe duan të nxijnë gjithçka që ndodh me marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë”, shpjegon Murati.

“Edhe zoti Menduh Thaçi e ka quajtur marketing këtë takim, por mendoj se është infantile kjo gjë pasi një takim i tillë ka rezultate konkrete dhe projeksion të së ardhmes”, tha historiani Xhufi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA