Duket se Bashkia e Elbasanit, gjatë këtij viti, do t’i japë fund njëherë e mirë problemit të grumbullimit të mbetjeve urbane, të cilësuara si një nga ndotësit më të mëdhenj në qytet.

Mbyllja e fushës së grumbullit të mbetjeve dhe nisja e punimeve për landfillin e ri, janë përcaktuar nga kryetari i Bashkisë, z. Qazim Sejdini, si objektivi kryesor i vitit 2014.

Sejdini thotë se qeveria i dha Bashkisë një sipërfaqe prej 430 mijë m2, për trajtimin e mbetjeve urbane. Kryebashkiaku sqaron se landfilli i ri nuk do të jetë me djegie, për të mos krijuar asnjë pasojë në mjedis.

“Objektivi numër 1 është mbyllja dhe hapja e landfillit të ri të Bashkisë Elbasan. Kur them mbyllja, e kam fjalën për gjoja landfillin e vjetër, sepse nuk është landfill, por thjesht një masë plehrash, e cila i shkakton ndotje masive qytetit të Elbasanit. Ndërsa për hapjen e landfillit të ri, që me lobimin dhe interesimin e drejtpërdrejtë të kryeministrit, Elbasani tashmë ka edhe ambientin përkatës prej 430 mijë m2, i cili përbën kompleksin e vetëm të përpunimit të mbetjeve urbane, por edhe trajtimit të ujrave të zeza”, shprehet zoti Qazim Sejdini, kryetar i Bashkisë Elbasan.

Në objektivat kryesore për vitin 2014, Bashkia e Elbasanit rendit edhe infrastrukturën rrugore. Sipas Sejdinit, infrastruktura ka nevojë për ndërhyrje urgjente.

“Jemi një qytet, që kemi një hyrje të cunguar, – tha Sejdini, – dhe pa dalje”. Për këtë qëllim, Ministria e Financave ka liruar kreditë e Bashkisë Elbasan, për hapjen e disa akseve rrugore, që do të kërkojnë edhe shpronësimin e rreth 150 familjeve.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta