Familja Leskaj apelon për drejtësi

12/01/2014 00:00

Pas më shumë se 22 muajsh, familja Leskaj në Selitë vazhdon të apelojë për drejtësi.

Djali i tyre 14-vjeçar, Arnid Leskaj, humbi jetën si pasojë e shkëputjes së një kablloje elektrike në rrugë.

Firma e ndërtimit dhe CEZ, që kryen rikonstruksione, janë të paditurit në gjykatë, në një proces të nisur prej muajsh. Gjyshi i viktimës tha se policia kërkoi arrestime, por prokuroria i ndali.

“Policia bëri propozimin për të bërë arrestime, jo më pak se 4 të tilla, ndërsa Prokuroria nuk veproi. Çështjen e mori prokurori Ardian Durmishi. Jo vetëm që nuk komunikoi asnjëherë me ne, si familjarë, e mbajti dosjen për 2 muaj, kishte vështirësi për ekspertizën se nuk bëhej dhe më në fund iu arrit qëllimit për një ekspertizë të saktë, nga një grup ekspertësh në Vlorë, e më pas vazhdoi kjo histori për 13 muaj. Pas kësaj kohe, dosja kaloi në gjykatë”, shprehet Qani Leskaj, gjyshi i viktimës.

Familja Leskaj thotë se po përballet me zvarritjet e shumta në Gjykatën e Tiranës.

“Këtu ka ngecur problemi, sepse nuk shkon një dëshmitar, ndaj dhe i kemi çuar ne, e kemi ndihmuar ne gjykatën me dëshmitarët, sepse nuk shkonin. E gjitha kjo vazhdon për rreth 22 muaj dhe neve na kanë lënë në rrugë, pa zbardhur çështjen, gjë që neve na rëndon edhe më shumë. Çdo 15 ditë që shkojmë në gjykatë, shqetësohemi, revoltohemi jashtëzakonisht. Jemi në një gjendje të padurueshme. Na sjellin vetëm pengesa: njëherë nuk vjen avokati, një herë dëshmitari, këto janë zvarritjet që bëjnë”, shtoi gjyshi i viktimës.

Në të gjithë këtë proces, kjo familje ka gjetur vetëm një mbështetës, Ambasadën amerikane, ndërsa ndihet e braktisur nga shteti shqiptar.

“Ambasadori amerikan ka ardhur dy herë në shtëpi personalisht. Ka ardhur zëvendësi i tij dhe të tjerë punonjës të ambasadës, të cilët i falënderoj. Kuptohet që ata e kanë marrë në konsideratë kërkesën time dhe kanë ndërhyrë herë pas here, por aq sa u lejohet atyre”, theksoi më tej Qani Leskaj.

Gjyshi i viktimës thotë se në gjyq përballet edhe me një etikë jo njerëzore të avokatëve të të paditurve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA