Kur presidenti u thotë gazetarëve: Retushoni realitetin!

11/01/2014 00:00

ANDREA STEFANI – Retushimi sipas presidentitCa politikanë shqiptarë,
edhe në nivele të larta, nuk po heqin dorë nga tradita e të folurit me
klishera, gjë që i degradon deklaratat e tyre në frazeologji të zbrazëta
dhe plot me kundërthënie qesharake nga këndvështrimi i logjikës.

Një shembull i tillë frazeologjie ishte edhe deklarata më e fundit e Bujar Nishanit, Presidentit të Republikës, adresuar gazetarëve me rastin e festave të fundvitit. Dhe nuk është fjala thjesht për lapsuse si ai që “Krishtlindjet” i emëron “ringjallje”. Është e trishtueshme të shohësh se si zyrtari më i lartë i shtetit u sugjeron gazetarëve shqiptarë, të falsifikojnë realitetin pa e kuptuar dhe vetë atë që po thotë. Dhe ndërsa e bën një gjë të tillë i motivuar, të paktën në dukje, nga shqetësimi për imazhin e Republikës, nuk kupton se edhe deklarata të tilla vulgare për nga cektësia, bëjnë pjesë në atë mori dukurish që e rrënojnë imazhin e saj. Të mos dijë ç’thotë, është kostoja e gjithkujt që nuk rrok thelbin kuptimor të fjalëve që nxjerr nga goja. Një kosto që e shndërron të folurit në përgjithësi dhe deklaratat politike në veçanti, në llafazanëri.

***

“U kërkoj përfaqësuesve të mediave shqiptare, duke respektuar politikat redaksionale që ka gjithsecili prej tyre dhe secila nga mediat që ata kanë dhe ku punojnë e kontribuojnë, që të përpiqen sa më shumë që të jetë e mundur, larg klisheve, tërësisht të pandikuar dhe të paangazhuar në gjëra artificiale, por me përgjegjësi për të kuruar, në mënyrë të merituar, imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve.” Ky ishte mesazhi qendror i Presidentit Nishani për gazetarët. Pra, të përpiqen sa më shumë për të kuruar imazhin e vendit. Duket se Nishani nuk e kupton se ç’do të thotë të kurosh një imazh. Do të thotë që ta zbukurosh një realitet, ta retushosh, ta paraqesësh më të mirë se çfarë është në të vërtetë. Nga kjo deklaratë del se Presidenti Nishani nuk e paska kuptuar ende se gazetarët nuk janë grimierë, se misioni i gazetarëve në një shoqëri që tenton demokracinë liberale, nuk është që të kurojnë realitetin, por ta paraqesin me sa më vërtetësi atë. Misione kurimi e zbukurimi të realiteteve dhe dukurive marrin vetëm mediat në regjimet totalitare dhe autokratike. Në këtë kuptim, dhe thelbësisht, Presidenti i Republikës i ftoi gazetarët shqiptarë që ta falsifikojnë realitetin duke braktisur atë që është themelore në misionin e tyre, të vërtetën. Dhe e gjitha kjo, nën një vello babaxhanllëku patriotiko-populist për “të mirën” e Shqipërisë. Dukuria që kritikojmë, dëshmon se kemi një President Republike të cilit, mbi dy dekada që nga rënia e komunizmit, nuk i kanë mjaftuar të kuptojë dallimin mes gazetarisë dhe propagandës. Mbi 45 vjet propagandë rozë që kuronte realitetet e pakurueshme komuniste në Shqipëri, duhet të na bëjnë të kuptojmë se sa pa vlerë, madje sa në dëm të Atdheut, janë kurimet media-propagandistike, kur vetë realiteti nuk “kurohet” realisht.

 

***

Për shkak të cektësisë së deklaratës, nuk është fare e vështirë të qëmtosh edhe kundërshti logjike në të. Gazetarëve u thuhet “të kurojnë në mënyrë të merituar imazhin e Shqipërisë dhe shqiptarëve”. Ç’do të thotë të merituar?! Nëse realiteti është i mirë, ai nuk ka fare nevojë për kurim. As të merituar dhe as të pamerituar. E mira, e bukura, e përparuara, e begata nuk kanë nevojë për asnjë lloj kurimi. Mjafton që ato t’i pasqyrosh dhe raportosh ashtu sikundër edhe janë. Nëse dje vendi ka qenë keq dhe sot është bërë më mirë, mjafton të pasqyrosh këtë ndryshim dhe objektiviteti e ka vetë kurimin brenda. Prandaj në vend se t’u thuhet kuroni, gazetarëve është mirë t’u inkurajohet raportimi me vërtetësi dhe me sa më shumë objektivitet i realitetit. Deklarata mban edhe të tjera “mrekullira”. Si për shembull porosia që u bëhet gazetarëve për të qenë tërësisht “të paangazhuar në gjëra artificiale”. Po ç’është një gjë artificiale? A nuk është shoqëria njerëzore e mbushur me plot të tilla? Për shembull, a nuk është edhe vetë shteti një gjë artificiale dhe aspak natyrore? E si mund të jemi të paangazhuar në artificialitete të tilla? Një shembull tjetër ky se ç’rezulton kur fjalët përdoren pa ia ditur kuptimin. Gjen edhe plot të tjera në fjalën e shkurtër të Nishanit. Habia është: sa shumë “mrekullira” në aq pak fjali!

 

***

T’u sugjerosh gazetarëve jo raportimin objektiv, por kurimin e imazhit, është e rrezikshme, është hapje e deriçkës për gënjeshtrën, për deformimin e misionit të gazetarisë nga mirinformim në keqinformim të publikut. Personalisht, si gazetar, do të refuzoja të kuroja imazhin e vendit tim gjoja në emër të patriotizmit, të së mirës së Atdheut. Sepse e mira e Atdheut, e njerëzve të tij, është e lidhur jo me trukimin apo me kurimin e imazhit, sikundër sugjeron Nishani, por me të vërtetën, e cila, edhe nëse është e hidhur, duhet thënë në mënyrë që realiteti të mund të kurohet. Të kurohet jo në kuptimin e imazhit, por në kuptimin e ndryshimit të tij për mirë. Në fakt, deklarata e Nishanit do të kishte marrë disi kuptim sikur fjala “kurim” në të, mos të ishte përdorur si sinonim i trukimit, por në kuptimin e kurimit si proces shërimi. Por me sa duket, këto janë dallime shumë të holla për t’u kapur nga intelekti i Presidentit tonë.

***

Nishani nuk e kupton se ftesa që i bën medias për të “kuruar me meritë” imazhin e vendit, thellë-thellë është dhe një akuzë ndaj vetë medias. Është akuza rrangalle që u bëhet rëndom gazetarëve se janë ata që e nxijnë imazhin e Shqipërisë. Në fakt nuk është dhe nuk ka qenë asnjëherë kështu. Mediat kanë pasqyruar ekseset e politikës, konfliktualitetin e saj, si dhe mizerabilitetin e gjendjes së shtetit, si rrjedhojë e keqqeverisjeve korruptive të prodhuara po nga politika. Madje një media është viktimë e politikës edhe kur nxin imazhin e vendit, për shembull, duke e etiketuar me germa kapitale Kryeministrin e radhës: Idiot! Siç bëri dje gazeta e partisë së Nishanit. Por edhe në këtë rast media, me ekseset e saj jo etike, përveçse viktimë, është simptomë e një realiteti të keq, nga i cili nuk mund të shpëtojmë vetëm duke ia kuruar imazhin. Është një realitet që duhet shëruar.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta