KLSH padit për korrupsion një ish-drejtor të MSH

11/01/2014 00:00

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka paditur në prokurori Drejtorin e
Drejtorisë së Planifikimit financiar në Ministrinë e Shëndetësisë, për
shpërdorim detyre dhe korrupsion pasiv.

Nga auditi i kryer nga KLSH është konstatuar një dëm ekonomik rreth 90,000 USD dhe favorizime të padrejta ndaj operatorëve të ndryshëm ekonomikë.

Më konkretisht, nga auditimi rezultoi që Drejtori i Drejtorisë së Planifikimit Financiar në Ministrinë e Shëndetësisë S.K., në tejkalim të kompetencave të tij si përgjegjës për zbatimin e projektit “Modernizimi i Sistemit Shëndetësor Shqiptar”, ka krijuar një përqendrim të kompetencave në çështjet e prokurimit, zbatimit dhe likuidimit të kontratave, duke sjellë si pasojë përfitim të padrejtë për operatorë të ndryshëm ekonomikë.

Lidhja e kontratave me stafin e Njësisë së Zbatimit të Projektit, kryerja e shtesave të kontratave me operatorë të ndryshëm ekonomikë, fillimi i procedurave të tenderimit, rialokimi i fondeve dhe përdorimi i tyre jashtë destinacionit të përcaktuar, janë kryer nga S.K. pa pasur asnjë delegim kompetencash nga Ministri apo deleguesi i tagrave të tij.

Nga auditimi rezultoi që në disa prej procedurave të prokurimeve, S.K. ka ndërhyrë përtej kompetencave të tij ligjore në procesin e vlerësimit të ofertave të operatorëve të ndryshëm ekonomikë, duke favorizuar haptazi subjekte të veçanta, nëpërmjet krijimit ndaj tyre të mundësisë së plotësimit të dokumenteve të ndryshme kualifikuese, pa të cilat këta operatorë ekonomikë do të skualifikoheshin automatikisht nga komisioni përkatës.

Nga auditimi rezultoi se vlera totale e dëmit të shkaktuar si pasojë e këtyre veprimeve të. S.K. është rreth 90,000 USD dhe përveç kësaj, një pjesë e mirë e fondeve të projektit janë përdorur jo me ekonomicitet, eficiencë dhe efektivitet, duke favorizuar padrejtësisht operatorë të ndryshëm ekonomikë.

Gjithashtu, S.K. ka penguar gjatë periudhës së auditimit, audituesit e KLSH-së në kryerjen e detyrës së tyre funksionale audituese, nëpërmjet mosvënies në dispozicion të dokumentacionit të kërkuar nga ana e tyre, mosdhënies së aksesit në e-mailin zyrtar të projektit, si dhe krijimit të pengesave artificiale ndaj grupit të auditimit.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, përveç kërkesës drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë për fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Largim nga shërbimi civil”, ka depozituar njëkohësisht për S.K. pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, kallëzimin penal për konsumim të elementëve të figurës së veprave penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” si dhe “Kundërshtimit të punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose shërbim publik”, parashikuar nga nenet 248, 258 dhe 235 të Ligjit nr. 7895, datë 27.1.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë”, me ndryshimet përkatëse

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA