Top Story, ku po shkon e djathta?

09/01/2014 00:00

Në serinë e parë të “Top-Story” për vitin 2014, debati iu dedikua tërësisht të djathtës shqiptare. E djathta shqiptare, për disa analistë sot është në momentin më të vështirë të ekzistencës së saj. Sidoqoftë, një gjë është e qartë që nuk është e bashkuar, edhe sepse brenda saj ka tashmë rryma të cilat besohet se shumë shpejt do të ndeshen, kur kjo parti është në prag të zgjedhjes së forumeve të saj të reja.

Një pjesë e së djathtës është e përçarë edhe sepse garoi e vetme në zgjedhje, duke e dëmtuar në disa qëndra të mëdha urbane vetë Partinë Demokratike, edhe pse në fund nuk mundi të prodhonte deputet.

Është e vështirë të kuptosh në Shqipëri se si një parti joparlamentare mund të ketë rëndësi në politikën e vendit, por kur një nga figurat më popullore të së djathtës udhëheq këtë parti, atëherë gjithçka duket ndryshe.

Pikërisht, për të folur këtë, Sokol Balla ftoi në studion e tij ish-Presidentin e Republikës, zotin Bamir Topi, i cili u vendos në bisedën e tij edhe dy analistëve të mirënjohur, komentatorin e MAPO-së, Arjan Vasjarin dhe ish-deputetin e Partisë Demokratike, Mark Markun.

Natyrisht, pyetja nisi me atë që ka ndodhur me Frymën e Re Demokratike, në gjashtë muajt që kanë pasuar zgjedhjet e datës 23 Qershor. “Çfarë ka bërë FRD në këto gjashtë muaj, kemi bërë atë që është më racionale për një njeri apo një grupim politik, që të merret me një analizë të brendshme larg ndërhyrjeve apo debateve mediatike. Praktikisht, ne kemi bërë një analizë të të gjithë strukturave të përgjithshme, kemi analizuar të gjithë periudhën parazgjedhore, punën e strukturave të FRD, paraqitjen natyrisht të diferencuar në qarqe të ndryshme dhe arsyen pse morëm këtë rezultat”, komentoi zoti Topi.

Në zgjedhjet e përgjithshme, FRD arriti të grumbullonte 30 mijë vota, të cilat të vendosur përkrah një aleance, do të kishin prodhuar medoemos të paktën 2-3 deputetë. Ndaj pyetja që shtrohet natyrshëm është, a gaboi kjo forcë që qëndroi jashtë koalicioneve? “Unë besoj se ky është një arsyetim mekanik. Këtu nuk futet në analizë profili i FRD, arsyet pse u themelua kjo parti dhe unë besoj se kemi qenë absolutisht në një pozicion të drejtë. Është më e thjeshtë të bësh analizë “post-factum”, por nëse do të merrja një vendim sot, jashtë emocioneve që të jep një garë elektorale, do të kishim marrë të njëjtin vendim. Ky subjekt u ndërtua mbi disa objektiva dhe me një filozofi të caktuar. Mendoj se gjëja më e rëndësishme, edhe mbi rezultatin, ishte formimi i identitetit të kësaj force. Unë e kam thënë që me Partinë Socialiste nuk lidheshim në filozofinë tonë. E kemi thënë që jemi parti e qendrës së djathtë, ndërsa me Partinë Demokratike nuk lidheshim për shkak të moralit të saj e unë besoj se sot e kësaj dite të njëjtat arsye qëndrojnë, madje u cetifikuan edhe nga zgjedhjet.

Jashtë Parlamentit, FRD-së i duhet të presë 2 ose 4 vjet për të marrë pjesë në një fushatë tjetër elektorale. Natyrshëm, në Shqipëri, kjo shoqërohet me një një kosto, me një erosion figurash dhe humbje të vëmendjes mediatike. Natyrisht, qënia e Topit si kryetar i kësaj force, sigurisht e ruan FRD, të paktën pjesërisht nga kjo sindromë. Megjithatë, si mund të jetë kjo forcë një faktor politik në vend edhe jashtë Kuvendit?

“Së pari, duhet të themi që se sa vota realisht mund të ketë marrë FRD dhe kur unë thashë që bëmë një analizë brenda strukturave është dashur të analizojmë në mënyrë objektive rezultatin e madh. Asnjëherë nuk kam bërë deklarata apriori të pabazuara, por në bazë të një analize të thellë, në kushtet kur s’kemi pasur komisionerë dhe vëzhguesit tanë janë mbajtur larg, unë ju them se me një deduksion të bazuar në të thëna të njerëzve të cilët kanë interpretuar rezultatin, unë mendoj se FRD në shkallë Republike duhet të ketë marrë dyfishin e votave. Së dyti, çështja e sistemit dhe trajtimi në mënyrë bipolar i çdo vendimmarrje bëri që partitë tradicionale morën në dorë kontrollin e administrimit zgjedhor. Ka pasur një debat lidhur me daljen e ish-kryeministrit, i cili nuk merakosej, mbase edhe sepse ishte i bindur për rotacionin, nuk merakosej për kundërshtarët kryesorë politikë, por përqendrohej në luftën ndaj formacionit tonë… Unë sot vetëm mund të rikonfirmoj mbi bazën e informacioneve tona këtë, ndërsa ai është marrë direkt nga komisionerët”, iu përgjigj Topi kësaj pyetje.

Në marrjen e fjalës, Marku e konsideroi si një fat mbetjen e FRD-së jashtë Kuvendit, pasi do t’i japë më shumë kohë formimit të një identiteti të qartë, ndërsa theksoi se objektivisht, koha për krijimin e një boshti të mirëfilltë të suksesshëm, në dispozicion të kësaj force të re politike, ishte tepër e shkurtër. “Rasti i FRD-së është një sindromë e demokratizimit të së djathtës. E para duhet pasur parasysh që është shumë e vështirë të organizosh një parti të suksesshme në një kohë kaq të shkurtër”, nisi analizën e tij Marku.

“Unë për vete habitesha me entuziasmin e FRD kur thonte do të fitojmë 5-6 deputetë, por në thelb është e vështirë të krijosh një strukturë elektorale. E dyta ka qenë problem i identitietit, FRD tregonte se çfarë nuk duhet të ishte PD dhe në një farë mënyre kjo ishte pozitive, por nuk kishte një vision të vetes si forcë e re e djathtë. Ne e dinim se çfarë nuk funksiononte në këto vite tek e djathta, por ajo nuk mundi të tregonte se cila do të ishte e djathta moderne shqiptare… Problemi tjetër është tek vetë zoti Topi, pasi vetëm ai dhe Oketa mund të quhen figura përfaqësuese. Nga ana tjetër, nuk mendoj se një forcë ringrihet duke qenë në Parlament, madje mendoj pikërisht të kundërtën, që mosqënia në Parlament jep kohë për riorganizim dhe për t’u bërë diçka e përceptueshme nga shqiptarët në zgjedhjet e ardhshme”, shtoi ish-deputeti demokrat.

Në komentin e tij, Vasjari çmoi se “bashkë me Berishën, FRD është ndër humbësit e mëdhenj të 23 Qershorit, madje them që humbja e FRD-së është e trefishtë. E para përballë së majtës, e dyta përballë së djathtës dhe së treti, humbja e FRD përballë pritshmërive. Pyetja që shtrohet? A mund të ekzistojë një parti e djathtë jashtë PD-së, a është habitati politik shqiptar i përgatitur për t’u ndërtuar në tripolaritetin? Në mendimin tim jo, pasi skena politike është e përqendruar në bipolare dhe të mendosh të rikthesh tani tripolaritetin, më duket jorealiste”.

Në këto kushte, Vasjari i drejtoi një pyetje konkrete dhe të drejtëpërdrejtë zotit Topi: “Përse duhet të ekzistojë Fryma e Re Demokratike?”.

“Unë, për t’iu dhënë një përgjigje jo shumë koncize, por duke iu referuar një figure të madhe të demokracisë, ish-Presidentit të Çekisë, Vaclav Havel, i cili do të vijë shumë shpejt për lexuesin shqiptar nëpërmjet një libri që po përpunoj vetë, unë kam pasur fatin ta takoj personalisht dhe të shkruaj ndjesinë e tij. Ai i referohet revolucionit çek si revolucion i kadifejtë. Iu referua revolicionit Ukrainas me termin portokalli, iu referua atij në Rumani si flakë kashte dhe i referohet një revolucioni që ka ndodhur në Shqipëri (I referohet fundit të komunizmit), si shumë i çuditshëm, që mund të perifrazohet si revoluicioni i bisedimeve në tavolinë, ndaj nëse do t’i kthehemi kësaj figure të madhe, thotë teksa edhe në vitet e fundit të jetës vazhdoi të merrej në mënyrë aktive me jetën shoqërore,  që “më skuqen veshët kur kujtoj figurat e zeza që kemi lënë ende në politikë, të cilët i futën shkopinjtë në rrota demokracisë, por janë vazhdues të atij mentaliteti që u rrëzuam në diskursin shqiptar”. FRD ekziston jo sepse deshëm ne të bënim një parti, por si rrjedhojë e nevojës për të rikthyer vlerat e të djathtës së deformuar në Shqipëri. PD nuk përfaqëson më të djathtën dhe ai që vazhdon ende të udhëheqë këtë parti (nënkupton zotin Berisha), implementoi të gjithë filozofinë e komunizmit dhe e çoi të djathtën drejt dështimit të plotë. Ndaj, mendoj se mund e duhet të ketë një parti tjetër që ka si element çështjet e së djathtës, pronat, të përndjekurit, krijimin e institicioneve të shtetit që të funksionojnë me standarte reale për demokracinë dhe mbi bazën e një terminologjie jo vetëm politike, por funksionale gjithandej”.

Pjesën e dytë nisi me raportet FRD-PD dhe me gjendjen e së djathtës. Kreu i FRD-së Bamir Topi ripërsëriti qëndrimin që për sa kohë në PD do të jetë Sali Berisha, nuk mund të ketë asnjë lloj bashkëpunimi mes këtyre dy partive. Madje ai tha se në të vërtetë PD drejtohet nga Sali Berisha dhe jo nga kryetari i zgjedhur në korrik, Lulzim Basha.

“Dy vite më parë,  ky ish-kryeministër, që ishte përfaqësues i së djathtës, bënte ironi me vetëvrasjen e ish të përndjekurve në mes të Tiranës, ai që nuk zgjidhi asnjëherë cështjen e tyre, cështjen e pronës, madje e ngatërroi më keq. Prandaj unë mendoj që nuk ka një të djathtë sot në Shqipëri. E djathta reale ka nevojë të riformatohet në Shqipëri dhe askujt të mos i shkojë në mendje që pas 23 vjetësh ne kemi një të djathtë. Partia Demokratike nuk është e djathtë, që në histori ka përjashtimet e elementëve të djathtë, madje ka brenda saj elementë të majtë”, tha Topi.

Mark Marku, ish-deputet i PD, ngriti pyetjen:  “Në fillim ka qenë më shumë e majtë, më pas 1994-1997 pati një vetëpërfaqësim më të lartë të të djathtës në PD. Pas ‘97 ka qenë shumë i dobët, ndërsa elektoratin e ka patur kryesisht të djathtë. Si do e zgjidhni ju këtë? Si do bindni elektoratin e djathtë të mos votojë për PD?

Bamir Topi: FRD ka mjaft figura që e kanë rritur personalitetin e tyre jashtë FRD, por këtu ka një defekt të madh, këtu hapen studiot për njerëz pa vlerë dhe mbyllen për njerëz të spikatur. Unë jam i bindur që mbi bazën e këtyre figurave ne do të krijojmë programin tonë. Ju siguroj që jam jashtë cdo lloj emocioni për të deformuar situatën reale të PD, që është në një situatë dramatike, është një situatë dramatike dhe kjo shihet. Cështja është tek filozofia, një filozofi arkaike që nuk përfaqëson asgjë.

Pas zgjedhjes si kryetar, një deklaratë e Bashës i lexua si një ftesë për FRD. Më pas vetë Basha përgënjeshtroi gjithcka, por a është e gatshme FRD të bashkëpunojë me PD nëse mbërrin një ftesë e tillë?

Bamir Topi: Sa kohë të jetë Sali Berisha në atë parti, të mos mendojë njeri që zoti Basha dhe cilido tjetër mund të ketë kurajo për të qenë vetvetja atje. Është një produkt artificial i Sali Berishës. Më vjen keq që e them këtë, sepse unë me zotin Basha kam marrëdhënie normale njerëzore. Por nuk ka shanse asnjë njeri që të krijojë figurën e tij aty, aq më tepër që të jetë katalizator i riogranizimit të PD. De jure është Basha, de fakto është Berisha. Nuk kemi patur asnjë komunkim zyrtar me PD, Basha paradite mund të ketë ftuar, pasdite i është bërë vëretjeje dhe u tërhoq”.

Mark Marku vlerësoi se “të gjitha pjesët e së djathtës varen tek PD”: “Të gjitha forcat e së djathtës janë përqendruar gabimisht tek një forcë politike që s’ka dashur kurrë të jetë e djathtë sepse historia e saj është e tillë. Ajo vazhdon dhe do jetë formacion i rëndësishëm politik në Shqipëri, por nuk mund të përqendrohen të gjithë tek PD. Nga ‘94 e këtej PD nuk ka patur kurrë votën shumicë të shqiptarëve. Që e djathta të bëhet shumicë, duhet që ose të jetë shumë e pluralizuar, që është e pamundur me PD e sotme, ose të shtohen alternativat e së djathtës, përndryshe e djathta do ta ketë të vështirë të kthehet në pushtet”.

Kryetari i FRD-së tha se ambiciet e partisë që ai drejton nuk janë për pushtet, por për shtetin dhe qytetarët: “Ne sot nuk vuajmë për pushtetin, madje kemi patur me tepri të tillë, ne sot vuajmë për shtetin. Duam rend, duam një formalizim të ekonomisë, institucuione të forta, profil të qartë të shtetit shqiptar, gjë që i mungon. Nëse i referohemi atyre që kemi patur në progam, programi ynë nis me forcimin e institucioneve dhe jo pushtetit”.

Duke iu rikthyer edhe njëherë bashkimit të së djathtës ai tha: “Bashkim i së djathtës me cfarë filozofie? Personazhi që ka fuqinë në atë formacion politik (PD), njeriu anti-institucione që në një farë mënyrë është penduar që dha dorëheqjen dhe sot është bërë qesharak. E kam të vështirë të kuptoj nëse ish-kryeministri ka qenë pro apo kundër armëve kimike”.

PD ka sulmuar Bamir Topin si tradhëtar duke e akuzuar atë se në zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës votoi për Edi Ramën. Në këtë aspekt raporti me PD është delikat, nëse FRD largohet nga PD do të quhet tradhëtar, nëse afrohen do thonë erdhi prap ky planprishësi….

Kësaj dileme dhe këtyre akuzave Bamir Topi iu përgjigj: Si shpejgohet që PD ka sot këtë rezultat dramatik? Sepse zoti Islami është atje sot. Unë shoh një dinamikë që con partinë në ato shifra dhe koha me sa duket do të na japë të drejtë ne. Nëse është në vullnetin dhe dëshirën e një individi, ajo s’quhet me demokratike. Unë shoh një të ardhme shumë të errët të asaj partie dhe për fat të keq të së djathtës që vazhdon të përfaqësohet në mënyrë institucionale nga ajo parti. Ne sot jemi për dialogimin me demokratët e thjeshtë që duan t’i japin frymë dhe jetë një partie të vërtetë të djathtë. FRD është e hapur për këtë. Kështu sic janë konfiguruar dhe janë pozicionuar nuk ka asnjë të ardhme PD-FRD, por mqs në politikë nuk mund të themi kurrë, do të shihet se si do të bëjnë atë metamorfozën e tyre dhe forca në terrenin shoqëror”.

Po marrëdhëniet me PS, me të cilën u bashkuan në votimin e Korçës?

Bamir Topi: Në momentin kur partia e parë e pluralizmit shkon dhe eliminon garën e kandidates tonë me mekanizmat që kishte, në këto kushte ne orientuam zgjedhësit në krahun tjetër. Ne ishim të gatshëm të merrnim pjesë të vetëm, por kjo na u mohua ndaj mbështetëm përfaqësuesin e atij krahu që ishte kundërshtar me ne, por nuk tregoi asnjë pozicion armiqësor me ne. Pastaj edhe tjetra, që asnjë përfaqësues i FRD nuk është sot punonjës i bashkisë së Korcës dhe kjo tregon që nuk ka asnjë marrëveshje politike. Vazhdojmë të qëndrojmë në të njëjtat situata”.

Kryetari i FRD-së u pyet edhe për emërimin e Blloshmit në krye të Institutit të të Përndjekurve Politikë: “Blloshimi para se të jetë i FRD është një figurë nga më emblematiket e shtresës së përndjekurve politikë. Nuk ka asnjë marrëveshje, por mesa duket kryeministri Rama e ka parë të arsyeshme të vendosë aty, në atë pozicion njeriun që e meritonte më shumë”, tha Topi.

Vlerësimi për qeverisjen e majtë në këto 100 e ca ditë. Bamir Topi: “Kemi ndryshim me PD, sepse ata e nisën opozitën ende pa ardhur në pushtet Rama, ndërsa ne pritëm të konsumoheshin 100 ditë. Unë mendoj që Meta dhe Rama janë sot në  pushtet me mazhorancë të cilësuar, me luks dhe përgjegjësi. Mendoj që kanë humbur kohë. Ka marrë një pushtet të degraduar, të amortizuar dhe ne ishim për rotacion. Kanë marrë një detyrë të vështirë, ka përpjekje për të ndryshuar situatën, por ka mjaft punë. Mendoj që një njeri që merr këtë detyrë duhet të merret me cështjet e rëndësishme, për të forcuar shtetin e së drejtës, peshën e institucioneve, për të shkuar tek ajo që është thembra e Akilit, formalizimi i gjithckaje që sot konsiderohet informale, tek institucionet, kompanitë e biznesit, dhe shumë elementë të tjera që e bëjnë punën e qeverisë. Sot cështja kryesore është cështja e formalizimit të ekonomisë. Rikthimi i FMN ka qenë një lëvizje e detyruar me atë gropë të madhe në buxhetin e shtetit dhe problemet e jashtëzakonshme të qeverisë me të tretët”.

Lidhur me drejtësinë, Topi tha: “Do ta nisja aty ku kam gjetur defektet më të mëdha kur isha kryetar shteti, mungesa e reformave. Kam qenë i detyruar që të kompensoj mungesën e vendimmarrjeve parlamentare për rinovimin e KLD. Kemi qenë të detyruar të organizojmë konferencën gjyqësore për të zgjedhur 9 përfaqësues. Politika duhet të reformojë drejtësinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA