Nuk është ashtu sic mendon ti!

09/01/2014 00:00

Leonard Boduri – Zgjedhjet parlamentare janë ngjarja më e rëndësishme e
vitit 2013. Rilindja shkëlqeu më 23 qershor, pasi arriti të bënte
“blerjen” e LSI-së në “merkaton” e pranverës dhe të fikte megafonat e
tezës së moralit të pastër të mbajtur për tetë vite me radhë.

Dëshira për pushtet i rilindësve u shfaq ditën për diell si qëllim në vetvete me çfarëdo çmimi. Nuk mund të gjykohet fituesi, por rezultati mund të arrihet shpeshherë edhe me “vetënokaut”-in e pashmangshëm të kundërshtarit. A mund të themi se kemi pasur ndonjëherë ndonjë fitues të vërtetë në politikën tonë të trazuar, përveç zgjedhjeve të vitit 1992(edhe për to mund të ketë dyshime)? Kryesisht peshorja e pushtetit është përcaktuar nga vota kundër. Fitorja e së djathtës në vitin 2005 ishte më shumë një votë kundër Nanos dhe modelit të tij qeverisës gati monarkik, sesa një votë pro pikëpamjeve të opozitës për mënyrën se si do të administronte vendin. Së fundi, kemi filluar të lexojmë programin e Rilindjes pas proçkave që na dëgjojnë veshët përditë, pasi deri para zgjedhjeve retorika kundër pushtetit ishte kaq e fortë, saqë askush nuk e kishte vrarë mendjen për programin qeverisës dhe ai natyrisht ngeli në plan të dytë. Jo pa qëllim kapërcyem zgjedhjet e vitit 2009, pasi programi 1000 faqësh i opozitës së asaj kohe u bë barsoletë dhe jo më të kishte njeri durimin për ta lexuar, por edhe për shkak të një rezultati të shumëdiskutuar dhe të dyshimtë të atyre zgjedhjeve. Sidoqoftë, opozitat përgjithësisht nuk kanë ofruar një model konkurrent për të administruar vendin, por i janë nënshtruar mjeshtërisë së baltosjes dhe pritjes për vetërënien e pashmangshme të kundërshtarit.

Ça fati?!

Meritokracia është kali i betejës i trumbetuar fort nga qeverisja e re. “Keqkuptimi” që u përdor mediatikisht nga të djathtët se shtyrja e hyrjes në fuqi e Ligjit për Nëpunësit Civil (një nga dy ligjet e votuara me shumicë të cilësuar si kusht për marrjen e statusit për vend kandidat në BE) me anë të Aktit Normativ të qeverisë kishte për qëllim spastrimin e administratës dhe kënaqjen e orekseve partiake nuk është i vërtetë. Jo vetëm kaq, por edhe pas hedhjes poshtë të ligjshmërisë së Aktit Normativ nga Gjykata Kushtetuese, ne kemi parë që konkurset për vendet më të rëndësishme në administratën publike kanë qenë jashtëzakonisht transparente dhe në shumë raste janë zhvilluar në praninë e drejtpërdrejtë të mediave vizive. Kemi vënë re nga rezultatet e konkurseve (të hapura vetëm për anëtarët e partive të mazhorancës), se mazhoranca e re ka pasur në gjirin e anëtarësisë së saj personat më të kualifikuar dhe me shpirt të lartë gare, pasi nuk ka ngelur ndonjë udhëheqës i PS-së apo LSI-së në rrethe që nuk ka fituar konkursin për drejtorinë më të rëndësishme rajonale, të cilës kishte katër pesë muaj që i kishte vënë syrin dhe nuk e kishte zënë gjumi natën. Paragjykimet janë një dukuri shumë e përhapur në shoqërinë tonë, por nuk duhet të anashkalojnë edhe një element shumë të rëndësishëm për të fituar një garë, një konkurs për një vend pune në administratë apo një biletë lotarie: të jesh me fat!

Nuk dua të shoh votën time!

Me dorëheqjen e z. Peleshi nga Bashkia e Korçës, iu hap rruga garës së parë elektorale pas zgjedhjeve të qershorit. Parashikimet sipas të gjitha vlerësimeve paraprake nxirrnin fitues përfaqësuesin e mazhorancës së re pa pikë problemi. Mirëpo mazhoranca e re luan në mënyrë të kujdesshme dhe punoi fort për të salduar rezultatin, duke organizuar dhe “subvencionuar” udhëtimin për në Korçë të votuesve. Emisioni “Fiks Fare”, edhe pse me shumë vonesë për një dukuri kaq të përhapur prej shumë vitesh dhe tejet “normale” për standardet tona zgjedhore, nxori në dritë të palarat e një procesi zgjedhor të udhëhequr nga 2 mijë lekëshat. Forca më progresiste në aspektin e vlerësimit të vullnetit të popullit, e cila me të drejtë zhvilloi pas zgjedhjeve të 2009-s protestat më të mëdha për transparencën e zgjedhjeve dhe një grevë epike urie për të bërë transparencën dhe për të parë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë, heshti turpësisht para një akti antidemokratik të kryer nga ajo vetë me vullnet të plotë. Ish-grevistët e urisë për të parë votën e tyre papritur po mbajnë pankarta të reja nëpër duar me mbishkrimin: Nuk dua të shoh votën time!

Refuzimi i armëve kimike dhe i statusit kandidat

Refuzimi mund të lexohet edhe si sukses sidomos kur kemi të bëjmë me refuzim për demontimin e armëve kimike. Nga pikëpamja afatgjatë, një vend që dëshiron të zhvillojë turizmin më mirë të legalizojë përdorimin e hashashit dhe të bëjë paqe me Lazaratin që nuk e bën dot zap (ose më saktë që nuk i intereson askujt ta bëjë zap), sesa të marrë përsipër demontimin e armëve kimike. Qeveria e re u tregua më shumë se diletante në mënyrën se si menaxhoi kërkesën amerikane për demontim, por ajo që mund të na shqetësojë është mënyra se si amerikanët mund të shprehin zhgënjimin e tyre. Nga ana tjetër viti 2013 u mbyll me një surprizë të pakëndshme: refuzimin e papritur dhe të paargumentuar të statusit kandidat të vendit nga BE-ja. Kushtet ishin të qarta dhe të mirëpërcaktuara më parë dhe statusi duhej të ishte thjesht një formalitet. Pas miratimit të dy ligjeve (për Gjykatën e Lartë dhe Nëpunësin Civil) si dhe të Rregullores së Parlamentit, i vetmi kusht i vendosur nga BE-ja ishte zhvillimi i zgjedhjeve pa probleme, objektiv i cili u arrit dhe u pranua si i tillë nga vetë BE-ja. Europa po bën çmos që të përfshijë Ukrainën në gjirin e saj, pavarësisht se nga pikëpamja e standardeve të kërkuara është vite-dritë larg, por me Shqipërinë që i ka kryer detyrat e shtëpisë po përdor një standard tjetër: refuzimin. Refuzimi i statusit ishte i thatë dhe i papërtypshëm. Të ketë gisht zhgënjimi i Uashingtonit në këtë punë, apo Holanda po e ndien gjithmonë edhe më shumë konkurrencën e Lazaratit në tregun e saj të brendshëm?!

Gaztorët e mbretit dhe paketa fiskale

(Ëmbëlsira për në fund) Në oborret mbretërore është e zakonshme prania e eunukëve dhe gaztorëve. Mbreti ka gjithmonë të drejtë, por kur kjo nuk është e vërtetë atëherë duhet vërtetuar e pavërteta. Të gjithë prisnim zbatimin e parimit të progesivitetit në politikat fiskale, por gjatë rrugës, pasi ke marrë pushtetin dhe ke ngrohur karrigen objektivat mund të ndryshojnë. Kompanitë që kanë fitime në miliona euro (multinacionalet, korporatat) do të tatohen maksimalisht deri në 15 për qind, ndërsa shpërndarja e dividentëve për aksionerët e tyre (shfrytëzues të kapitalit dhe jo të punës së drejtpërdrejtë individuale) do të vazhdojnë të tatohen vetëm në masën 10 për qind. Nga ana tjetër, klasa më e kualifikuar e vendit goditet me një tarifë të sipërme në masën 23 për qind, apo 8 për qind më shumë sesa kompanitë që arkëtojnë miliona euro fitime dhe 13 për qind më shumë se mbajtësit e aksioneve të multinacionaleve që operojnë në vendin tonë. Mbajtja e dy nivele të ndryshme të taksimit për multinacionalet inkurajon shpërndarjen e dividentëve që nënkupton daljen e burimeve financiare jashtë vendit dhe më pak investime në vend. Eunukët kanë miratuar vendimin e mbretit dhe nuk kanë nxjerrë zë, ndërsa gaztorët kanë thurur vargje të reja për triumfet që na presin në vitin 2014 për shkak të paketës së re fiskale. Askush nuk e ka shkuar nëpër mend që një rritje e “çmimit” të detyrimeve fiskale mund të rezultojë fatal dhe më i vogël në vlerë absolute se të ardhurat e realizuara deri më tani me paketën e vjetër fiskale. Flamuri i Robin Hudit ka rënë. Për shkak të paaftësisë së qeverisjes për të rritur të ardhurat nëpërmjet uljes së normës së evazionit fiskal, është aplikuar “taksa e sheshtë” mbi mallrat e fortë dhe rritja e diferencuar e tatimeve, por me anë të një skeme aspak progresive si ajo që ishte premtuar. Tashmë po valëvitet në qiell flamuri i Sherifit të Notingamit: Ai që fiton më pak paguan më shumë!

Gazeta “Shqip”

Top Channel