ALEKSANDËR ÇIPA – Kronikës së krimeve gjatë dy javëve të fundit u janë
shtuar dy ngjarje të cilat, jo vetëm prej politikës, janë cilësuar krime
me qëllime politike.
Qysh në perceptimin e parë nënteksti politik është afishuar dhe pranuar menjëherë, si prej mediave ashtu edhe prej palëve politike në vend. Ndërkohë që procedurat e hetimit dhe investigimit natyrshëm vijojnë me ngathtësi dhe në varësi të kohës dhe gjurmëve që zbulohen. Episode të tilla kishte kohë që mungonin në realitetin e vendit.
Prej vitesh kësi aktesh si ai i gjetjes së lëndës eksplozive në autoveturën e prefektit të Vlorës, zotit Besnik Dervishi, hedhjes së tritolit në një shtyllë të linjës së interkonjeksionit Shqipëri-Mal i Zi në zonën e Milotit, si dhe granata e shpërthyer në oborrin e shtëpisë së kryetarit vendor të PD-së në Pogradec, kanë qenë të munguara dhe të harruara qysh prej viteve 1998.
Gjatë këtyre ditëve selitë politike dhe disa prej komentuesve kanë evidentuar faktin se kësi aktesh të japin mundësinë të hamendësosh lehtë një prapavijë politike. Kjo është një qasje që ende nuk është shteruar, pasi edhe vetë reagimet partiake janë në vijim dhe madje duke kaluar kreshendo nga deklarata denoncimi në deklarime ultimative të akuzimit politik. Madje, duke lënë si fjali të fundit qëndrimin e tyre të distancimit dhe dënimit të autorëve dhe aktet e ngjara. Kjo kronikë e ricikluar befas së fundi, natyrshëm u çel rrugë eufemizmave politikë dhe natyrisht të zgjon asosacione falë historisë së freskët të kësaj forme dhe mënyre komunikimi publik mes dy kampeve të politikës në vend. Për këtë arsye, politikani më i paragjykuar në raport me këto akte është ish-kryeministri Sali Berisha, deputet dhe kryetar ende në hije i partisë kryesore të opozitës. Historia politike, por më shumë ajo opozitare e tij është e pasur me episode të tilla në kohën kur gjendej opozitar përballë politikanit që iu imponua pensioni, Fatos Nano. Sasitë e tritolit të shpërthyera në shtylla tensioni dhe objekte periferike dhe incidentet me përmbajtje të pakundërshtueshme politike, janë elemente dhe episode të shumëshfaqura dhe shpeshtronditëse në kohët me konfliktualitetin më të madh politik, në vitet e të quajturit tranzicion postkomunist shqiptar.
Rikthimi i kësi episodesh në realitetin e Shqipërisë së 2014-s, është logjikshëm pjesë e një strategjie, jo për destabilitet apo tension, por më së shumti për një motiv imazhi. Shumica qeverisëse po e komenton si tentativë e pastër për të goditur aty ku po realizohet angazhim më tepër prej qeverisë, te rendi, siguria dhe ligjzbatimi. Nuk do shumë mend për t’u zbardhur ky motiv, i cili në të vërtetë duket se vret imazhin, por realisht plagos politikisht edhe më shumë opozitarizmin politik në vend. Këtë efekt të dytë, jo e gjithë opozita duket se e vlerëson dhe peshon si të tillë. Episode të tilla në një këndvështrim tradicional, duket se investojnë dy linja brenda opozitarizmit, atë konstruktivisten dhe atë radikalen.
Por një situatë e tillë e ricikluar, në të vërtetë kërkon një qëndrim të ri inteligjent të institucioneve antikrim dhe ekspertëve të policisë dhe hetimit shqiptar. Në një këndvështrim të njohur, episode të tilla kanë brendinë dhe kumtin e shfaqjes së siluetave të krimit politik në vend. Është një pistë dhe një shfaqje e kamufluar e cila duhet dekodifikuar drejt, pa komplekse dhe jo duke u dominuar nga reagimi dhe këmbëngulja sipas pistës që ofron debati apo polemika politike. Një precedent i tillë, rikthen së pari politizimin e policisë, prokurorisë, hetimit dhe pse jo edhe institucionalizmit antikrim në vend. Kjo është kostoja më e madhe që i shkaktohet në kësi rishfaqjesh ligjit dhe besueshmërisë publike të institucioneve. Siluetat e krimit politik nuk e bëjnë më të lehtë zbardhjen e ngjarjeve dhe sidomos evidentimin apo kapjen e maskave të krimit, qofshin ato edhe me uniformën e “Babagjyshit të Vitit të Ri”. Kësi siluetash na sjellin në vëmendje se sa komplekse janë marrëdhëniet mes politikës dhe përdorimit të shtetit, politikës dhe përdorimit të elementit kriminal. Pësimet tona si shtet, shoqëri dhe individ, në kësi kontraktimesh individuale apo edhe në nivel “skotash” parapolitike dhe politike, kanë qenë të shumta përgjatë kohës së tranzicionit. Në vite të shkuara të këtij tranzicioni, kur lufta politike implementohej si patologji fisnore e partiake dhe prej së cilës dallgët e konfliktit dhe tensionit kanë qenë shumë herë më shembëse se lëvizjet sizmike, qytetarët e vendit u shndërruan në viktima dhe dëshmitarë të papërfillur. Kur disa episode të njohura bëhet çmos të mos përsëriten, atëherë evitohet edhe përsëritja e historisë. Vendi nuk ka më kohë për të përsëritur tranzicion, prandaj shteti dhe politika të hedhin dritë dhe të kapin pa kohëhumbje siluetat e shfaqura të krimit politik.
Gazeta “Shqip”
Top Channel