Kriza që ka mbërthyer Turqinë

07/01/2014 00:00

A është kjo në Turqi një krizë shtetërore? Në fakt, kjo është një pyetje e gazetares turke të BBC-së, Selin Girit. Ajo shkruan:

Së pari, ishte lajmi se qeveria turke shkarkoi 350 oficerë policie në Ankara, nga poste të ndryshme, nëpërmjet një dekreti qeveritar të publikuar në mesnate, ku përfshiheshin shefat e krimit financiar, anti-trafikut, krimit kibernetik dhe njësive kundër krimit të organizuar.

Pas tij, menjëherë lajmi i një operacioni të njëkohësishëm në pesë qytete në Turqi, gjatë të cilit u ndaluan më shumë se 25 persona, biznesmenë dhe zyrtarë të dyshuar për ryshfete dhe falsifikime tenderash.

Më pas, bordi i lartë i Gjykatësve dhe Prokurorëve vendosi të investigojë shefin e sapozgjedhur të Policisë së Stambollit dhe disa prokurorë, që mbikqyrnin hetimet për korrupsion, që nisën në Dhjetor të vitit të kaluar.

Më tej, oficerët e policisë, që morën pjesë në operacionin e kryer gjatë ditës, u shkarkuan nga postet e tyre. Një deputet i opozitës kërkoi të ndërhyhej në këtë krizë.

Të gjitha këto lëvizje vijnë në kohën kur qeveria e Erdogan-it përpiqet të frenojë rënien masive politike, nga hetimet për korrupsion ndaj katër ministrave të qeverisë, disa biznesmenëve dhe bankierëve.

Kjo është shndërruar në sfidën më të madhe politike të qeverisë, gjatë 11 viteve të Erdogan-it në pushtet. Ai e quajti një komplot të ndyrë për të rrëzuar qeverinë e tij dhe se nuk do të lejojë një shtet brenda shtetit, një fjali që i referohej lëvizjes së drejtuar nga Imami Fethullah Gulen, që jeton në mërgim, në SHBA prej 1999.

Qeveria e akuzon atë dhe lëvizjen “Cemaat” se fshihet pas hetimeve, një akuzë që Gulen e hedh poshtë. Megjithatë – shkruan Selin Girit, – kriza e fundit në Turqi shihet gjerësisht jo vetëm si një hetim për korrupsion, që supozohet të përfshijë qarqet e afërta të Erdogan-it, por një luftë e ashpër mes AKP dhe “Cemaat”.

Disa besojnë se mbështetja e “Cemaat” ka qenë decizive, që AKP të siguronte fitoret në zgjedhje për tri mandate radhazi; ata kanë ndihmuar qeverinë të kufizojë pushtetin e ushtrisë, me ndikimin në sistemin  e drejtësisë me çështje të nivelit të lartë si “Ergenekon” dhe “Sledgehammer”, që vunë në pranga qindra oficerë të lartë të ushtrisë, përfshirë edhe ish-Shefin e Shtabit.

Askush s’e di se kush do ta fitojë këtë betejë, Erdogan apo Gulen. Përkrahësit e të dy palëve akuzojnë njëri-tjetrin se po minojnë demokracinë dhe zbatimin e ligjit. Media është tejet e polarizuar, shumë pak hapësirë mbetet për të tjerët.

Me zgjedhjet lokale, që do të zhvillohen brenda dy muajsh; ato presidenciale, në verë; dhe të përgjithshmet, vitin e ardhshëm; me lirën turke, që ka shënuar rënie përballë dollarit, dhe investitorët, që i ndjekin zhvillimet të nervozuar; shumë njerëz në Turqi janë të frikësuar se betejat e ashpra për pushtet mund të shkaktojnë një paqëndrueshmëri politike dhe ekonomike në vend.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA