Francë, ndalohen shfaqjet e komikut anti-semit

07/01/2014 00:00

Qyteti i Nantes dhe Tours-it në Francë ndaluan shfaqjet e komikut Dieudonne M’bala M’bala pas akuzave të ngritura kundër tij për gjuhë urrejtjeje ndaj çifutëve.

Dieudonne, i cili ka gjashtë dënime për qëndrimet publike anti-semite, pritej të hapte shfaqjen e tij në Nantes të enjten. Më herët, Bordeaux dhe Marseille ndalun komikun të jepte të njëjtat shfaqje.

Qëndrimi i autoriteteve lokale të katër qyteteve është mbështetur edhe nga presidenti francez, Francois Hollande. Ai u kërkoi atyre që të shikojnë të gjitha mundësitë ligjore për të ndaluar shfaqjet e komikut, i cili nga ana e tij tha se do të apelojë vendimet.

Në shfaqjet e tij, komiku kontravers flet për dhomat e gazit dhe akuzohet për përdhosje të viktimave dhe të mbijetuarve të Holokaustit. Ai akuzohet gjithashtu se gjesti i tij (i njëjti i bërë nga Anelka gjatë një ndeshje futbolli në Premier Ligë) është një nderim nazist.

Top Channel