
Dënohen me nga tre vjet heqje lirie dy të rinjtë nga qyteti i Vlorës, të
cilët dogjën me acid në fytyrë gjyqtaren Mirela Mishgjoni.
Pasi gjyqtarja pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, Matilda Shalla, ka shqyrtuar provat e argumentet e akuzës dhe ato të mbrojtjes së dy të pandehurve Nertil Zotaj dhe Ledio Kamberi ka vendosur që të pranojë kërkesën e prokurores Elida Hoxhaj, e cila kërkoi dënimin me tre vjet heqje lirie për dy të pandehurit.
Pas ngjarjes së ndodhur mëngjesin e 16 janarit të vitit të kaluar në qytetin e Vlorës, policia identifikoi si autorë të dyshuar të rinjtë Nertil Zotaj, 24 vjeç dhe Ledio Kamberi, 19 vjeç. Për shkak se gjyqtarja Mishgjoni e ushtronte profesionin e saj pranë Gjykatës së Vlorës, dosja hetimore u delegua për kompetencë pranë Prokurorisë së Fierit.
Nga hetimet e prokurorisë ka rezultuar se i pandehuri Nertil Zotaj ka qenë i dënuar për vjedhje. Ai ka menduar se gjyqtarja Mirela Mishgjoni e cila ka gjykuar çështjen në ngarkim të tij, ka bërë padrejtësi me vendimin e dhënë. Madje, ai është bindur se padrejtësia ndaj tij ka vazhduar, pasi megjithëse duhej të lirohej nga burgu në fundin e muajit dhjetor 2012, ka mbetur në qeli deri më datë 12 janar 2013.
Gjatë marrjes në pyetje pas ndalimit të tij, 24-vjeçari Zotaj ka pohuar para hetuesve se i ka lindur që në qeli mendimi që t’i bënte keq gjyqtares Mishgjoni. Madje, këtë gjë ai ka pohuar se e ka diskutuar edhe me një të burgosur tjetër, 19-vjeçarin Ledio Kamberi. Zotaj ka deklaruar se gjatë kësaj kohe i pandehuri Ledio Kamberi i ka thënë se e dinte se ku ndodhej shtëpia e gjyqtares Mishgjoni, në një pallat në afërsi të shkollës “Ali Demi”, në qytetin e Vlorës. Pasi Nertili ka dalë nga burgu, është takuar me Ledionin më datë 14 janar 2013, rreth orës 08:00 dhe kanë biseduar si do të realizonin planin e tyre për t’u hakmarrë ndaj gjyqtares.
Ata kanë rënë dakord që ta shëmtonin duke i hedhur acid në fytyrë Mishgjonit. Të rinjtë kanë zgjedhur acidin si mjet për të arritur qëllimin e tyre pasi kur kishin qenë në burg dhe kishin pastruar me acid dyshemenë, kishin vërejtur se ky lloj lëngu shkaktonte dëmtime të lëkurës. Menjëherë pas kësaj ata kanë shkuar në një pikë shitjeje me shumicë dhe kanë blerë një bidon plastik me acid, në vlerën 250 lekë. Për dy ditë me radhë ata kanë pritur te një tunel mes dy pallateve në afërsi të shtëpisë së gjyqtares, por nuk janë përballur dot me të.
Ndërsa më datë 16, rreth orës 07:30 ata kanë shkuar te pallati ku ndodhej shtëpia e gjyqtares Mishgjoni dhe kanë pritur që ajo të dalë për të shkuar në punë. Sipas prokurores Elida Hoxhaj, nga hetimet ka rezultuar se ishte i pandehuri Ledio Kamberi i cili ka pritur në hyrje të tunelit të pallatit dhe rreth orës 08:30 ka parë të vinte përballë gjyqtaren Mirela Mishgjoni. Në këtë moment ai i ka bërë shenjë Nertilit, i cili i është afruar gjyqtares dhe i ka hedhur acid në fytyrë duke i dëmtuar rëndë lëkurën dhe organin e frymëmarrjes. Gjithashtu, prokuroria ka vënë në dispozicion të gjykatës edhe përgjimet ambientale dhe telefonike nga ku ka rezultuar si Nertil Zotaj ka folur me të vëllain duke i treguar se e kishte kryer aktin së bashku me Ledio Kamberin. Ndërkohë, në një përgjim ambiental duket qartë se Ledio Kamberi i lutet Nertilit që të mos pohojë para hetuesve se kishte qenë ai i cili i kishte treguar shtëpinë e gjyqtares. Një tjetër provë që ka paraqitur prokuroria kanë qenë edhe pamjet filmike ku vërtetohet se dy të rinjtë më datë 14 janar 2013 kanë blerë së bashku acidin. Por ndonëse 24-vjeçari Zotaj ka deklaruar fillimisht para hetuesve se ishte ai autori i ngjarjes, në gjykatë e ka mohuar një gjë të tillë dhe ka kërkuar pafajësi. Po ashtu edhe 19-vjeçari Ledio Kamberi ka kërkuar pafajësi për veprën penale që akuzohet. Pasi gjyqtarja e çështjes Matilda Shalla ka verifikuar provat e paraqitura nga të dyja palët, ka vendosur që t’i shpallë fajtorë dy të pandehurit për veprën penale të kundërshtimit dhe goditjes së gjyqtarit në bashkëpunim dhe t’i dënojë me tre vite burg.
Top Channel