
Ende nuk ka të reja mbi gjendjen shëndetësore të Michael Schumacher, i shtruar në spitalin e Grenoblë në gjendje kritike, por të qëndrueshme, pas aksidentit me ski javën e kaluar në alpet franceze.
Në mungesë të një komunikate nga mjekët që po kujdesen për ish-pilotin e Formulës 1, policia e Albertville ka njoftuar se të mërkurën në orën 11:00 do të mbajë një konferencë për shtyp ku do të publikojë detaje të aksidentit.
Hetuesit janë ndihmuar nga dy kamera që mendohet se kanë xhiruar aksidentin: filmimi i parë është ai që ka regjistruar kamera në kaskën e shtatë herë kampionit të Botës dhe i dyti i një personi që po xhironte me celular.
Sipas ‘Le Journal de Dimanche’, kompleksi i Meribelit po përgatitet për një dëmshpërblim të majmë që familja Schumacher do të kërkojë për neglizhencë. Familja mbështetet nga avokati Maurice Bodecher, specialist në ligjet e skive.
Resorti turistik ka frikë se nëse vërtetohet që Michael Schumacher nuk po ecte me shpejtësi në kohën që ndodhi aksidenti, do marrë përsipër fajin për shkak të mungesës së sinjalistikës që duhet të tregonte për shkëmbinj të fshehur nën dëborë.
Nëse kjo do të ndodhë, pritet të nisë procedimi penal.
Top Channel