2014-ta, viti që na pret

06/01/2014 00:00

Një sezon i ri në Shqip nisi me urimet për një vit sa më të mbarë, por edhe me një analizë të gjerë për atë që na pret gjatë kësaj 2014-te.

Për të dhënë përgjigjet e kësaj pyetje të madhe, Rudina Xhunga ftoi në studion e saj një panel të zgjedhur analistësh dhe politikanësh, të përbërë nga Shpëtim Nazarko, Gjergj Bojaxhiu, Spartak Ngjela dhe publicist e politologu Henri Çili.

Buxheti 2014 dhe paketa e re fiskale

“Kapitalizmi është gjë e madhe për t’u trajtuar, por buxheti nuk më duket i keq”, nisi analizën e tij zoti Ngjela. “Këta nuk e mbrojtën dot mirë dhe kjo tregon që nuk e bënë vetë, por ia kanë bërë gati të tjerë. Kush? Këtë nuk di ta them. Unë dallova që nuk dinin ta mbronin, por buxheti nuk është i keq. Është një buxhet i një vendi të varfër dhe të vuajtur që dëshiron të dalë nga borxhi. Në këto kushte, e vetmja mënyrë, siç e ka thënë edhe Adam Smithi, borxhi lahet me borxh”.

“Është më shumë se një buxhet krize. Është një element i ri në mënyrën e qeverisjes së Shqipërisë, sepse fut ose rifut një sistem të ri fiskal, me një frymëzim qartësisht të majtë, madje me një obsesion të majtë. E kam thënë edhe sot në një editorial, përtej rrethanave e kushteve të cilësisë së administratës tatimore, Rama ndërtoi një system të ri fiskal obsesivisht të majtë”, deklaroi zoti Çili.

“Unë mendoj se ka pak shanse të jetë një sistem fiskal i suksesshëm, edhe pse duhet pranuar që riardhja e FMN është një element garancie në tregjet ndërkombëtare, për kontrollin fiskal e kështu me radhë. Mënyra kryesore për të dalë nga ky ngërç është të kemi rritje ekonomike dhe këtë e kanë të qartë të gjithë. Ky sistem fiskal nuk më duket se stimulon rritjen, por në fillim duhet ta lëmë të provohet këtë system, le t’I lëmë pak kohë. Premisat bazë, për mendimin tim janë negative dhe jorealiste”, shtoi ai.

“Ka një gënjeshtër shumë të madhe në Shqipëri, që gjasme e djathta uli taksat nëpërmjet taksës së sheshtë. Taksa e sheshtë u fut për një arsye fare banale, se duke pasur atë mënyrë se si i mbledhim taksat me ato tatimorë të rreckosur, Saliu tha merri nga një 10-tëshe të gjithëve dhe jemi në rregull. Kjo është mënyra më komuniste e mbledhjes së taksës”, nisin debatij e tij zoti Nazarko.

“Investitori nuk të vjen në Shqipëri edhe me taksë zero nëse nuk zbaton forcën e ligjit, nuk garanton ujin e energjinë, fuqinë  e kualifikuar punëtore, të drejtën e qartë mbi pronën dhe garanci të tjera. Ai ishte një maskarrallëk i qeverisë së mëparshme dhe fakti që ajo pati rritje gjatë viteve 2006-08, vetëm një i çmendur mendon që u bë për shkak të reformave që bëri Saliu në atë vit, e brenda vitit iu dyfishua buxheti. U privatizuan bankat e mëdha, mori dhe borxh dhe ja ku u dyfishua buxheti. Taksa e sheshtë u zbatua në mënyrë krejtësisht komuniste. Sipas Ramës, ai mendon se po hedh farën e një të nesërme të vendit. Ta shohim… Fakti që me këtë sistem dëshiron të rregullojë 97% të popullsisë, më duket nga ana tjetër populist. Nëse 97% merr 300 mijë lekë, ske çbën sepse me kaq të ardhura, nuk ke për të paguar ende as drita, as ujë, asgjë. Unë mendoj që Rama do parë në këtë kënd, ky buxhet a e ndalon vërtet atë hemoragjinë e madhe që thotë ai? E vetmja gjë pozitive që shoh unë është që ky ka vendosur të pastrojë atë fushën e lojës, të heqë borxhet e mëdha dhe të mbjellë diçka”, shtoi Nazarko.

“Jam dakord me Ngjelën kur thotë që qeveria nuk diti të mbrojë buxhetin, por nga ana tjetër jam dakord me Çilin që disa element bazë të buxhetit u vendosën për shkak të detyrimit për të pasur FMN partner”, komentoi zoti Bojaxhiu.

“Në thelb doja të thoja që elementët bazë të këtij buxheti rrisin taksat. Unë kam pasur më pak kritika ndaj buxhetit dhe më shumë ndaj mënyrës se si u ndryshuan taksat, por këtu nuk bëhet fjalë a do të mblidhen më shumë të ardhura? Pa dyshim që do të mblidhen, pakënaqësi do të ketë, por për mua nuk është çështja pse u rritën taksat, por arsyeja pse u bë kjo, pse u rritën pasi FMN nuk e pranoi logjikën e qeverisë së re shqipare që të merrte kredi të butë duke përmirësuar në mënyrë të ndjeshme administrimin publik. Iu bë e qartë që FMN donte të dhëna konkrete dhe nëse do të ketë shifra konkrete në luftimin e ekonomisë së zezë, atëherë taksat mund të ulen sërish, por FMN nuk e kishte këtë besim”.

Çështja e korrupsionit. A do të dënohet njeri?

Një prej elementëve më prezentë të muajve të parë të qeverisë Rama, kanë qenë hetimet penale e nisura ndaj disa zyrtarëve të lartë të qeverisë së shkuar, por edhe të administratës lokale të zotëruar nga socialistët. Bëhet fjalë për rastin Imami, për kryebashkakët Gjika, Mziu apo për zërat mbi një përndjekje të mundshme të vetë Berishës. Por, çfarë do të ndodhë, a do të dënohet kush?

“Unë e kam thënë mendimin tim, e s’dua ta përsëris sa herë vij këtu. Problem është se pushteti juridik, sistemi penal ose pjesa natyrore e shtetit janë partner të korrupsionit, është naivitet të mendosh që hajdutët do të gjykojnë hajdutët. Gjykata ka qenë deri në këto moment jofunksionale, ndaj nuk pres të ndryshojë kjo situatë brenda ditës. Këtu ka dy gjëra. Ose palët kanë rënë dakord të bëjmë sikur, ose kjo palë që ka ardhur në pushtet nuk është e aftë që të vendosë drejtësi”, shprehu mendimin e tij zoti Ngjela.

“Mua më tremb kur qeveria fillon të merret me antikorrupsionin, sidomos me pararadhësit, pasi konfirmimiteti me ligjin është një detyrë jokryesore e qeverisë, pasi e para është qeverisja e vendit. Sistemi i drejtësisë është i korruptuar, është koorporatë, por jo në kontroll të qeverisë, e ky është një avantazh, siç ishte në 2005-n kur qeveria Berisha nuk e kontrollonte këtë system dhe në momentin që nisi ta kontrollonte, nga fundi, iku nga pushteti. Imagjono ti kishte të dyja? Jemi tek gjysma e së keqes për momentin”, komentoi Çili.

Në fjalën e tij, Bojaxhiu vuri në dukje se “nuk jam optimist për përmirësimin e administratës publike, pikërisht për shkak të korrupsionit dhe nuk shoh kur shoh këto lloj reformash nuk besoj të ketë përmirësim, nëse nuk  zgjidhet realisht korrupsioni në sistemin e drejtësisë në këtë formë, ndaj mendoj që kush ka pushtetin ka kapitalin për të blerë më shumë të korruptuar. Unë gjykoj që përsa kohë sistemi drejtësor nuk funksionon, shqiptarët do të vazhdojnë të përceptojnë se shqiptarët nuk kanë drejtësi, ndaj në këto kushte invididët gjejnë mënyrat e tyre për të mbijetuar, duke shkelur ligjin. Unë mendoj se kalbëzimi në drejtësi është diçka jashtëzakonisht e dëmshme për të gjithë strukturën mkorale dhe shoqërore që kemi”.

Të ftuarit në panel njëzëri thanë se qeveria çalon në komunikimin e saj me publikun. Çili solli si shembull rastin e armëve kimike, ndërsa kreu i PLD-së, Sparta Ngjela shkoi më tej duke deklaruar: “Qeveria kështu sic është është memecllëk. Ky është fakti, qeveria nuk ka marrëdhënie të mira me publikun, s’di të komunikojë. Problemi qëndron se si të rregullohet kjo?

Henri Çili tha se thuajse që të gjithë bien dakort që kjo strukturë e ekonomisë është ezauruar ose është në ezaurim e sipër, ndaj duhet menduar për një tjetër model, tjetër strukturë. “Shoqëria dhe aktorët politikë dhe shoqërorë ndjejnë atë që kjo strukturë ekonomike ose i ka ezauruar mundësitë e veta, ose është në ezaurim e sipër dhe ka nevojë për gjetjen e një strukture tjetër. Cfarë duhet të bëjmë? Kjo është detyra e qeverisë dhe këtu duhet të investohemi që të gjithë”, tha ai.

“Qeveritë kanë disa vende ku mund të bëjnë përmirësime, ka disa zona për të bërë përmirësime më të mëdha, ka edhe vende ku mund të bëhen përmirësime, por me efekt të vogël në shoqëri. Mendoj që zona që duhen bërë ndryshime thelbësore në Shqipëri ka të bëjë me njëriun, me mentalitetin e tij, që është pjesa më e vështirë që kërkon edhe një konsensus politik”, shtoi Gjergji Bojaxhi.

“Njerëzit janë mërzitur me ecjen në rrugën e pandëshkueshmërisë. Janë lodhur që arrestohen disa me akuzën e hajdutit dhe më pas thuhet, jo s’janë hajdutë duke i lënë të lirë. Për të filluar ndëshkimin dhe analizën e ligjit, duhet të kesh pushtet gjyqësor të pavarur sepse pastaj atje shkojnë kundërshtarët, nuk shkojnë vjedhësit. Korrupsioni është gjigant në shqipëri dhe duhen gjykata të pavarura. Duhet një reformë që të shkojë drejt pavarësisë së pushtetit gjyqësor dhe jo drejt pushtimit të tij”, deklaroi Ngjela.

Për Shpëtim Nazarkon: “Ne nuk duhet të turpërohemi dhe të themi që këto 20 vite ne kemi dështuar, politika, klasa politike, njerëzit, media të gjithë. Duhet të pranojmë këtë dhe pikë dhe të kthehemi tek puna, këtu nuk punon njeri, këtu është problemi”.

Ndërsa Gjergji Bojaxhi tha se 2014 do të jetë një vit më i mirë se sa 2013, por: “Më shqetëson që nuk shikoj ato ndryshime thelbësore që do ta bënin 2014 jo vetëm pak më të mirë, por shumë më të mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët”.
 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA