Vrasja në Durrës, PD akuzon Tahirin

04/01/2014 00:00

Partia Demokratike ka kritikuar ashpër ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, për vlerësimin që ai u bëri forcave speciale që më 31 dhjetor vranë autorin e plagosjes së policit Agron Halilaj gjatë një operacioni.

Përmes një mesazhi në rrjetin social Facebook, Tahiri thoshte: “Drejtësia u bë, me forcën e ligjit. Bravo çuna”.

“Është e pabesueshme që Ministri i Brendshëm të thotë bravo për një vrasje, ta konsiderojë Policinë e Shtetit si një organizatë që merr hak dhe ta trajtojë ngjarjen si një çështje të brendshme, duke harruar ligjin dhe rregullat e shtetit”, ka deklaruar zëdhënësja e PD, Silvi Bardhi.

Bardhi ka theksuar se, duke qenë se deklaratat e ministrave, përpara se të bëhen publike, kalojnë nga kryeministri Edi Rama, “kjo histori delirimi me pushtetin përfshin dhe vetë shefin e qeverisë”.

“Kjo e bën edhe më të rëndë situatën dhe më të pashpresë zgjidhjen. Kur një ministër çmendet publikisht nuk i kërkon dot as kryeministrit që të marrë masa, pasi ai vetë ka dhënë liçencën për këtë dalldisje adoleshenteske”, ka thënë Bardhi.

Ajo ka nënvizuar se, veprimtaria e Policisë së Shtetit është e bazuar rreptësishtë në ligj dhe nuk është një lojë luftash, “siç zhvillohet në mendjen e ministrit Tahiri”.

Zëdhënësja ka shtuar se Partia Demokratike mbështet aksionet e policisë edhe kur ato sjellin pasoja ekstreme, nëse kjo është një masë e nevojshme për sigurinë e vetë policisë dhe të qytetarëve.

“Partia Demokratike mbështet reagimin e policisë kur është proporcional dhe në kushtet e parashikuara në ligj. Por është e pafalshme që ministri i Brendshëm të predikojë vrasjen. Kjo nuk është sjellja e një ministri të një vendi që aspiron të integrohet në Bashkimin Europian”, ka vijuar Bardhi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA