Policia vijon masat kundër aksidenteve

04/01/2014 00:00

Policia e Shtetit i kërkon qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor, për të shmangur aksidentet rrugore.

Me qëllim ndërgjegjësimin e drejtuesve të automjeteve, policia bën me dije se kontrolli nga ana e inspektorëve të policisë do të vijojë me rigorozitet për zbatimin e plotë të sinjalistikës rrugore, për vendosjen e rripave të sigurimit, mospërdorimin e celularëve përgjatë drejtimit të mjetit, parkimin e gabuar, etj.

Vetëm për muajin dhjetor, policia bën me dije se janë vendosur një numër rekord masash administrative për shkelje të Kodit Rrugor, plot 20 mijë e 934 të tilla. Ndërkohë, të paktën 82 persona janë arrestuar për drejtim mjeti në kushtet e konsumimit të alkoolit.

Në statistikat e publikuara nga policia, numrin më të madh të gjobave të vendosura e zë parkimi i gabuar. Rreth 9.900 gjoba janë vendosur për këtë kundravajtje administrative.

Vendin e dytë e zë mosvendosja e rripit të sigurimit, për të cilën janë gjobitur 5.834 drejtues mjetesh, i ndjekur nga parakalimi i gabuar dhe ecja me shpejtësi.

Shërbimi i Qarkullimit Rrugor Tiranë porosit drejtuesit e mjeteve që të tregohen të kujdesshëm gjatë lëvizjes së tyre me automjete në orët e para të mëngjesit, apo gjatë orëve të natës, kur ngricat dhe lagështira përbëjnë shkak për aksidentale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA