Morinë, fluksi më i madh për festa

04/01/2014 00:00

Rreth 130 mijë shtetas shqiptarë raportohet të kenë hyrë në Shqipëri për festat e fundvitit, nga data 24 dhjetor deri në natën e ndërrrimit të vitit më 31 dhjetor.

Por ndërsa pikat kufitare me Greqinë, Kapshticë e Kakavijë, ishin brenda parashikimeve për flusin e hyrje-daljeve nëpërmjet tyre, sikurse edhe pikat e Rinasit dhe të Durrësit, risia për të kaluar festat e fundvitit në Shqipëri raportohet të kenë qenë qytetarët e Kosovës.

Statistikat tregojnë se nëpërmjet pikës kufitare të Morinës kanë hyrë për këtë periudhë gati 13 mijë shtetas kosovarë e po ashtu shifrat flasin për një trend të daljeve të shtetasve nga Shqipëria drejt Kosovës, me një numër prej gati 14 mijë shqiptarë.

Pikat kufitare në Shkodër me destinacion Malin e Zi kanë shënuar një rritje të daljeve të shqiptarëve për festat e fundvitit me një numër prej 8.620 personash.

Shqipëria ka qenë destinacion për hyrjet e shtetasve kosovarë në pikat kufitare me Kukësin edhe për datat 1 dhe 2 janar, me një shifër prej gati 5 mijë personash, ndërkohë që 2.050 shqiptarë kanë udhëtuar drejt Malit të Zi në dy ditët e para të këtij viti.

Durrës, fluks lëvizjesh drejt BE-së

Pasi kaluan festat e fundvitit në Shqipëri dhe Kosovë, disa mijëra emigrantë shqiptarë po kthehen në Itali, Gjermani dhe Zvicër përmes pikës më të madhe kufitare detare në vend, asaj të Durrësit.

Kompanitë lundruese shtuan lëvizjet e trageteve mes dy brigjeve për të përballuar fluksin në rritje të kësaj periudhe. Vetëm mesnatën e kaluar u nisën drejt porteve italiane 5 tragete, 4 prej të cilëve të linjës Durrës-Bari dhe 1 i linjës me Brindizin.

Autoritetet portuale bëjnë të ditur se ditët e fundit janë larguar nga porti i Durrësit afro 7 mijë udhëtarë dhe 2.800 automjete. Në krahasim me një vit më parë, ritmi i lëvizjeve nga kjo pikë kufitare ka shënuar rënie, ndërsa fluksi është përballuar pa probleme nga shërbimet e policisë kufitare dhe dogana.

Fluks ka edhe në pikat tokësore, vecanërisht në Kapshticë dhe Kakavijë, por që sipas informacioneve nuk ka radhë të gjata dhe probleme për emigrantët.

Fluks në Muriqan

Ashtu si në shumë pika kalimi kufitare në vend dhe në pikën e kufitare të Muriqanit në Shkodër pas mbarimit të festave të fund vitit vihet re një fluks prej mijëra personash që duan të kalojnë kufirin për t’u rikthyer në vendet ku  jetojnë dhe punojnë.

Por ajo që bie në sy është fakti se nga pika e Muriqanit kanë hyrë më shumë shtetas të huaj se shqiptarë për festat e fundvitit. Sipas statistikave të kësaj pike kalimi mësohet se në vendin tonë kanë hyrë për festat e fund vitit nga pika e Muriqanit nga data 20 Dhjetor deri më 3 Janar  , 23 874 përsona nga të cilët 10.290 shtetas shqiptarë dhe 13.584 shtetas të huaj me 8500 automjete, ndërkohë pas festave  deri ditën e  sotme kanë dalur nga pika e Muriqanit  rreth 17 mijë persona dhe 5 mijë automjete.

Ndërkohë janë duke u shfrytëzuar  të gjitha  sportelet  e pikës së kalimit  si nga pala shqiptare ashtu edhe nga ajo malazeze. 

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta