Sudani, nisin bisedimet për paqen

03/01/2014 00:00

Në kryeqytetin e Etiopisë, Adis Ababa, kanë nisur bisedimet për dhënien fund të luftimeve në Sudanin e Jugut.

Negociatorët për qeverinë dhe ata për rebelët janë takuar më parë përmes ndërmjetësve të tjerë, por deri tani jo ballë përballë me njëri-tjetrin.

Delegatët nga të dyja palët kanë mbërritur në kryeqytetin e Etiopisë që të mërkurën, por nisja e bisedimeve është shtyrë derisa të mbërrijnë të gjithë ekipet dhe stafet e përfshira në negociata.

Ministria e Jashtme e Etiopisë ka njoftuar në një deklaratë të premten se negociatat kishin filluar. Por e dërguara e BBC thotë se ekipet negociatore ndodhen në të njëjtin hotel, por aktualisht po bisedojnë vetëm përmes ndërmjetësve të tjerë.

Këta të fundit po përgatisin terrenin për ato që shpresojnë se do të jenë bisedime direkte me vonë gjatë së premtes ose të shtunën, ka shtuar reporterja.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar një “tërheqje të mëtejshme” të personelit të ambasadës së tyre në Sudanin e Jugut për shkak të konfliktit.

Të paktën 1 mijë persona kanë vdekur që kur shpërthyen luftimet mes mbështetësve të presidentit Salva Kiir dhe atyre të zëvendësit të tij të shkarkuar, Riek Machar, muajin e kaluar.

Ndërkohë, mbi 180 mijë persona të tjerë janë zhvendosur dhe shumë prej tyre po jetojnë të pastrehë, pa ujë të pijshëm dhe në kushte higjenike të degraduara.

Ajo që nisi si një betejë për pushtet mes presidentit Kiir dhe zëvendësit të tij Machar ka marrë karakteristikat e një beteje me sfond etnik, thonë korrespondentët e mediave ndërkombëtare.

Top Channel

BILETA Portokalli - AG SHOW - Bileta