Itali, vetëvritet i arratisuri shqiptar

02/01/2014 00:00

Përfundoi në mënyrën më tragjike arratia e një shtetasi shqiptar
43-vjeçar, identiteti i të cilit nuk është bërë ende i ditur nga forcat e
rendit.

Trupi i tij u gjet në afërsi të gjykatës së të miturve në Brescia, në veri të vendit. Duket se ai ka vrarë veten me të njëjtën armë me të cilën natën e Vitit të Ri qëlloi ish-kunatin 33-vjeçar dhe ish-vjehrrin 64 vjeç, që të dy shqiptarë me banim në Itali e që aktualisht ndodhen të shtruar në spital më plagë jo të rënda.

Me sa duket A.S, këto janë inicialet e viktimës, ka menduar se i ka vrarë dhe ka vendosur t’i japë fund jetës. Me sa dihet muratori shqiptar ishte ndarë nga e shoqja dhe në kulm të një zënke me familjen e saj, kishte nxjerrë armën dhe kishte qëlluar.

Duke interpretuar vendin ku ai ka vrarë veten sot, hetuesit mendojnë se shqetësimi i madh i viktimës ka qenë vendimi i gjykatës për mbajtjen e fëmijëve dhe kohës që i lejohej të kalonte me ta. Që kur kishte plagosur të afërmit e ish-bashkëshortes, shtetasi shqiptar po kërkohej nga forcat e rendit me akuzën e tentativës për vrasje.

Top Channel