70 gazetarë të vrarë në vitin 2013

30/12/2013 23:55

Në ditën kur lajmet u mbizotëruan nga intensifikimi i dhunës në Afrikë dhe sulmet në Rusi, Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, me qendër në Nju Jork, njoftoi se Lindja e Mesme rezulton këtë vit si zona më e rrezikshme për reporterët.

Raporti vjetor i organizatës del në përfundimin se, të paktën 70 gazetarë u vranë për shkak të detyrës gjatë vitit 2013 dhe dy të tretat e vdekjeve ndodhën pikërisht në rajonin e përfshirë nga tensionet e konfliktet.

Vendi më i rrezikshëm për median ishte Siria, ku 29 gazetarë kanë humbur jetën, teksa mbulonin luftën civile mbi 2-vjeçare.

Komiteti flet edhe për 60 reporterë të rrëmbyer në këtë vend brenda 2013-s, gjysma e të cilëve ende rezultojnë të zhdukur.

10 gazetarë janë vrarë, nga ana tjetër, në Irak, dhe 6 në Egjipt; një kujtesë për rrezikun, me të cilin përballen gazetarët në këtë vend, ishte njoftimi i televizionit “Al Jazeera” për arrestimin e 4 punonjësve të saj në Kajro.

I njëjti organizëm përmend edhe numrin e reporterëve të burgosur nëpër botë, gjithmonë në harkun kohor të një viti. Ai është 211, i dyti më i lartë që nga fillimi i censusit vjetor, 17 vjet më parë.

Ndonëse ka një përmirësim të lehtë, krahasuar me vitin që shkoi, Turqia vazhdon të kryesojë listën e vendeve që burgosin gazetarë; i dyti renditet Irani, e pas tij Kina. Të tre këto shtete së bashku llogarisin në fakt më shumë se gjysmën e gazetarëve të lënë prapa hekurave.

Qeveritë jotolerante të Ankarasë, Teheranit e Pekinit kanë përdorur përgjithësisht akuza kundër shtetit për t’i mbyllur gojën 107 reporterëve kritikë, blogerëve dhe botuesve, thuhet në raport.

Ndërkohë, në Amerikë, prapa hekurave është vetëm një gazetar. Roger Shuler, bloger i pavarur i specializuar në akuzat për korrupsion e skandalet në qarqet republikane të Alabamës, është ndaluar për shpërfillje të gjykatës.

Top Channel