SHBA: Nuk rikthehemi në Irak

29/12/2013 09:45

Ndërsa militantët ekstremistë pushtuan qytetin e Falluxhës dhe kërcënojnë pjesë të tjera të Irakut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës shprehën mbështetjen e tyre për Bagdadin zyrtar, por theksuan se nuk kanë në plan të rikthehen ushtarakisht në vend.

Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, në një deklaratë për shtyp të publikuar gjatë së dielës shprehu besimin e Uashingtonit se qeveria e kryeministrit Nouri al-Maliki është në gjendje që të mposhtë e vetme militantët.

“Ne do të qëndrojmë përkrah qeverisë së Irakut dhe së bashku me aleatët e tjerë do të zmbrapsim çdo tentativë për të destabilizuar këtë vend. Megjithatë, në këtë moment nuk po shqyrtojmë mundësinë e dërgimit të trupave në vend. Kjo është lufta e tyre”, deklaroi Kerry.

Humbja e qytetit strategjik të Faluxhës përbën një goditje të rëndë për shpresat e vendosjes së paqes në Irakun e përçarë nga tensionet ndërfetare dhe ndëretnike, që prej tërheqjes së trupave amerikane në Dhjetor 2011.

Sipas analistëve, Iraku është shumë pranë përfshirjes në një luftë civile, që bashkuar me krizën siriane do të ishte në gjendje të zhyste të gjithë rajonin në një spirale tensioni.

Ndërkohë, militantët e lidhur me Al-Kaedën kanë ngritur flamurin e tyre në Faluxha, ku kanë shpallur themelimin e një shteti të ri islamik.

Luftëtarët e Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit kanë premtuar vazhdimin e “luftës së shenjtë”, deri në “çlirimin” e plotë të Irakut dhe vendosjen e tij nën regjimin e sheriatit.

Të mërkurën, Organizata e Kombeve të Bashkuara publikoi një raport, në të cilin informonte se në sulmet vetvrasëse dhe përleshjet e tjera të armatosura, gjatë 2013-s humbën jetën 7 818 shtetas irakenë dhe 1 050 anëtarë të forcave të sigurisë.

Ndonëse ky bilanc shpreh një rritje të qartë të pasigurisë në vend, numri i të vdekurve është ende dukshëm më i ulët se kulmi i shënuar në revoltat anti-amerikane të viteve 2006-07.

Top Channel