Prioritetet e Merkelit dhe qeverisë së saj

29/12/2013 19:25

Shpëtimi i euros, financat solide dhe kthesa energjetike, janë ato që përcaktojnë axhendën e qeverisë gjermane. Por, edhe spiunazhi në internet, populistët e djathtë dhe konfliktet në botë, janë sfida për politikën e vendit.

Kancelarja Angela Merkel deklaroi se një koalicioni të madh i takon të zgjidhë detyra të mëdha, por ata që presin sensacione nuk do t’i gjejnë.

Sfidat janë pak a shumë të njohura. Në vend të parë, Merkel rendit financat e shëndosha, duke paraqitur si prioritete të qeverisë disiplinën buxhetore, frenimin për të marrë borxhe, e mbylljen e boshllëqeve që mundësojnë mospagimin e taksave, thotë “Deutsche Welle”.

Ministri i Financave, Wolfgang Schäuble, ka në plan të hyjë vetëm 6 miliardë euro në borxh. Ky do të ishte borxhi më i ulët i ri, që prej katër dekadash. Në 2015-n mendohet se vendi duhet t’ia dalë mbanë pa asnjë kredi të re.

Megjithatë, këtu veprohet sipas parimit të shtesës, sepse ky objektiv mund të arrihet, vetëm nëse ekonomia ecën kaq mirë sa tani, dhe nëse të ardhurat nga taksat vërshojnë.

Blloku i dytë i madh është kthesa energjetike. Largimi nga energjia atomike dhe kalimi gradual, i kombit të katërt industrial të botës, në përdorimin e energjive të ripërtëritshme po has në vështirësi të reja.

Komisioni i BE në Bruksel ka hapur një procedurë për dhënie subvencioni kundër Berlinit dhe industrinë gjermane e kërcënojnë humbje prej miliardash. Shkak për veprimin e Brukselit është çlirimi i mijëra sipërmarrjeve, që harxhojnë shumë energji, nga taksa për energjinë ekologjike.

Kjo, për Brukselin, dëmton konkurrencën. Prandaj, deri për Pashkët, qeveria do ta ndryshojë ligjin që ka për energjitë e ripërtëritshme.

Përsa i përket shpëtimit të euros, Kancelarja dëshiron që, më në fund, të arrijë reforma të BE-së. Berlini ka në plan që miliardat e taksave gjermane t’i rrezikojë vetëm në ato vende, të cilat shprehin në mënyrë juridike detyrimin për disiplinë buxhetore dhe më shumë konkurrencë.

Kjo duhet të ndodhë duke ndryshuar marrëveshjet e BE. Pasi takimi i nivelit të lartë, në Dhjetor, nuk mori ndonjë vendim, në Tetorin e ardhshëm do të ketë një përpjekje të re. Veç kësaj, Merkel dëshiron të ulë papunësinë e lartë te të rinjtë në Europë dhe t’u ofrojë atyre, nga vendet e tjera, më shumë vende për kualifikime dhe vende pune në Gjermani.

Top Channel