Arabia, 3 miliardë dollarë grante Libanit

29/12/2013 00:00

Arabia Saudite do t’i japë ushtrisë së Libanit një grant prej 3 miliardë eurosh, bëri të ditur presidenti libanez, Michel Sleiman, përmes një deklarate televizive, pas funeralit të një politikani të vrarë gjatë një sulmi me autobombë.

Ai tha se ndihma financiare do të ndihmojë për të luftuar terrorizmin. Mohamad Chatah, një musliman sunit, ishte një kritik i ashpër i presidentit sirian, Bashar al-Assad, dhe lëvizjes shiite libaneze, Hezbollah, e cila e mbështet fuqimisht atë.

Arabia Saudite dhe Hezbollah kanë zgjedhur anë të kundërta në konfliktin sirian, teksa Mbretërorët kërkojnë largimin e Assad nga pushteti.

“Mbreti i vëllezërve tanë mbretërore të Arabisë Saudite ka ofruar këtë ndihmë bujare dhe tepër të vlerësueshme, prej 3 miliardë dollarësh, ndaj ushtrisë libaneze për të forcuar aftësitë e saj”, tha Sleiman, gjatë deklaratës së tij.

Ai shtoi se kjo ndihmë është e dyta më e madhe e dhënë në historinë e Libanit, gjë që do të përdoret për të blerë armë nga Franca. Presidenti francez, Francois Hollande, tha se vendi i tij do të “përmbushë” çdo kërkesë të mundshme për armë nga Libani, gjatë vizitës së tij në Arabinë Saudite gjatë së dielës, me synimin për të forcuar lidhjet tregtare me Mbretërinë arabe.

Top Channel