Quhej Erzen, ndërsa tani e tutje do të quhet Emilio për të evituar diskriminimet dhe për t’u integruar më mirë në Itali.
Është ky vendimi i Gjykatës Rajonale Administrative të Lombardisë e cila pranoi kërkesën e një emigranti shqiptar. Në vitin 2003 ai kishte marrë nënshtetësinë italiane dhe në vitin 2009 kishte paraqitur kërkesë për të ndryshuar emrin që sipas tij i krijonte nje ndjesi të fortë turpi për shkak të prejardhjes.
Kërkesa fillestare qe hedhur poshtë nga prefektura e cila nuk kishte parë asnjë arsye të veçantë dhe të rëndë për të ndërruar emrin. Por emigranti shqiptar, në kërkesën e bërë më pas në Gjykatë, pati specifikuar se duke punuar në Zvicër, sa herë që kalonte kufirin, vihej në dyshim shtetësia e tij italiane dhe dokumentat.
Këtë vështirësi gjykatësit e kanë marrë parasysh dhe sipas vendimit të tyre “një emigranti që ka marrë shtetësinë italiane i duhet dhënë mundësia të ndërrojë emër dhe të marrë një emër italian kur ai ka dëshirë për një integrim akoma më të madh jo vetëm në nivel personal por edhe në gjirin e kolektivitetit kombetar”. E kështu tani e tutje emigranti shqiptar, i cili prej vitesh thirret nga kolegët dhe të afërmit Emilio dhe jo Erzen, të mbajë këtë emër edhe në dokumentat e identitetit.
Top Channel