FATOS BAXHAKU – Rikard Kapusçinskij, gazetar polak, ka qenë një nga mendjet më të ndritura të shtypit europian modern.
Deri afër fundit të jetës së tij të pasur udhëtoi e udhëtoi pa reshtur në mes të luftërave, gjenocideve, grushteve të shtetit, burgjeve dhe dënimeve me vdekje. Ai la pas një trashëgimi të çmuar, e cila këto vitet e fundit na ka ardhur edhe në shqip, e përkthyer përmes penës mjeshtërore të Astrit Beqirit. Në udhëtimet e tij të shumta, reporterit polak, të mësuar me vrasje, kufoma, komplote e pabesira, i bën përshtypje një detaj “i vogël”. Teksa udhëtonte në fillim të viteve ’90 përmes Siberisë, në pritje të një avioni, që dukej sikur nuk do të mbërrinte kurrë, u çudit me frikën që ngjallnin te njerëzit pyetjet e tij. E pra pyetjet nuk ishin aspak prej gazetari, por të një udhëtari të mërzitur që nuk ka se si të shtyjë orët e bardha e të pafund të udhëtimit, të tipit: Ku keni punuar? Si është jeta andej nga ju? Sa fëmijë keni? A i keni të zënë me punë? Si keni qenë me shëndet? Pyetje, pra, që secili prej nesh bën në mënyrë të vetvetishme sa kohë që i duhet të ndajë një kohë relativisht të gjatë me një fytyrë që i duket miqësore.
“Hidhja sytë nga ata që kisha pranë – shkruan Kapusçinskij – qëndronin të palëvizur me vështrimin përpara. Nuk shihej tek ata asnjë shenjë padurimi. Asnjë lloj shqetësimi, nervozizmi, inati. Mbi të gjitha, nuk pyesnin për asgjë, për asgjë, për kurrkënd. Apo nuk pyesnin ngaqë i dinin të gjitha? Nuk ka asnjë diskutim që i pyeturi e quan pyetësin budalla. Sepse gjithë eksperienca e mëson se nga pyetjet nuk ka asnjë përfitim, sepse njeriu do të mësojë sa do të mësojë – madje edhe pa bërë pyetje fare – e pastaj do t’i thonë që bërja e pyetjeve është shumë e rrezikshme, sepse me to njeriu e vë kokën në rrezik të madh. Ç’është e vërteta, nga epoka e stalinizmit ka kaluar ca kohë, megjithatë kujtesa është ende e gjallë, përfundimet, tradita dhe shprehitë e asaj epoke kanë mbetur, janë ngulitur në ndërgjegje dhe do të ndikojnë ende gjatë në sjelljen e njerëzve. Sa prej tyre (apo nga familjet, të njohurit etj.) përfunduan nëpër kampe vetëm e vetëm se në mbledhje, madje edhe në biseda private, pyetën për këtë apo për atë? Sa vetë humbën për këtë arsye karrierën? Sa humbën punën? Sa të tjerë jetën?”.
Sigurisht që këto radhë janë shkruar në kohën e një pezmi të rrethuar gjithëkah nga dëbora e akulli, në mes të asgjësë. Sigurisht që jo të gjithë pasagjerët që prisnin atë ditë të acartë kishin frikë nga pyetjet, porse ndjesia që provoi gazetari i “rrahur me vaj e me uthull” ishte ajo e vetmisë, e të rrethuarit nga njerëz që kanë frikë nga pyetjet e të tjerëve, imagjino sikur të kishin guximin të bënin pyetje vetë!
Një tjetër mjeshtër i filozofisë e i komunikimit, Elias Canetti, i jep kësaj vetie njerëzore, pra të pyeturit, një peshë edhe më të madhe, ai jep peshën e pushtetit. Sipas tij, me pak fjalë, ai që pyet, mundohet të ushtrojë, dhe shumë herë e arrin, një lloj kontrolli, një lloj pushteti mbi të pyeturin. I pyeturi e ndien që përballë është dikush që i kontrollon përgjigjet që do thotë dhe pikërisht prandaj nuk mund të flasë më kuturu apo të bëjë ç’të dojë. “Pyetjet – shkruan ai – bëhen për të marrë përgjigje. Ato pyetje që bëhen për të mos marrë përgjigje janë si shigjeta të harxhuara kot. Pyetja më e kotë është ajo që mbetet e pafajshme dhe nuk tërheq të tjera pas vetes”.
Tani, në krahasim me këtë përvojë botërore mbi pyetjet e përgjigjet na duhet të themi edhe ne përvojën tonë modeste. Ka ca lidhje me diktaturën, kur ai që bënte pyetje të hapura nuk e kishte mirë punën, por jo vetëm. Ka lidhje edhe me historinë tonë shekullore, kur pyetja u lejohej vetëm “burrave të dheut”, atyre që një herë i kishin shërbyer Sulltanit, më pas Vatanit – të konceptuar si dinin ata vetë – dhe më pas dreqi e di se kujt. Pyetja për shqiptarin e thjeshtë ka qenë një gjë e ndrojtur, një fjali që vërtet mbaronte me pikëpyetje, porse që i dihej që më parë përgjigjja. Shembulli më klasik është mënyra jonë pyetësore e të përshëndeturit: Ku je? Po ja ashtu! Si keni qenë? Po mirë, ju mirë? Po ja edhe ne ashtu! S’të kam parë ku ke qenë? Po ja këndej. Po ju? Po ja dhe ne me të zakonshmet. Ku po vete kështu? Po ja deri këtu!
Dialogu mbaroi. Pyetjet u bënë deri në një cak dhe askush nuk mori vesh se çfarë po ndodh. Pikërisht ajo që duhej.
Me thënë të drejtën, pas ’90-s është bërë një kapërcim i madh. Kemi kaluar direkt nga moria e pyetjeve të munguara – ç’ne me lazëm! – në përgjigje të parafabrikuara, gati-gati bindje të thella, mes të cilave nuk gjen asnjë shteg për dyshim apo për pyetje. Nuk të lejojnë të pyesësh as veten, imagjino pak të tjerët. Pikërisht nga mungesa e aftësisë për të pyetur kanë lindur me sa duket edhe këto tri përvoja të ndryshme personale që i kemi përjetuar në harkun e vetëm pak ditëve. Këto përbëjnë pikërisht triumfin e përgjigjeve pa pyetje.
Jashtë vendit, me një mik me goxha përvojë jetësore. I bëhet një pyetje e thjeshtë: A e more vesh? Sapo lexova në internet që “Belle Air” ka falimentuar?! Pse nuk e dije ti – vjen përgjigjja – po unë kam një muaj që e dija! Ma ka thënë me kohë njëri. Madje e di edhe psenë! Të gjitha pyetjeve tona – të tipit përse, cilat janë shkaqet, çfarë fshihet pas kësaj, kush është ky njeri enigmatik – i vjen vetëm një përgjigje e thjeshtë: Ehu, ti paske ngenë për pyetje, ore byrazer!
Disa ditë më vonë në një fshat shumë të bukur jo shumë larg Tiranës. I rrethuar mes miqsh të fisëm e të paqtë. Përveç murmurimës së një përroi, zukatjes së fletëve të rralluara, që i luan era në majë të rrapeve dhe ndonjë zilkeje nga ndonjë stan i largët, nuk dëgjohet asgjë tjetër. Por duam apo nuk duam shkojmë drejt e në përgjigjet pa pyetje. Një mik i mirë (sipas zakonit miku duhet mbajtur me muhabet), na thotë disa përgjigje pa pyetje që nisen që nga jeta e errët e “Bllokut” të kohës së Enverit dhe deri te disa punë fort delikate të sotme, që ai nuk kishte se si t’i dinte vetëm nëse nuk kishte qenë vetë prezent. Si mbaron radha e gjatë e përgjigjeve pa pyetje guxojmë e bëjmë ndonjë pyetje të ndrojtur: Po ju nga i dini gjithë këto sekrete sikur të ishit vetë në ato orë, në ato vende që citoni? Ah, m’i ka thënë një shok i mirë mua. Do ta thosha emrin po tani është shumë herët… Sërish na doli ky dikush që i di të gjitha, por që nuk ka asnjë emër.
Rasti më i mirë për të dëgjuar ndonjë pyetje, nga ato që të gozhdojnë në pritje të ndonjë përgjigjeje prej së cilës mëson ndonjë të re, ishte diskutimi maratonë i buxhetit në Parlament. Prit se ndokush do të pyesë, aha, punë dreqi, asnjë pyetje. Të gjithë, sipas përkatësisë partiake, japin vetëm mendime të prera, madje edhe bëjnë shou humoristik, ca të tjerë, me të drejtë edhe dremitin ndopak në pritje të radhës që vjen vetëm ndaj të gdhirë. Andej nga koha kur dielli zë e nis të ngrihet mbi Dajt, shtriqim kockat tona që janë mpirë në pritje të pyetjeve që nuk u bënë. “Po edhe ju tani e gjetët o të uruar! Po ç’pyetje mund të bëhen tani në pragfestash?!”, na thotë një koleg më me përvojë se ne. Më në fund e dëgjuam një pyetje. Dhe kështu, të lehtësuar, mbyllim blloqet dhe shkojmë të qetë në punët tona.
Top Channel