Festa e Krishtlindjes

25/12/2013 00:00

Besimtarët ortodoksë që në orët e para të mëngjesit kanë mbushur Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë, për të festuar një prej ditëve më të shënuara në kalendarin kristian, Lindjen e Krishtit.

Në meshën e drejtuar nga Kryepeshkopi i Shqipërisë, Fortlumturia e Tij Anastasi, ky i fundit bëri thirrje për më shumë dashuri dhe shpresë tek të gjithë njerëzit.

Besimtarët e shumtë të pranishëm në meshë uronin dhe shpresonin për një vit më të mbarë për të gjithë.

Krishtlindja është dhe dita që simbolizon lindjen e shpresës për njerëzimin, një shpresë që pritet të sjellë më shumë paqe e dashuri tek të gjithë. Pas meshës në Kishë, festa zhvendoset në shtëpi, ku dreka e Krishtlindjes në familje është simbolika kryesore e kësaj feste.

Kremtimet në jug të vendit

Atmosfera e Krishtlindjes ka qenë prezente në të gjitha rrethet e jugut të vendit. Dhjetëra ceremoni fetare që kremtuan lindjen e Krishtit zunë vend në kishat e Gjirokastrës, Përmetit, Sarandës dhe Delvinës.

Megjithëse një pjesë e objekteve të kultit janë në gjendje gjysmë të shkatërruar, besimtarët ndoqën ceremonitë në kishat pranë qendrave të njësive. Nga kisha e Shën Mëhillit në Gjirokastër besimtarët uruan për më shumë paqe, dashuri dhe ditë më të mbara në të ardhmen.

Besimtarët ortodoksë kanë pritur lindjen e Krishtit me festime në banesat e tyre, ndërsa qindra emigrantë kanë mbëritur për të festuar Krishtlindjen në vendlindje.

 

Top Channel