Krishti lindi. Për besimtarët e krishterë, 25 dhjetori është dita më e shënuar në besimin e krishterë, lindja e birit të Perëndisë.
Mijëra besimtarë katolikë u mblodhën në mesnatë, në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë, për të kremtuar momentin e rëndësishëm të kalendarit kristian.
Mesha e shenjtë e Krishtlindjes u mbajt nga Imzot Rrok Mirdita, Arkipeshkvi Metropolit i Dioqezës Tiranë-Durrës, i cili uroi të gjithë besimtarët katolikë për më shumë paqe, mirësi dhe dashuri me njëri-tjetrin.
“Forca e vërtet dhe e shenjtë është forca e dashurisë. Ajo që na bën të bëhemi të vegjël e të dobët, ajo që na shtyn të zemë vendin e fundit dhe të zbulojmë bukurinë e shërbimit. Në këto Krishtlindje duhet të kërkojmë hyjin e fort te njerëzit që, sipas logjikës së botës, janë të dobtit, të sëmurët, të miturit, të pambrojturit, të burgosurit, të përjashtuarit nga shoqëria dhe të mënjanuarit nga ne”, tha në mesazhin e tij të urimit Imzot Rrok Mirdita. Krishti është princi i paqes,- theksoi ai, – është paqja e besimit në dashurinë shpëtimtare të hyjit.
Edhe Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Hirësia e tij Anastas, uron përmes një mesazhi të gjithë besimtarët ortodoksë për festën e Krishtlindjes.
“Në epokën tonë flitet shumë për dinjitetin e njeriut, por ngjarja që tregon me forcë unikale vlerën e jetës njerëzore është ajo që mbizotëron në Krishtlindje. Se biri i Perëndisë u bë njeri. Gjithashtu, Krishtlindja na zbulon se Krishti erdhi të na transmetojë një jetë më të lartë, që shtrihet në përjetësi. Brenda atmosferës festive të Krishtlindjes, na jepet rasti të mendojmë më thellë për vlerën esenciale të kësaj dhurate, që na e ka falur Perëndia, të cilën jemi duke e shijuar dhe, gjithashtu, të rrisim respektin për çdo qenie njerëzore anekënd botës”, thuhet në mesazhin e Kryepeshkopit Anastas.
Katedralja e “Shën Palit” në Tiranë u mbipopullua nga besimtarët. Jashtë saj, ata kanë pritur në radhë për të bërë ritualin për këtë ditë, atë të lutjes, ndezjes së qiririt dhe faljes. Krishtlindja është festa, ku të krishterët urojnë më shumë paqe e dashuri në mbarë botën.
Lindja e Krishtit. Festë e gëzim në Shkodër
Ashtu si çdo vit, festa e Krishtlindjes është pritur me një atmosferë festive në qytetin e Shkodrës nga besimtarët katolikë.
Ceremonia ka nisur në orën 22.30 me meshën e mbajtur në katedralen e qytetit ku me qindra besimtarë kanë marrë pjesë në ritin e zakonshëm të shërbesës fetare që bëhet me rastin e Krishtlindjes.
Arqipeshku Anxhelo Masafra gjatë meshës ndër të tjera përcolli mesazhin kundër gjakmarrjes dhe bëri thirrje për pajtim dhe falje.
Më pas, ora 00:00 që simbolizon dhe momentin e lindjes së Krishtit është pritur me fishekzjarre nga njerëz të shumtë në rrugët kryesore të qytetit duke krijuar një atmosferë të gëzueshme.
Elbasan, nuk mbahet mesha e mesnatës
Qindra besimtarë të cilët i janë drejtuar mbrëmjen e djeshme kishave në qytetin e Elbasanit për të kremtuar lindjen e Krishtit, i kanë gjetur të mbyllura dyert e tyre.
Në asnjë prej kishave katolike dhe ortodokse të Elbasanit nuk është bërë mesha tradicionale e mesnatës që kujton lindjen e Krishtit. Ende nuk ka asnjë shpjegim se pse Krishtlindja nuk është festuar si gjithmonë në qytetin e Elbasanit, ndërkohë që shumë besimtarë kanë sfiduar të ftohtin për të ndezur disa qirinj në dyert e kishave dhe më pas janë kthyer të festojnë në shtëpi.
Mesha e Krishtlindjes tradicionalisht mbahet pas mesnatës së 24 dhjetorit dhe mëngjesin e datës 25, ku mijëra besimtarë gëzojnë për lindjen e birit të Zotit.
Top Channel