Stuhia godet Europën Veriore

24/12/2013 23:45

Stuhia e fuqishme “Dirk” ka goditur Europën Veriore, duke sjellë me vete erëra të fuqishme, që i kalojnë 140 km në orë dhe shira të rrëmbyer.

Të paktën 6 persona humbën jetën në Britaninë e Madhe dhe 2 në Francë, ndërsa shumë të tjerë kanë mbëtur të plagosur. Të paktën 240 mijë familje, në rajonin e Normandisë në Francë, kanë mbetur pa energji elektrike dhe, siç raportojnë mediat, mund t’i kalojnë festat e Krishtlindjes nën dritën e qirinjve.

Dhjetra persona kanë mbetur të bllokuar në makinat e mbuluara nga uji. Kompanitë hekurudhore kanë pezulluar lëvizjen e trenave, si pasoje e pemëve të shumta të rrëzuara.

Në Britaninë e Madhe u anuluan dhjetra fluturime në aeroportin e Hithrout, Bristolit dhe Glasgout. Në Irlandë, 5 mijë linja telefonike janë jashtë funksionit.

Moti i keq ka goditur edhe Spanjën, Portugalinë dhe Holandën.

Në Galicia të Spanjës, të paktën 100 mijë persona kanë mbetur pa energji elektrike. Janë anuluar disa fluturime nga aeroporti i Bilbaos, ndërsa në Portugali, në zonat bregdetare pranë Lisbonës dhe Santarem, dallgët mbërritën në 7,5 metra.

Në Holandë u pezullua lundrimi i trageteve në veri të vendit dhe disa ndërtesa kanë mbetur të dëmtuara, mes tyre edhe stadium Filips i Eindhovenit.

Stuhia parashikohet të godasë të mërkurën edhe veri-perëndimin e Italisë.

Top Channel