Siri, armët kimike transportohen nga Rusia

23/12/2013 15:25

Rusia dërgoi 75 kamionë ushtarë në Siri, me qëllim që të realizojnë transportimin e arsenalit të armëve kimike siriane jashtë vendit, informuan të hënën mediat ndërkombëtare.

Ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu informoi se 50 kamionë transporti dhe 25 kamionë të blinduar u transportuan me avion në qytetin bregdetar të Latakias javën e shkuar, së bashku me materiale të tjera logjistike.

Këto mjete transporti do të përdoren për të ngarkuar armët kimike dhe lëndët prekursore shoqëruese, që më pas do të transportohen nga anije ushtarake jashtë Sirisë.

Siria pranoi që të dorëzojë të gjithë arsenalin e saj të armëve kimike në muajin gusht, në këmbim të shmangies së një ndërhyrje ushtarake të SHBA-së, pas përdorimit të gazit sarin.

Nën marrëveshjen e negociuar nga SHBA dhe Rusia, eliminimi i të gjithë lëndëve kimike duhet të ndodhë brenda gjashtë mujorit të parë të 2014-s.

Shqipëria ishte një prej vendeve kandidate për të pritur këtë proces, i cili pas refuzimit të qeverisë Rama dhe disa qeverive të vendeve të tjera europiane, pritet të realizohet në det, në bordin e luftanijeve amerikane.

Top Channel