Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës i bën thirrje urgjente qeverisë së Shqipërisë që të shqyrtojë pakon e re fiskale që ka të bëjë me eksportin e produkteve kosovare në tregun shqiptar.
Sipas tij, pakoja e re fiskale e bën të pamundur zhvillimin e tregut kosovar në shtetin shqipar, ndërkohë që pala kosovare është fleksibël ndaj mallit shqiptar në tregun kosovar. Sipas kryetarit te OEK-ut, Safet Gërxhaliu, taksat me pakon e re kanë një kosto të papërballueshme.
“Qeveria e re ka nisur të zbatojë një pako të re fiskale, e cila drejtpërdrejtë prek edhe importin kosovar ne shtetin shqiptar. Dhe paramendoni kur birra e Pejës për t’u eksportuar në Shqipëri e ka një ngritje të taksimit në 237%! Dhe po kështu me prodhimet e tjera, të cilat pretendojnë të jenë prezente në tregun shqiptar, por për çdo dërgesë duhet të kenë analiza laboratorike të po asaj date ose dite kur malli dërgohet në këtë drejtim. Në qoftë se ju keni një maune e cila në vlerë ka 3 mijë e 500 euro, vlera e analizave për ato produkte është 4 mijë e 300, që nënkupton se për çdo produkt analizë e që për një produkt analizat janë 60-70 euro”, ka deklaruar Gërxhaliu.
Më tej, Gërxhaliu ka theksuar se ka ardhur koha kur duhet mënjanuar patriotizmi folklorik ndaj një politike ilirike që po përcjell raportet tregtare Kosovë-Shqipëri.
“Si dy shtete të një populli të ndarë jemi lodhur me një formë të patriotizmit folklorik dhe ndaj një politike ilirike që i përcjell këto raporte. Në qoftë se i analizoni barrierat që janë duke u paraqitur nga viti në vit në aspektin ekonomik, ne nuk mund të jemi komod dhe të kënaqur me këtë realitet. Ajo çka e karakterizon këtë raport është që në mënyrë urgjente të bëhet harmonizimi i standardeve dhe i kritereve dhe në fund të fundit prodhuesit vendas nuk kërkojnë as më shumë as më pak se çka kërkohet nga Kosova për produket shqiptare. Që në këtë drejtim nuk është duke i bërë nder as Kosovës dhe as Shqipërisë dhe me këto barriera shumë më tepër jemi duke e larguar Brukselin dhe po dëshmojmë vetëm që jemi joserioz karshi tij”, ka nënvizuar Gërxhaliu.
Këto komente Gërxhaliu i bëri pas një konference të përbashkët me kryetarin e Odës Ekonomike Amerikanë në Prishtinë, Arian Zeka. Ndër të tjera u kërkua rritja e presionit ndaj qeverisë për shqyrtimin dhe rregullimin e pakove legjislative që prekin fushën ekonomike dhe biznesore.
Top Channel