Britani, 6 muaj burg për MacShane

23/12/2013 23:20

Deputeti laburist, deri përpara një viti, dhe ish-ministër i Tony Blair për Europën në Foreign Office, Denis MacShane, është dënuar me 6 muaj burg nga Gjykata Qendrore Penale, në Londër, sepse kishte pranuar më herët se kishte paraqitur në Parlament fatura të rreme shpenzimesh, në shumën e 13 mijë stërlinave, për përkthime dhe laptop.

Autoritetet parlamentare britanike filluan të hetojnë faturat e tij në vitin 2009, pas skandalit të shpenzimeve, që përfshiu Parlamentin britanik.

Denis MacShane do të vuajë 3 muaj, siç është rregulli në Britani, ku të jepet mundësia të vuash gjysmën e dënimit me burg, dhe do të paguajë 1500 stërlina për shpenzimet e Prokurorisë brenda dy muajve.

Denis MacShane e pranoi përpara disa javëve fajësinë përpara Gjykatës së Lartë. Ai dha dorëheqjen nga Parlamenti vitin e kaluar, pas ndjekjes penale.

Denis MacShane, një eurofil që flet disa gjuhë të huaja, ka qenë ministër i Europës në Foreign Office, në qeverinë e Tony Blair për tri vjet, ndërkohë që hyri në politikë, pasi kishte mbaruar studimet në Oksford dhe për afro 8 vjet kishte punuar si gazetar dhe prezantues i BBC.

Denis MacShane njihet si mik i shqiptarëve, teksa ka shkruar edhe një libër për Kosovën, të titulluar “Why Kosovo still matters”, ku flet edhe për çka ndodhte në korridoret e Foreign Office, kur diplomacia britanike ishte e përfshirë në konfliktin në Kosovë.

Ai është deputeti i pestë, që burgoset në kuadrin e skandalit të shpenzimeve nga deputetët britanikë.

Top Channel