Sudan, qëllohen tre aeroplanë amerikanë

22/12/2013 14:15

Katër anëtarë të personelit të ushtrisë amerikane mbetën të plagosur kur ndaj avionëve të tyre evakues u hap zjarr në Sudanin e Jugut, informuan të dielën mediat ndërkombëtare.

Tre avionë të tipit “CV-22 Osprey” u sulmuan gjatë një tentative ulje në aeroportin e Borit, qytet i pushtuar nga forcat besnike ndaj ish-zëvendëspresidenti Riek Machar.

Sudani i Jugut është përfshirë nga një konflikt, i cili rrezikon të degjenerojë në luftë civile që prej një jave, kur forcat e Machar sulmuan institucionet e qeverisë, në një tentativë për të rrëzuar qeverinë e presidentit Salva Kiir.

Në një lidhje për “BBC”, Machar konfirmoi se forcat e tij kanë vënë në zotërim pjesë të mëdha të vendit.

Ai shtoi se është i gatshëm të hyjë në diskutime me qeverinë, nëse një numër politikanësh të arrestuar gjatë javës do të lirohen.

Disa qindra persona kanë mbetur të vrarë që prej fillimit të luftimeve.

Top Channel